Pak ditë më parë gjeti dritën e botimit një libër krejt i veçantë në llojin e tij të rrallë, me titullin kuptimplotë “Përkthimi letrar akt krijues i mirëfilltë”, dhe autor Elvi Sidherin, që ngjizet vetvetiu nga bashkëpunimi i dy përkthyesve të cilët ndonëse i përkasin dy brezave të ndryshëm, sakaq bashkohen fare natyrshëm nga dashuria për gjuhën shqipe pikësëpari, njohja e përkryer e plot gjuhëve dhe kulturave e letërsive të huaja, por edhe nga përvoja e larmishme dhe mjaft e gjerë në fushën e përkthimit letrar.
E gjitha gjen grykëderdhjen në këtë mënyrë nëpërmjet një frymëzimi të dyanshëm që gërsheton në këtë botim kushtuar përkthimit si art i përveçëm, këndvështrimet e profesor Anton Nikë Berishës dhe Elvi Sidherit, mbështetur në shqipërimet e shumta, dhe njëherësh gjuhët e huaja nga të cilat kanë sjellë në shqip një sërë kryeveprash të letërsisë botërore.
Profesor Anton Nikë Berisha, studiues i shquar i letërsisë, folklorit dhe gjuhës, në përvojën e tij disa dhjetëvjeçarëshe, ka sjellë mjeshtërisht në shqip Nibelungët, Dante Alighieri-n, Epin e Gilgameshit, Këngën e Këngëve, Psalmet Biblike, Këngët e Ali Binakut të Zogoviq, e plot kryevepra të tjera, dhe pikërisht mbi njohuritë, mbresat dhe këto përvoja të vyera të tij, ngrihen themelet e këtij libri, duke e shtjelluar dhe zbërthyer përkthimin letrar në shumësinë e ngjyrimeve, të fshehtave dhe mjeshtërisë e përkushtimit që doemos nevojiten në këtë profesion kaq të fisëm dhe të patjetërsueshëm për letërsinë.
LEXO EDHE: PRIMO SHLLAKU PËR PËRKTHIMET: GJUHA STANDARDE E KA LËNË SHQIPEN ‘TË ÇALË’
Ky bashkëbisedim përvijohet përmes pyetjeve të përkthyesit letrar shumëgjuhësh Elvi Sidheri, që nisur nga përvoja e tij e pasur vetjake në fushën e përkthimit, sendërton një pleksje brezash, përvojash, qëndrimesh dhe sidomos të metodologjive përkatëse që ravijëzohen në faqet e këtij botimi, në secilin kapitull të këtij bashkëbisedimi letrar ku përkthimi arrin të kristalizohet qartësisht pikërisht si një “Akt krijues i mirëfilltë”, siç dëshmohet edhe në vetë titullin e këtij këtij libri.
Ky libër mund të shërbejë mirëfilli rrjedhimisht si një udhëzues për Artin e Përkthimit dhe të shqipërimit, por gjithashtu ai ndërkaq i ofron çdokujt një grishje unike në botën e mahnitshme të përkthimit përmes këndvështrimit dhe përvojës së këtyre dy përkthyesve, që ofrojnë një diapazon letrar ku përfshihen disa nga veprat më të shquara e të pavdekshme të letërsisë botërore, nga lashtësia gjer në ditët e sotme, mes klasikësh të antikitetit, filozofisë së Greqisë së lashtë, përkthimesh biblike, deri në kolosët mesjetarë, shkrimet e para shqipe dhe nobelistët e disa nga autorët më të spikatur të shekujve të fundit.
Observerkult