
Vështirë të ndihesh grua/ Ese mbi poezinë “U ndjeva grua” të Anila Krutit
Nga Prof. as. dr. Muharem Jakupi
HYRJE
Me t’u publikuar në facebook poezia “U ndjeva grua” e poetes Anila Kruti vërshuan komentet me vlerësime të larta. Disa ishin të përgjithshme: “e shkëlqyer”, “nivel tjetër poezie”, “shumë, shumë e bukur”. Pak të tjera kishin tipare analitike, duke marrë prej tekstit “ndjesi të këndshme dhe njëkohësisht sfiduese gruaje” ose “shprehjen bukur të ndjesive të të jetuarit si grua”. Edhe unë u shpreha me njëfarë analize, duke e vënë theksin në “krijimin e thellësisë së trajtimit përmes figurash artistike që arrijnë të zgjojnë mendim e ndjeshmëri të re edhe pse mbi jetën e zakonshme të gruas”. Pas këtij ballafaqimi këndvështrimesh zbulohet qartë kontradikta e thellë hermeneutike: nga njëra anë, “ndjesi të këndshme dhe sfiduese e të jetuarit si grua”, kurse nga ana tjetër, “figura me mendim e ndjeshmëri të re mbi jetën e zakonshme të gruas”. Po çfarë përcjell teksti tek ne që i shtyn grupet e lexuesve të mendojnë në mënyrë të kundërt? Nëse vepra e artit është shkaku i përjetimeve dhe përsiatjeve, atëherë duhet analizuar teksti profesionalisht. Edhe fallxhorët bëjnë sikur lexojnë një “tekst profetik”, përndryshe personat që hedhin fall nuk do të besonin, pasi falltari ka interesa në interpretim. Dhe kanë të drejtë, sepse edhe ai që gjendet në vorbullën e fatit i bindet “dinjitetit të tekstit”. Por nëse në këtë akt komunikimi lexuesi i njeh mirë shenjat e përveçme gjuhësore si të tilla, problematik mund t’i rezultojë kodi artistik.
Në komentin tim unë kam besuar fluturimthi se titulli sintetizon kuptimin e thellë të ironisë së krejt poezisë. Kurse komentuesit e tjerë mendojnë në të kundërt dhe kanë një farë të drejte! Faktikisht titulli “U ndjeva grua” i poezisë së Anila Krutit të jep përshtypjen se flet për një grua të plotësuar, sikurse kënga “(You Make Me Feel Like) A Natural Woman” ((Ti më bën të ndihem si) një grua e natyrshme”) (1967), të kënduar nga Aretha Franklin dhe që flet për një “grua të natyrshme”, që ndihet “vetvetja”. Mirëpo nga teoria dimë se tekstet artistike kanë dy nivele leximi sepse janë të kodifikuar në mënyrë të dyfishtë. Prandaj këta mund të mos kuptohen e përjetohen drejtë duke i lexuar në mënyrë literale. Po sjellim si shembull rastet kur një tekst letrar dominohet nga alegoria apo ironia. Leximi i tyre do të dështojë plotësisht nëse nuk përcaktohet drejtë specifika figurative e tekstit.
Në rastin e përdorimit të alegorisë teksti ka dy rrafshe kuptimore koherente në vetvete, megjithatë domethënia “e thënë ndryshe” është qëllimi i tij kryesor. Kurse teksti ironik ka vetëm një kuptim dhe ky është i kundërt nga ai që jep leximi fjalë për fjalë i tij. Përkufizimi më i thjeshtë e përkufizon ironinë si “lavdërim për të sharë”. Dhe për këtë shndërrim rrënjësor do të mjaftonte edhe një pjesëz mohuese e nënkuptuar, e vendosur me mend përpara lëvdatës. Në rastin e tekstit ironik, pasojat e leximit të gabuar janë të mëdha, sepse kuptimi i synuar për t’u përcjellë është jo thjesht i vetmi, por edhe krejt i kundërt nga ai që të jep teksti. Pa u zbuluar kuptimin e kundërt të tekstit ironik, leximi i tij do të ishte krejt i gabuar, duke përfunduar në artikulimin e gjepurave si domethënie e tij.
Në rastin e tekstit alegorik suksesi në interpretimin e tij varet tërësisht nga konteksti, i cili të sugjeron se në përbërje të shtresës gjuhësore ka shenja me semantikë të dyfishtë. Si thënie dhe veprime të ujkut në fabul janë zgjedhur e përshtatur vetëm ato që mund të karakterizojnë thelbin si të ujkut edhe të njeriut gjakësor. Ndryshe nga alegoria që varet nga zbulimi i një realiteti të caktuar si prani e fshehur nën shenja, në rastin e ironisë “kuptimi i kundërt” gjendet në të njëjtin rrafsh tekstual. Ai kuptim varet nga aftësia e lexuesit të zbuluar dhe interpretuar një kontradiktë logjike që rezulton në tekstin material. Në poezinë “U ndjeva grua” uni lirik i përfundon me sukses të gjitha detyrat dhe punët e ditës, pastaj vishet dhe del si grua e lumtur për të bërë “dashuri me yjet”. Por rrethanat e paraqitura na bindin se ajo nuk është dhe nuk mund të jetë dot një grua e lumtur. Kështu që titulli i poezisë na “gënjen”, duke e fshehur faktin që është në kontradiktë të plotë me tekstin.
Duke konkluduar, mund të themi se kuptimi real i poezisë në fjalë varet nga përcaktimi i sakët i temës së tij, kurse tema varet nga zbulimi dhe interpretimi profesional i figurës zotëruese të tekstit. Kriticistët e rinj amerikanë përdornin si kriter të vlerës artistike të poezisë ambivalencën, ironinë dhe kompleksitetin. Poezia “U ndjeva grua” duket se i ngërthen të gjitha këto mjete artistike njëherësh. Por mund të rezultojë mashtruese teknika e alternimit të rregullt të dy lloje realitetesh: proza e punëve të përditshme dhe poezia e imazheve me det dhe me yje. Pyetja interpretuese është: këto tablo bashkërenditen apo krijojnë marrëdhënie të nënrenditjes?
ANALIZA E STRUKTURËS TEKSTUALE
Për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetjeje hermeneutike le ta konkretizojmë analizën duke i bërë paraprakisht një analizë strukturës tematike të poezisë. Me lehtësi mund të dallojmë tri situata të unit lirik të cilat formojnë dy rrafshe tematike. Pjesa e parë dhe e dytë e tekstit përcaktojnë të njëjtin rrafsh tematik. Të dyja rrafshet tematike karakterizohen nga e njëjta gjendje humori e unit lirik: pakënaqësia dhe ironia. Të dyja këto lloje reagimesh shprehen si prej tërësisë së tekstit, ashtu edhe prej dy tipa lajtmotivesh, të alternuara mes tyre dhe të shtrira në të gjitha situatat që përmban teksti, duke nisur që nga vargu i parë e gjer tek vargu i fundit i poezisë. Në mënyrë figurative mund të themi se poezia mbyllet me lajtmotivin e munguar, por të vetëkuptuar: “Më kapi dashuria. / Po ç’kishte dashuria me mua?!”. Një lloj lajtmotivi përbëhet nga shprehjet sinonimike: “Seç ndjeva një psherëtimë të thellë në kraharor”, “Përtypa mendimet me shije të hidhur”, “E trembur më përmendën pulëbardhat”, por mund të klasifikohet këtu edhe forma “Më zuri gjumi / duke bërë dashuri me yjet”. Tipi i dytë bëhet nga shprehja retorike: “Më kapi gëzimi. / Po ç’kishte gëzimi me mua?!”, e përsëritur dy herë.
Pesë vargjet e para përbëjnë situatën e parë, në të cilën uni lirik paraqitet jashtë shtëpisë, pra në marrëdhënie shoqërore të hapura. Kjo situatë na informon për mbetjen e dëshpëruar dhe e fyer pesë herë: si nga përgojimi i kolegut dhe gjitones, edhe nga mashtrimi prej orëndreqësit, dyqanit të shitjes së orëve dhe kambistit. Përfundimisht gruaja vjen në shtëpi me “shije të hidhur”.
Pesëmbëdhjetë vargjet në vazhdim përshkruajnë situatën brenda shtëpisë, duke përballuar e vetme të gjitha punët. Informohemi madje për dhjetë lloje punësh që zgjatin gjer në orën 12 të natës. Mirëpo brenda kësaj pjese të ditës uni lirik përjeton kalimthi një moment lirik, duke krijuar një kontrast të fortë me çfarë ishte duke bërë. Tek lante fëmijët (në vaskën e vogël?) i shkoi mendja te deti. Kjo thyerje e përmbys përkohësisht rrafshin e parë tematik (izotopik) që
sundon në të dyja situatat e para. Vegimi me anije velash dhe re të purpurta e ngazëllejnë dhe uni lirik fillon të puth detin në çdo skaj. Papritur madje eksitohet: “Më kapi gëzimi”. Po menjëherë vjen në realitetin e rëndomtë, duke e ndrydhur gëzimin: “Po ç’kishte gëzimi me mua?!” Dhe për ta vërtetuar këtë ndjesi zhgënjimi dhe kalimi në frikë, përmes një shkallëzimi poetik, gruaja sjell një provë që ngjan me skenën në fund, ku përshkruhet “dashuria me yjet”: gëzimi i ndërpritet dhunshëm nga frika e pulëbardhave, të cilat në një vegimin surrealist i futen (metaforikisht) në kraharor. Mirëpo ajo vazhdon me përulje detyrën e saj gjer në përfundimin e të gjitha punëve rraskapitëse.
Situata e tretë. Për ta çuar në fund analizën tonë, na duhet të shqyrtojmë edhe situatën e fundit të poezisë, e cila përbëhet nga vargjet 21-30: “Në orën 12:00 kisha kohë për veten / Leva buzët dhe vesha fustanin e kuq / U pash në pasqyrë si Hirushja e përrallës. / U ndjeva grua… / Më kapi gëzimi. / Po ç’kishte gëzimi me mua?!” etj. Brenda gjithë ditës së shqetësimeve dhe të mbingarkesës me punë gruaja nuk ka pasur asnjë minutë kohë për t’u marrë me veten. Por vetëm pasi ka hyrë dita tjetër kalendarike uni lirik lyen buzët, vesh fustanin e kuq dhe ndihet ironikisht Hirushe. Vetëm tani ndihet “grua” dhe për këtë e kap gëzimi. Por ky “gëzim” tjetërsohet menjëherë në dyshim retorik: “Po ç’kishte gëzimi me mua?!”. Ky varg trishtues nuk shënon thjesht përmbysjen emocionale të situatës së tretë, por shënon edhe pikën e ironisë vendimtare ndaj gjithë ditës që “gruaja” kaloi. Vetëdija se gëzimi është i pamundur e kthen ndjenjën e feminitetit në përqeshje ironike të iluzionit për identitetin e saj.
Por kjo ironi ndaj pozitës së saj ende nuk e ka arritur kulmin. Hapja e krahëve nuk bëhet për përqafim “yjesh”, sikurse edhe mbështetja e kokës në parvazin e dritares nuk mund të ketë lidhje me soditjen ëndërrimtare të qiellit të kthjellët. Pozicioni ose poza që kjo grua ka marrë nuk mund të shprehë ndjenjë lirie apo dorëzimi në velat e ndjenjave të thella romantike, por materializon një skenë dramatike rraskapitjeje dhe dorëzimi. Tabloja është vizatuar në mënyrë kuptimplote. Pozicioni i saj përmbys nënkupton mbylljen përfundimtare të ekranit me yje dhe kthimin e shpinës ndaj tyre. Kurse buzët e lyera posaçërisht mendohet të lënë mbi gurin e parvazit gjurmën e bojës së tyre si shenjë lodhjeje dhe jo “erotizmi”.
Këto detaje bëhen shumë të fuqishme për t’i dhënë drejtimin përfundimtar interpretimit. “Më zuri gjumi duke bërë dashuri me yjet” është një varg i mrekullueshëm nga pikëpamja e vizionit estetik, por qartësisht ironik në kontekst. Gruaja nuk shkëmben dot “puthje” me yjet as në ditën e dytë kalendarike. Prandaj përmbushja e saj si “grua” nuk është dot as imagjinare. Një përfundim i tillë krijon atë që mund ta quajmë “anti-epifani”: përjetimi i shenjtërimit poetik është i shpërfytyruar dhe zhbëhet me anë të gjumit. E gjithë ëndrra idilike shndërrohet në njollë buzëkuqi mbi parvaz – shenjë e fshirjes së dëshirës në kontakt me objektin e gabuar.
Poezia është e tipologjisë realiste si në nivelin e përshkrimit të situatave, edhe në tiparet e ligjërimit. Detajet janë të besueshme sepse respektojnë ligjësitë e brendshme të veprimeve dhe mendimeve të gruas bashkëkohore. Imagjinata nuk është vënë në funksion të poetizimit të lirisë së sublimuar, por imazhet me det dhe yje janë ndërtuar si kundërfigura ironike të dëshirës së parealizueshme. Struktura ironike e tekstit e nënshtron edhe imagjinatën ndaj parimit të realitetit. Në këtë kontekst, kontrasti midis jetës prozaike dhe momenteve idilike është vendosur jo për baraspeshë, por për përmbysjen e këtyre të fundit. Dy modelet e kundërta të tablove të vizatuara nuk janë renditur si kalim nga njëra gjendje tek tjetra, po për të forcuar tezën e dominimin të realitetit mbi fantazinë dhe shuarjen e saj. Këtë bindje e vulos gjumi mbi parvaz në pozicionin e shtrirë përmbys me duar të hapura, si një e rrëzuar përmbys në mes të rrugës. Një lexim i tillë rrjedh nga vetëdija ironike e tekstit, e shprehur jo me deklarata, por me ndërthurjen e figurave, renditjen e veprimeve dhe simbolikën e heshtur të skenës së fundit. Kjo është arsyeja pse poezia mbyllet si dramë e heshtur dhe jo si çlirim poetik nga aspekti i rëndomtë e jetës. Kjo analizë e konfirmon se ironia nuk është më një figurë stilistike për zbukurim, por një strukturë themelore e kuptimit.
Pjesa e fundit e poezisë paraqet një skenë dekonstruktuese ndaj pritshmërive të atyre lexuesve që e kanë kuptuar poezinë si të tillë që gruan vetëm e lartëson dhe poetizon. Në fund të aventurës hermeneutike lexuesi empirik naiv, vetëm pasi të bëjë një analize të plotë dhe të vëmendshme të tekstit, mund të kthehet në lexues model! Elementi pothuajse grotesk i kësaj dashurie “me shpinë” bëhet mënyrë për të treguar jo vetëm përmbysjen, por edhe fshirjen e iluzionit, përmes një akti në dukje qesharak, por thellësisht dramatik në simbolikën që mbart. Përshkrimi i detajuar i gjumit është vënë që pikërisht ajo të jetë mbresa e fundit vizuale me të cilën ndahesh me poezinë. Mirëpo pikërisht ky imazh përmbys atë iluzion që të krijon titulli (ironik) i poezisë. Faktikisht gruaja këtu është karakterizuar fort si një personalitet i lartë dhe tepër poetik, por ajo është edhe për t’i qarë hallin, pas gjithë këtyre që tregoi dhe argumentoi poezia për të. Pikërisht ky konkluzion mbetet të jetë domethënia e tekstit.
FIGURACIONI
Për ironinë si figurë stilistike kemi folur mjaftueshëm dhe me shembuj. Por mund të shtojmë diçka për funksionin e saj shoqëror. Në situatën e parë dhe të dytë teksti prodhon ironinë sociale. Kurse në situatën e tretë këtë ironinë gruaja që zotëron ligjërimin e kthen edhe nga vetja për të informuar për pamundësinë e saj për ta ndryshuar pozitën dhe fatin e saj të paracaktuar nga gjithë ai mekanizëm i madh shoqëror, i cili ende nuk i ka ndarë mirë rolet gjinore. Motivimi i autoironisë mund të shprehet mjaft mirë në pasthirrmën: ah, këto dëshirat e mia të parealizueshme, të ndërprera edhe si ëndrra!
Por nëse lexuesi e shkel apo e injoron ironinë që përshkon krejt tekstin, duke filluar nga lajtmotivet, ai do ta keqkuptojë poezinë dhe do ta lexojë atë si një rrëfim të thjeshtë për një ditë të lumtur. Vargu “Duke bërë dashuri me yjet” tenton të duket si një akt sublimimi, një mënyrë për të ngritur shpirtin mbi realitetin fizik dhe për të krijuar një lidhje të përfytyruar me universin dhe pafundësinë. Tenton gjithashtu të mishëroj verbalisht një përpjekje për të ruajtur një formë të vetëkënaqësisë dhe të mbijetesës shpirtërore përmes imagjinatës. Por gjumë i lodhjes që prish romanikën e kthen këtë pohim në ironi. Sepse rrëfimi dhe vlerësimi i sociologjik i gjumit-censor është bërë me mendje të kthjellët nga vetë uni lirik, vetëkuptohet: pasi është zgjuar dhe ka fituar qartësinë e duhur për të analizuar dhe shkruar në letër se çfarë ndodhi realisht në mbrëmjen idilike.
Mbresat nga e përditshmja ndërtohen me detaje realiste që kanë funksion të japin të rëndomtën e jetës. Kurse situatat apo skenat e ndërtuara me imagjinatë janë të gjera dhe me shumë dritë. Idealizimi i së bukurës në natyrë realizohet me vija dhe ngjyra romantike, duke provokuar konkretësi vizuale ndjellëse: “Shikoja anijet që ngrinin velat. / Ca re të purpurta vareshin qiellit. / Unë që puthja detin në çdo cep.” Direkt pas këtyre vjen vargu që e zgjeron edhe më shumë këtë madhështi të tablosë: “E trembur më përmendën pulëbardhat që futeshin zgavrës së kraharorit tim.” Kjo është një figurë origjinale, një imazh surreal, që del mbi logjikën realiste dhe përçon ndjenjën e dëshirës për arratisje. Këto imazhe poetike janë mbresëlënëse, që ngrihen për të krijuar kontrast estetik me detajet e rëndomta të së përditshmes. Fantazia e lartë në ndërtimin e imazheve shfaqet kryesisht në ato momente kur protagonistja arratiset nga realiteti i rëndomtë drejt imagjinatës.
Në përshtatje të përsosur me thelbin shoqëror të përmbajtjes, të parat që bien në sy janë figurat e sintaksës poetike, siç janë: paralelizmat, anaforat, kontrastet, shkallëzimet apo antitezat. Ndonjëherë disa prej tyre janë të jashtme dhe të shpejta, në raste të tjera janë më të thella dhe të gjera. Për të mbuluar artistikisht zhurmën e vërshimit të detajeve realiste, në poezinë “U ndjeva grua” është e pranishme edhe retorika, por si një strukturë e integruar me faktorin poetik. Ajo realizohet në mënyrë delikate, duke ndihmuar në ndërtimin e ironisë, e cila përshkon të gjithë strukturën e tekstit, në krijimin e tensionit emocional si dhe në thellimin e tonit dramatik. Retorika mishërohet edhe nëpërmjet pyetjeve retorike, anaforave, ritmit enumerativ si dhe antitezave. Ajo nuk është zbukurim i kotë, por element përftues i kuptimit dhe strukturë komunikimi me lexuesin. Retorika këtu nuk thërret, por sugjeron, nuk shpall, por ngjall ndjeshmëri, cilësi që e bëjnë poezinë të fuqishme. Një nga ndërhyrjet retorike më të spikatura realizohet përmes refrenit: “Më kapi gëzimi. / Po ç’kishte gëzimi me mua?!” Kjo teknikë krijon intensitet emocional, duke evidentuar konfliktin e brendshëm në mënyrë ekspresive.
Megjithatë në poezi nuk mungojnë metaforat, paradokset, ambivalencat etj. Është mbetëse metafora-imazh: “më përmendën pulëbardhat që futeshin zgavrës së kraharorit”, njëlloj si përdorimi metaforik i “dashurisë me yjet”. Edhe fjala “gjumi”, në dukje me kuptim pragmatik, brenda kontekstit specifik të përdorimit të vet, funksionon si simbol. Simbolet si të tillë gjithmonë motivohen nga pikëpamja figurative, duke pasur në bazament: metaforën ose metoniminë, ose sinekdokën. Mbyllja e poezisë me “gjumë” mundëson thellimin e kuptimit të kësaj fjale, duke u bërë një metaforë e lodhjes dhe përfundimit të ditës. Por nga një këndshikimi më të gjerë, që na e jep përmbajtja, ai kështu bëhet njëkohësisht simbol i zhgënjimit dhe shuarjes së ëndrrave.
SHUMËSI INTERPRETIMESH
Një grua që provon një grimë gëzimi dhe menjëherë rrethanat e realitetit e kujtojnë se ai nuk i përket, sikur të mos ketë më të drejtë të jetë e lumtur. “Më zuri gjumi duke bërë dashuri me yjet” është një akt i projektuar në mënyrë imagjinare, është vizioni estetik dhe simbolik i sublimimit të dëshirave të parealizuara në universin e ëndrrës, një arratisje e fundit nga realiteti. Gruaja e poezisë gëzon të jetë vetvetja qoftë edhe vetëm në një çast ëndërrimtar. Kjo është poezia e një ndërgjegjeje a personaliteti, në mos të humbur, të paplotësuar, të shtypur në mënyrë moderne! Që do të thotë se ajo gjithsesi i kundërvihet realitetit me një ton të butë rebelimi poetik, ku e vetmja liri e mbetur është ëndrra dhe përfytyrimi. Imazhi i “Hirushes së përrallave” vërtet sjell në tekst një kuptim ironik: ashtu si Hirushja, edhe uni lirik e përjeton momentin e saj të gëzimit vetëm në një çast të shkurtër, pasi gjithë dita i është konsumuar nga puna. Por edhe Hirushja ka optimizmin dhe guximin aventuresk për të mos e menduar lumturinë si “mollë të ndaluar”, për të mos e synuar atë. Në fillim synimi i saj për lumturi gëlltitet nga ironia e së pamundurës, kurse në fundin e përrallës ironia e situatës asimilohet nga lumturia. Ky këmbim kthehet në një alternativë periodike sa herë që lexohet përralla. Disa lexues janë duke vëzhguar njërën faqe të poliedrit, e të tjerët faqet e tjera. Kjo është arsyeja që sjell lojën hermeneutike dhe ndeshjen e perceptimeve dhe vlerësimeve. Por jo të gjitha faqet e poliedrit janë të ndriçuara
njëlloj nga dielli dhe të errësuar njëlloj nga hija. Varet në cilin pozicion interpretues ndihet subjekti analitik!
Me këmbënguljen e provuar (tekstualisht) në dy tentativa, uni lirik femëror ka një ndërgjegje të papërmbajtshme përpara pritave të shumta përballë plotësimeve të dëshirës, siç ka një përkushtim për t’i shërbyer shoqërisë dhe familjes, pavarësisht pasojave personale. Dhe siç shikohet me optikën e mëshirës në episodet e dështimit ironik gjatë kryengritjes imagjinare për t’u larguar nga vaska e larjes së fëmijëve në detin e hapur, ashtu edhe nga dritarja e ngushtë në qiellin e pamatë, ne nuk mund të mos kemi krijuar admirim të shkallës më të lartë për përkushtimin në punë e në jetën shoqërore, për etikën në reagimet ndaj provokimeve, për përuljen gjatë përkushtimit për familjen, për botën shpirtërore të pasur ku lulëzojnë ëndrrat e një shpirti të bukur.
Disa nga këto vlerësime teksti nuk i artikulon direkt, por nuk na ka vënë prita për t’i penguar. Figura e Hirushes së përrallave e futur brenda kontekstit të detyrimeve shtypëse, ka në tekst kuptimin e një lumturie afatshkurtër: vetëm prej disa orësh. Por një parabolë kur hyn sigurisht që e rrezaton të plotë energjinë e saj figurative dhe domethënëse. Kjo ide mund të duket si retorikë e sforcuar apo si mbiinterpretim, por pikërisht ajo pak bukuri disaorëshe i dha Hirushes statusin e lartësuar të princeshës. Vetëm përmes kësaj ambivalente të brishtë, që gjendet brenda tekstit, megjithëse e fshehur me kujdes, lexuesit që e vlerësojnë këtë poezi si hyjnizuese për gruan e gjejnë me shumë intuitë të mprehtë një mbështetje të perceptimit të tyre lartësues të figurës së gruas, megjithëse karakteri material objektiv i tekstit kërkon t’ua thyejë atyre këtë përshtypje. Dhe siç janë alternuar imazhet e tekstit në një mënyrë ku pas një përmbajtjeje prozaike vjen rregullisht një përmbajtje idilike, sado e imagjinuar qoftë kjo, ashtu edhe dilemat se cili është interpretimi “i vërtetë” i poezisë janë të përligjura vetëm nga pamja prej një pike fikse. Por po i erdhe rrotull kësaj vorbulle faktesh, siç i vjen një statuje a monumenti të madh për ta soditur më mirë, rrallëherë do ndeshën interpretimin e bukur dhe iluzor, siç është tabloja e detit me varka apo sekuenca e dashurisë me yjet, të thënë në tekst me shumë shkëlqim artistik. Mirëpo të gjithë e dimë se statujat dhe monumentet kanë edhe ato faqet e tyre të prapme: të ashpra, të vrazhda, pra faqet që duhej të ishin lëmuar, por ende kanë mbetur pas dore. Kjo është tabloja dinamike e kuptimit ngjyrash të ndryshme që na fal kjo poezi.
Literatura
Paul Ricoeur, The Rule of Metaphor (1977).
Umberto Eco, Lector in fabula (1979).
Wayne Booth, A Rhetoric of Irony (1974.
U ndjeva grua
Seç ndjeva një psherëtimë të thellë në kraharor.
Filloi kur kolegu foli keq.
Orëndreqësi nuk e kishte rregulluar dot në kohë orën e re të blerë një muaj më parë. Kambisti në fund të rrugës u mundua të ma hidhte me një mijë lekë të vjetra në këmbim. 5. Gjitonia rrudhi buzët kur më pa të krehur në lagje.
Pastaj shkova në shtëpi.
Përtypa mendimet me shije të hidhur.
Lava enët e mëngjesit dhe bëra drekën.
Si për mbasdite të mirë i bëra burrit një kafe turke.
10.Pastrova shtëpinë dhe bëra darkën
lava enët, fëmijët…
Tek laja fëmijët më shkoi mendja te deti.
Shikoja anijet që ngrinin velat.
Ca re të purpurta vareshin qiellit
15. Unë që puthja detin në çdo cep.
Më kapi gëzimi.
Po ç’kishte gëzimi me mua?!
E trembur më përmendën pulëbardhat që futeshin zgavrës së kraharorit tim. I vura fëmijët në gjumë dhe shkoi ora 10:00
20.Rregullova shtëpinë bëra punët e darkës.
Në orën 12:00 kisha kohë për veten
Leva buzët dhe vesha fustanin e kuq
U pash në pasqyrë si Hirushja e përrallës.
U ndjeva grua…
25.Më kapi gëzimi.
Po ç’kishte gëzimi me mua?!
Mbështeta kokën në parvazin e dritares
dhe hapa krahët.
Më zuri gjumi
30. duke bërë dashuri me yjet.
ObserverKult
Lexo edhe:
ANILA KRUTI: MOS E MERR TË LEHTË NJË GRUA QË LEXON…