Për Ana Maria Bovo
Në një mbretëri të gëzuar, ku njerëzit kurrë nuk arrijnë dot, apo ndoshta ku njerëzit kalojnë përjetësisht pa e marrë vesh…
Në një mbretëri magjike, ku gjërat e pakapshme, bëhen të kapshme…
Kishte një herë…
Një gjol të mrekullueshëm.
Ishte një lagunë me ujë të pastër kristal, ku notonin peshq të të gjitha ngjyrave që njohim dhe ku tonet e blerimit reflektoheshin pa reshtur…
Dhe në atë gjol magjik e transparent, pasi u bënë bashkë, si dy shokë të ngushtë, trishtimi dhe zemërimi, shkuan për të bërë banjë.
I heqin rrobat dhe, ashtu lakuriq, të dy futen në gjol.
Zemërimi, i nxituar (siç është gjithmonë zemërimi), plot ngut – pa ditur as vetë pse – bëri banjë shpejt e shpejt dhe, me vërtik, del nga uji…
Por, siç dihet, zemërimi është i verbër, ose, të paktën, nuk e dallon qartë realitetin, kësisoj, lakuriq dhe i nxituar, me të dalë nga uji, vesh të parat rroba që has përpara…
Dhe ndodhi që ato rroba nuk qenë të tijat, por të trishtimit…
Dhe ashtu, i veshur me trishtim, zemërimi ikën.
Shumë ngadalë e shumë i qetë, si përherë, i vendosur të qëndrojë aty ku është, trishtimi mbaron së lari dhe, pa kurrfarë nxitimi (ose më mirë të thuash pa e vrarë mendjen se koha ikën), më ngé dhe lehtë-lehtë, del nga gjoli.
Por, në breg nuk ishin rrobat e tija.
Siç e dimë të gjithë, gjëja që trishtimi nuk e duron dot, është të rrijë lakuriq, kështu që vesh rrobat që gjen aty, të cilat ishin rrobat e zemërimit.
Tregojnë se qysh atëherë, ndodh shpesh se dikë që është i zemëruar, i verbër, mizor, i tmerrshëm dhe tërbuar, po ta shohim me kujdes dhe për një farë kohe, do të vëmë re se zemërimi i tij, në dukje është një maskë, dhe pas asaj maske prej zemërimi, në të vërtetë… fshihet trishtimi.
*Titulli i origjinalit: “Trishtimi dhe zemërimi”
Përktheu: Bajram Karabolli