Udhëto, lëre botën të të tregojë ku të shkelësh për ta njohur atë. Mos ki frikë nga e panjohura. Thjesht ndiq rrëketë e ujit.
Asnjë gjë nuk e njeh tokën më mirë se uji. Dashuroje tokën dhe shijo historinë që ajo ka lënë pas. Historia mund të fshihet dhe pas një cope guri të vetëm, apo një kështjelle që po restaurohet.
Nga Flogerta Krypi
Trajtoje veten si princeshën që NUK je. Mos u habit.
Nëse kjo botë do kishte vetëm princesha dhe gjak mbretëror, asnjë mbretëri nuk do të kishte ekzistuar kurrë sepse nuk do të kishte një popull për të drejtuar.
Ji njeri i lirë dhe besomë liri nuk do të thotë të rrish në “party” pas orës dymbëdhjetë. Liria është gjëndje ekzistence që të jep të drejtën që mes mijëra maskash ti të ruash identitetin dhe zërin tënd.
Mos u bëj si Fiona e Shrekut, ditën ndryshe, natën ndryshe. Bukuria jote nuk matet as nga sasia e “make up -it” në fytyrë, as rrobat e bukura apo çantat që blen. Ji krenare për veten dhe ec përpara. Nuk do jesh kurrë e lumtur, nëse nuk mëson të dështosh. Suksesi nuk është kurrë aq krijues sa dështimi.
Gjej veten dhe duaje atë. Asnjë burrë i kësaj bote nuk përcakton dot kush je ti, nëse nuk e lejon më parë. Një njeri që të dashuron të jep lirinë, nuk të mbyll në shtëpi për të të fshehur nga bota me justifikimin se është xheloz. Madje bën të kundërtën, të vendos atje në “skenën e madhe” dhe i thotë botës në heshtje:
-Ajo është e imja dhe askush nuk e prek dot. Jo sepse unë nuk e lejoj, por sepse ajo është një grua e lirë që më ka zgjedhur mua.
Bëhu një grua e pavarur dhe mos harro kurrë të ëndërrosh. Bota është një kurth, është në dorën tënde të jetosh ose të dalësh prej aty.
ObserverKult
Lexo edhe: