Ypi: O Zot, sa të bindur janë se diktatura nuk kthehet më…

Nga Edison Ypi

O Zot, sa konspirativë dhe hileqarë janë. I pyes ku të çon kjo rrugë ose ku bie filan katund, përgjigjen “Pse?” ose “Te kush do shkosh?”.
O Zot, si nuk e dinë se ka edhe shumë më keq se Shqipëria. Në botë vazhdojnë dhjetra luftra të shurdhëta ku njerzit vriten si mizat, por nuk i tregon asnjë televizion, nuk shkruan asnjë gazetë.
O Zot, popujt kufijtë i mbajnë dhe i zgjerojnë me gjak, me sakrifica, me luftëra, me heroizma. Ne trimërirat i kemi vetëm nëpër balada, nëpër lahuta.
O Zot, e ndreqën sheshin, por përballë Skënderbeut lanë mozaikun ku 40 vjet histori kriminale zë 80 % të 3 mijë viteve histori.
O Zot, si nuk e kuptojnë disa të përndjekur se sado të kenë vuajtur dhe sado të drejtë kanë, e drejta nuk është kurrë e tëra e tyrja.
O Zot si shkulet gazit kurvi brenda varrit kur i dëgjon të përndjekurit ta quajnë veten “shtresë” si me qen’ llaç me bo mur me tulla.
O Zot, të përndjekurit janë ende aq të çorientuar sa nuk e kuptojnë se duke kërkuar pas 30 vjetësh lehtësime dhe favore, pra diskriminim pozitiv, është vazhdim i luftës së klasave.
O Zot, sa inat më vjen që disa të përndjekur për shkak të lepurit që ende e kanë në bark “kurvi” e shkruajnë “Kurvi”.
O Zot, shqiptarët po takohen çdo ditë e më rrallë me mikun dhe mikeshën nga frika se mund t’u bjeri damllaja kur ta shohin tjetrin tmerrësisht të ndryshëm nga sa paraqitet me fotot dhe muhabetet në Fejsbuk.
O Zot sa çudi që Kryeministri thotë se mediat janë kazan dhe jo mut.
O Zot, filmat shqiptarë në vend që ti harrojnë po i kujtojnë, në vend që t’i shkatërrojnë po i restaurojnë, në vend që t’i pështyjnë po i shikojnë.
O Zot, në Internet mezi gjen foto të Poetëve të mëdhenj të së kaluarës, por gjen me tonelata foto dhe selfie të këllirave që mbahen për poetë, kakave që hiqen për shkrimtarë, krimbave që thonë “jam intelektual”.
O Zot, njerëzit e Artit dhe Kulturës që duhej të ishin krema, njerëzit më të respektuar e më të nderuar fjala e të cilëve të kishte rëndësi themelore, janë ca legena e ca lapangjozë që gjithë kohës mburrin veten dhe thurin intriga.
O Zot, në një market pronë e një mafiozi shitësat ishin të gjithë me universitet. Cilën kaçavidë duhej të blija ma tregoi një kritik arti mbaruar në Francë. Për të blerë një peshqir më konsultoi një inxhiniere pyjesh. Cili tas balte më vlente për të zënë kosin më bindi një matematicien që murmuriste “Crack of Doom” nga Tiger Lillies.
O Zot nëpër katunde vilat i bëjnë aq më të mëdhaja dhe aq më të bukura sa më tepër e duan gruan. Arat dhe vreshtat aq më të sistemuara sa më kompakte është familja.
O Zot po quajnë Letërsi çfarë i vjen në mendje çdo hajvani që kërruset mbi kompjuter dhe zhgarravit bërllogje.
O Zot, ke frikë të bësh ndonjë heroizëm se të shpallin atypëraty Poet.
O Zot, ndërkohë që mendoj për Universin që është bosh, kohën që nuk ekziston, përkuljen e hapësirës, televizori thotë “po japim lajmet”.
O Zot, një nga mrekullitë e kësaj bote është se Zoti i ka bërë njerëzit sa më të dallueshëm nga njëri-tjetri, këta lodhen e stërlodhen për të ngjarë me njëri-tjetrin si dy pika loti.
O Zot, kur skam asnjë lek më ndihmojnë gratis dhe e quajnë “njerzillëk”, ndërsa kur kap ndonjë lek, për të më ndihmuar më vënë çmim astronomik se u duket “biznes”.
O Zot sa të bindur janë se diktatura nuk kthehet më.
O Zot si nuk e ndjejnë se sa kohë ka kaq shumë rrena Diktatura është te dera.

ObserverKult


Lexo edhe:

EDISON YPI: DJALI I VETMUAR NUK DASHURON…