Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit kujtoi në ditën e lindjes, dramaturgun shqiptar Et’hem Haxhiademi i cili ndërroi jetë në burgun e Burrelit.
Dramaturgu dhe poeti Et’hem Haxhiademi (1902-1965) lindi në Elbasan më 8 mars 1902. Pas vendosjes së regjimit komunist në vend, u arrestua si armik i popullit dhe mbështetës i Ballit Kombëtar, dhe u dënua me vdekje, dënim që iu zëvendësua me burgim të përjetshëm, që e kaloi në burgjet e Elbasanit, Gjirokastrës, për ta përfunduar në Burrel.
Sipas kujtimeve të Makensen Bungos, poeti, tragjediani, anëtari i Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë, profesori i Normales së Elbasanit, Et’hem Haxhiademi, pas torturave “ishte dobësuar e tretur, ishte kërrusur dhe mezi ecte. Ishte transformuar, që të vinte keq ta shihje. Kur e kthyen në Elbasan për ta gjykuar, nuk e njoha. Ishte plakur shumë”.
Bungo e sjell Haxhiademin përmes kujtimeve të At Konrad Gjolajt, që jetoi me të në burgun e Burrelit: “Kam ndejë 6 vjet me të. Shumë i sjellshëm. Ishte me parime moderne. Aspak fanatik, jofetar. Kishte dijtë me i ba ballë “krymave të burgut”. Kishte shoqëni të gjanë dhe konsiderohej prej të gjithëve zotni. Ashtu ishte. Nuk gabonte kurrë kur i ndante njerzit ndër të kulturuem dhe të pa kulturë. Ishte qefli diskutimesh në të gjitha fushat dhe e kalonte kohën gjithmonë tue lexue, bile edhe shtrimë ratë. Diskutimet i kishte koncize dhe me logjikë. Pranonte gabimet e dinte edhe me lypë të falun, gjithmonë tue u bazue tek e drejta.”
Themeluesi i tragjedisë shqiptare me veprat “Ulisi”, “Akili”, “Aleksandri”, “Pirrua”, “Skënderbeu”, “Diomedi” dhe “Abeli”, njohësi i mirë dhe përkthyesi në burg për gati 20 vjet i greqishtes së vjetër, latinishtes, gjermanishtes, turqishtes, intelektuali i dalluar për kulturën klasike, mbylli sytë në Burrel, më 17 mars 1965. Ende sot, Et’hem Haxhiademit nuk i dihen eshtrat./ATSH
LEXO EDHE: AMANETI I ET’HEM HAXHIADEMIT: SHKRUAJ NJË DRAMË PËR VUAJTJET E MIA