Bujar Asqeriu: “Takimi i fundit në Vlorë më Muhamet Likon”

Në një intervistë për gazetën “Panorama”, të dhënë kohë më parë, Bujar Asqeriu tregon se si është njohur me Muhamet Likon.

Ai flet për bashkëpunimet që ka pasur me të, por dhe takimin e fundit në Vlorë muaj më parë.
Ata ishin takuar gjatë një promovimi libri në Vlorë, por Asqeriu shprehet se në pamjen e tij pa një portret që paralajmëronte lajme të këqija shëndetësore.
Mes tyre ata kishin shkëmbyer batutën që e ndajnë prej disa dekadash: “Shumë pak estrada”.
Kjo batutë kishte mbetur nga analizat që bëheshin në kohën e monizmit kur numëroheshin sukseset e trupës së estradës krahasuar me trupën e teatrit në Vlorë.
Aktori i njohur tregon se Muhamet Liko ishte një njeri që nuk ankohej kurrë për jetën e tij, ndërsa nuk i shuhej kurrë humori dhe batuta.

Si jeni njohur me Muhamet Likon?

Bujar Asqeriu: Metin e kam njohur prej shumë vitesh para se të vinte si aktor profesionist në Estradën e Vlorës.
Ne kemi qenë pothuajse në një lagje me Metin. Njohjet e para me të kanë qenë kur bëheshin dasma në lagje dhe ne shkonim për të uruar miqtë dhe për herë të parë e kam parë aty.
Me një fizarmonikë në dorë ai bënte për vete të gjithë dasmorët duke demonstruar një talent të lindur, sepse Meti nuk kishte bërë ndonjë shkollë muzike.

Meti ishte krijues spontan dhe luante shumë bukur bufonatat, ishte i mrekullueshëm në imitime. Ishte një kloun i jashtëzakonshëm, me një plastikë të admirueshme dhe me harmoni mes fjalës dhe muzikës.

Ai i binte shumë bukur fizarmonikës. Improvizimin e kishte ndër armët më të forta dhe kjo tregonte se ai ishte një talent i lindur.
Në dasma ai komunikonte me dasmorët, hynte në komunikim me ta, i përfshinte në improvizimet e veta në mënyrë të natyrshme.

Kjo më bënte shumë përshtypje.
Dalëngadalë, Meti filloi të punonte në Ndërmarrjen e Përpunim Drurit . Aty u angazhua në grupin artistik të ndërmarrjes, duke rënë në sy dhe individualizuar në festivalet e ndryshme që ishin të shumta në atë kohë.
Muhamet Liko mbetet për mua një nga aktorët e jashtëzakonshëm të humorit me aftësi natyrore të dhuruara nga Zoti.

Pastaj u bëmë kolegë në Teatrin e Vlorës. Ai me ekipin e estradës dhe unë me ekipin e teatrit. Por e kujtoj me shumë respekt dhe me shumë dashuri, sepse ne aktorët e teatrit jemi angazhuar herë pas here dhe në numrat e estradës.

Nga afër unë kam parë çudinë e mjeteve shpresë që Meti zotëronte si aktor.
Kur mendoj magjinë e tij, improvizimet e tij në skenë që ishin shumë të çuditshme dhe thellësisht instiktive…
Ai nuk bëri asnjë shkollë artistike dhe modestinë e tij në jetën e përditshme. Gjithmonë kam menduar , që njerëzit e mëdhenj, talentet e mëdha që Zoti u ka falur talentin, janë dhe modestë.

Keni bashkëpunuar me Muhametin në Estradë?

Bujar Asqeriu: Po, kemi punuar në disa numra estrade me Metin. Ai u inkuadrua më pas me tre miqtë e tij në ngushtë, që krijuan një katërshe, jo vetëm të talentuar profesioniste, por dhe vëllazërore.
Ata ishin katër parodistë, kishin krijuar një miqësi dhe familjare, shkonin dhe vinin familjarisht.

Humori i tyre në shumë raste godiste fort dhe administratën shtetërore të asaj kohe. Kanë pasur probleme me censurën, apo kritika?

Bujar Asqeriu:Sigurisht, parodistët e Vlorës janë dhe do të mbeten një emblemë e jashtëzakonshme, jo vetëm për qytetin e Vlorës.
Ata i kapërcyen kufijtë dhe janë një emblemë kombëtare, kudo që kanë shkuar në Australi, Kanada, Amerikë apo dhe në Europë.
Unë magjepsesha duke dëgjuar paroditë e tyre, duke ndjekur lojën e tyre dhe i kam vlerësuar ata që në hapat e para të tyre.

Do të ruaj për të katër ata respektin më të madh të një embleme artistike të papërsëritshme.

Para më shumë se një muaji kam qenë në Vlorë kur u bë promovimi i një libri kushtuar jetës së futbollistit të madh vlonjat, Vasil Ruçit. Ishte hera e fundit që takova Muhamet Likon aty.
E pashë me vëmendje portretin e tij dhe të them të drejtën, nuk më pëlqeu një hije e verdhë në portretin e tij. Unë nuk i thashë gjë, sepse nuk doja ta shqetësoja, por kjo më bëri përshtypje.
Ai më përsëriti një batutë që ma thoshte gjithmonë që takoheshim: “Shumë pak estrada”! Qeshëm me të madhe.

Çfarë ishte kjo batutë?

Bujar Asqeriu: Në një nga analizat që bënim në Teatrin e Vlorës, se si ne kishim realizuar planin, Teatri dhe Estrada, ku ishin dhe parodistët.

Estrada e Vlorës kishte një emër të madh, një publik të madh, kërkesa të mëdha, sallat i kishin plot. Teatri kishte frekuentim më të vogël se Estrada.

Në këtë mbledhje, kur dëgjova shifrat se kaq shfaqje Estrada, kaq Teatri që ishin në diferencë mes tyre, unë u ngrita me një lloj naiviteti duke thënë:
“Shumë pak shfaqje Estrada, si ka mundësi!!! ”Parodistët ma mbajtën mend këtë batutë dhe sa herë takoheshim, ma përsëritnin.

Mendoni se kanë marrë vlerësimin e merituar Parodistët e Vlorës?

Bujar Asqeriu: Për mua, jo. Vlera e parodistëve të Vlorës është shumë e madhe. Të mbash prej shumë vitesh në adrenalinë një popull të tërë, jo vetëm qytetin e Vlorës.
Të qeshësh, të mendosh, të gajasesh duke i para ata në skenë.
Askush nuk tha se çfarë hallesh kanë këta djem, si jetojnë këta djem, çfarë problemesh kanë këta djem.

Kjo është dhimbje e madhe për mua. Ka qenë madje një periudhë që askush nuk kishte vëmendjen te teatri apo estrada. Por ata asnjëherë nuk u fikën. Ata kishe ëndje t’i takoje, përqafoje dhe t’i dëgjoje, por largimi i vëmendjes, mosrespektimi i vlerave të çon gjithmonë në përfundime të gabuara.

Nuk e di, a do të vijë ndonjë ditë në të ardhmen që këta djem të zëvendësohen jo vetëm në Vlorë, por në çdo qytet të Shqipërisë, që të thonë:
po këta na kujtojnë atë katërshe fantastike vlonjate.
Ata sa kohë ishin, qenë individualitete krejtësisht të dallueshme nga njëri-tjetri. Ishin aktorë të shkëlqyer, ishin këngëtarë të shkëlqyer, ishin parodistë të shkëlqyer.

Në një numër estrade që unë kam luajtur me ta, kishin ndryshime në ndërtimin e figurave, sepse ne të Teatrit i ndërtonim figurat nën ritmin tonë, në lëvizjen tonë. Por Estrada ka tjetër ritëm.
Ata me dy tre penelata të jepnin figurën artistike dhe më thoshin: Teatri, shumë ngadalëëë…!

Çfarë keni luajtur me Muhametin?

Bujar Asqeriu: Me Metin kam luajtur disa numra estrade, në komedi dhe në disa role me parodistët.

A kishte ndonjë brengë, ndonjë merak të jetës së tij?

Bujar Asqeriu: Muhameti nuk ankohej. Në bisedë private ai ishte shumë i mbyllur, nuk ankohej, mundohej me ndonjë batutë të bënte ndonjë humor, por nuk fliste kurrë për problemet e tij. Muhamet Liko mbetet një djalë me shumë talent dhe shumë modest. Ai kurrë nuk foli për problemet e tij./(aktoretshqiptare)

——————

LEXO EDHE:
BUJAR ASQERIU RRËFEN HISTORINË PREKËSE QË FSHIHET PAS EMRIT TË TIJ TË VËRTETË

ObserverKult