Të hënë më 22 mars është votuar Qeveria e re e Kosovës me Albin Kurtin kryeministër. Në Qeverinë Kurti 2 janë tre zëvendëskryeministra dhe 15 ministri. Në ministrat e rinj është edhe Hajrulla Çeku, i cili do të udhëheq me Ministrinë e Kulturës dhe Sportit.
Ja kush është Hajrulla Çeku?
Por kush është Hajrulla Çeku, i cili për herë të parë ka marrë postin e ministrit?
Hajrulla Çeku është lindur në vitin 1983 në Prizren. Ka studiuar në Universitetin e Prishtinës, drejtimi “Shkenca Politike”. Dhe ka magjistruar në “Qeverisje dhe Zhvillim Lokal” në Universitetin e Trentos, Itali dhe Universitetin e Regensburgut, Gjermani.
Për 15 vite ka qenë pjesë e shoqërisë civile i angazhuar në çështje të trashëgimisë kulturore, turizmit, planifikimit urban dhe mjedisit.
Zëvendësministër i Turizmit dhe Mjedisit në qeverinë e Shqipërisë
Ka qenë i përfshirë në shumë nisma qytetare për mbrojtjen e strukturës urbane të qyteteve të Kosovës.
Përgjatë viteve u angazhua në shumë organizata vendore dhe ndërkombëtare.
Ka qenë dhe vazhdon të jetë i angazhuar në shumë prej tyre. Ka shërbyer edhe si anëtar i Këshillit Kosovar të Turizmit.
Ndërsa në cilësinë e ekspertit të jashtëm ka përkrahur hartimin e politikës nacionale për konservim të integruar të trashëgimisë kulturore në Kosovë.
Ka qenë zëvendësministër i Turizmit dhe Mjedisit në qeverinë e Shqipërisë.
Hajrulla Çeku ka përfunduar disa programe ndërkombëtare të aftësimit në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, të drejtat e njeriut, menaxhimin e turizmit, shkathtësitë e lidershipit në Shtetet e Bashkuara, Maltë, Gjermani, Belgjikë, Kroaci dhe Francë.
U zgjodh deputet në legjislaturën 2019-2021
Çeku u zgjodh deputet në legjislaturën 2019-2021 dhe gjatë kësaj periudhe ishte Kryetar i Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e privatizimit në Kosovë.
Anëtar i Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Infrastrukturë dhe Mjedis. Anëtar i Komisionit për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe Kthim.
Po ashtu ka qenë udhëheqës i Forumit për Transperencë Parlamentare, dhe pjesë e Grupit të Deputetëve të Gjelbër.
Përveç gjuhës amtare, flet gjuhën angleze, turke dhe serbe. Ai është i martuar dhe ka një vajzë./Telegrafi
*(Të dhënat për Çekun janë marrë në faqen zyrtare të Vetëvendosjes)