Historia e aktorit të mirënjohur, Mehdi Malkaj, është ajo e një djali të vuajtur por me shpresa e ëndrra të mëdha. Mjafton të përmendim që ka realizuar një prej këtyre ëndrrave, që ishte shkollimi për aktor, pas 10 vitesh nga dita që la shkollën e mesme.
Me thjeshtësinë e një djali nga Memaliaj, që ka arritur çdo gjë me punë, ai rrëfeu kohë më parë për Albanian Free Press, marrëdhënien me dijen, profesorët, regjisorët si dhe rolet që e bënë atë të njohur për publikun. Me adhurim për teatrin dhe aktorët e me keqardhje për vlerësimin e dobët të tyre nga shteti.
Nga një realitet në një qytet të vogël erdhët në Tiranë. Ndjetë boshllëk?
Kur erdha në arte e kuptova që isha me mangësi në kulturë. E kuptova me dhimbje por isha me këmbë në tokë. Kur erdha në orën e parë pata fat se kisha mësim me profesor Adriatik Kallurin. Isha pajisur me stilograf e bllok. Ai na pyeti secilin nga ishim e ç’kishim bërë. “Jam nga Memaliaj. Ku nuk kam punuar, mbi tokë e nën tokë, shofer, punëtor krahu, kam 13 vite pune.”-i thashë.
“Ti je miku im. Në daç mëso në daç mos mëso, i ke dhjetë lëndët e mia se ti ke paguar sigurimet për 13 breza.”-mu përgjigj ai.
Unë kapa rreshtin e parë të leksionit por më pas humba. Ai shqip fliste e nuk kuptova asgjë. Mbaroi mësimi e i thashë: “Më the që jam miku juaj. Kam ardhur të mësoj por jo të marr dhjetat. Fole një orë e gjysmë e nuk kuptova asgjë.”
Më mori e ikëm tek liqeni lart e nga ora 11 paradite e deri në 12 të natës ndenjëm aty e unë i tregova jetën time, tragjike por të bukur. “Ti Mehdi do fillosh të lexosh revistën Yllka, Fatosi, Pionieri se ty të mungon fëmijëria. Do të lexosh revistat artistike. Të paktën do lexosh të paktën 50 faqe letërsi serioze në ditë. E këtë do të ta siguroj unë. Duhet të lexosh Balzak, Tolstoi, Heminguei, gjigantët e njerëzimit.”
Unë i hyra seriozisht kësaj. Nuk flisja në leksion fare. Kisha shumë gjëra në kokë por nuk i kisha të organizuara. Një ditë, në fund të vitit të dytë, më erdhi goja e fillova të flas e nuk pushova më.
Sepse e mbushe magazinën…
Po. U bë dhe inventari madje. U bë dhe seleksionimi e më erdhi goja. Në lëndët e tjera ishim të barabartë. Por kisha mangësi. “Ti Mehdi je si një tren që ke lokomotivën dhe 20 vagonë të ngarkuar plot por kur ikën lokomotiva jote, nuk merr vagonë me vete pas se të mungojnë lidhëset, pra teoria. Shokët e tu kanë lokomotivën e një vagon por kur ikin e marrin atë vagon. Ata bëjnë punë të dobishme.”-më tha profesor Kallulli dhe ashtu ndodhi.
Filmi që ju bëri të njohur, “Përrallë nga e kaluara”, si ndodhi që morët pjesë?
Anagnosti është emër i madh. Vjen Ndriçim Daja e më thotë se më kërkonte Anagnosti. Mu prenë gjunjët. Vajta në Kinostudio. “Ti je ai. Do vish në Gjirokastër kur të të kërkojmë”-më tha shkurt. Nuk e dija fare çfarë më priste. Por kur do xhironim, ai atëherë pinte duhan të dredhur e më tha: “Dëgjo Mehdi. Çdo fshat e çdo qytet e ka një nga këta.
Këta janë si mazhordomë, hyjnë e dalin ku të duan, nuk u thotë njeri gjë. Po t’i largosh nga dasma të prishin dasmën, po ti largosh nga varrimet i bëjnë njerëzit të qeshin. Kije këtë parasysh. Ti hyn e del si të të dojë qejfi ty. Roli më vjen keq sepse u shkurtua. Por u pëlqye shumë në kinostudio në premierë dhe unë u gëzova shumë dhe e mbajta fort në zemrën time “Milo budallanë”.
Më pas ju shkuat në Estradën e Ushtarit…
Profesor Kadri Roshit i them se më mbajtën në Tiranë. “Ohoooo o cjap, të mbajtën se ke punuar nuk të mbajtën për sytë e bukur.” Por unë mendoja që student se duhet të isha pjesë e Teatrit Kombëtar se është një magji e madhe. Kadri Roshi më vinte nëntë e më thoshte “dhjetën ta vë vetëm spektatori”. Më pas ai erdhi në një nga shfaqjet ku kisha rol e pas shfaqjes, shumë i emocionuar më tha: “Tani e meritove dhjetën Mehdi!”.
Por rrugën e vërtetë jua hapi roli i “Xha Brahos”
Nuk do lodhem kurrë së falënderuari Koço Devolen. Më zgjati një dorë. Lexova skenarin dhe prisja të kisha ndonjë rol të vogël e përsëri do isha i kënaqur. Koço Devole më tha të lexoja skenarin e të shikoja rolin e një plaku. Kërkoja plakun se nuk mendoja që isha unë i caktuar për rolin e “Xha Braho-s”.
Nuk e gjeta plakun e rolit të vogël por thashë me vete se në prova do e flisja këtë problem. Vajta në televizion për prova e më thotë Koço: “Hë pra lexo atë plakun, Xha Brahon”. U lumturova. Kujtoj Vasillaq Vangjelin e ndjerë që pas dublit të parë më tha ta mbaja në atë profil të personazhit, siç e kisha bërë në dublin e parë.
E brenda një nate duke gdhirë viti i ri unë isha i njohur kudo. Dëgjoja njerëzit që nuk më dallonin që isha unë e flisnin për personazhin. Një kënaqësi e jashtëzakonshme. Por që më vuri në përgjegjësi të madhe. Sepse të ngresh emrin kaq lart duhet ta mbash aty më pas. Ka qenë një rol i mbarë, i bekuar për mua. Sot e kësaj dite në rrugë më flasin si “Xha Braho”.
Më thonë shpesh se sa shumë të ngjisin rolet ty Mehdi, së fundmi ma ka thënë dhe Ardit Gjebrea, gjatë një premiere. “Jo Ardit, kam punuar shumë që të ngjiten rolet tek unë.”-i thashë. Pra duhet shumë punë. Kam fatin që kam një kujtesë emocionale të madhe, të mbështetur fort nga qyteti im.
Takohesh ende me miqtë e fëmijërisë?
Po, flasim shumë bashkë, gjuajmë peshk bashkë, grindemi bashkë, qajmë hallet e diskutojmë problemet. Njësoj si dikur.
I ke ndarë rolet mes tragjikes dhe komikes. Kë preferon?
Unë shkoj drejt personazheve tragjikomike. Edhe kur nuk janë role të tilla, i çoj aty. Veten në provë më shumë e vura me një pjesë të Ruzhdi Pulahës, quhet “Babai”. Një dramë shumë e fortë tragjike. E lexova vetëm një herë e mu mbushën sytë me lot. E ka vënë në skenë Serafin Fanko.
Një baba që marton vajzën, dhëndëri del trafikant dhe i trafikon vajzën. Babai e mëson vonë, i vinin shumë para, bleu dhe lopë. E merr vesh një ditë e djeg shtëpinë. Merr rrugën të vriste të bijën. Në një lokal dy vajza e panë me shumë para dhe e provokojnë. Rreh njërën prej tyre dhe e fusin në burg. E donte shumë të bijën por dhe sedrën e tija.
Kur mbarova shfaqjen kam qenë shumë i lumtur e kam marrë shumë urime. Më ka ardhur një njeri me lot në sy e më tha: “Vajzën tënde ta kishe nuk do emocionoheshe deri këtu.” Unë përpiqem shumë për t’u bërë aktor, përpiqem shumë, nuk hyj te nazelinjtë, çdo rol e pranoj pa naze.
Të bëhesh aktor? Ju jeni aktor.
Por po të them që jam aktor, çfarë më ngeli pastaj për të bërë? Pra ajo gjyshja ime e vogla që na mbante në kurriz të tërëve prandaj na thoshte: “Mos arriç kurrë në majë!” Duket si mallkim por ajo na mësonte se unë sfilitem të arrij majën e nuk arrij dot, bie, ringrihem përsëri. Ndaj kujtoj shumë fjalët e të vjetërve të familjes. Teatri për mua është magji dhe bukuri. Është ëndrra ime e realizuar.
Ka një frymë së fundmi mes aktorëve që të rindërtohet Teatri Kombëtar. Pra ka një nismë për të ngritur zërin për teatrot, edhe nëpër rrethe. Keni ju një mendim?
Teatri që nga Greqia e lashtë është siç thotë një filozof francez: “Në periudhën e demokracisë athiniote, artistët ishin njerëzit më të respektuar dhe nderuar. Ishin dhënësit e ideve.
Në periudhën e perandorëve romakë u kthyen thjesht në mjet argëtimi. Sot, mendohet si athiniotë por veprohet si romakë.” Domethënë duhet rregulluar se çfarë jemi ne, sa vlera kemi ne për shtetin, çfarë do të thotë institucioni i Teatrit Kombëtar, që është i shenjtë.
Ka një skenë tek Shekspiri, nga Hamleti, ku thuhet: “Thonë se dy hajdutë pasi panë një shfaqje teatri u dorëzuan vetë në polici.” Pra arti, teatri, ka avantazhin e fjalës, e kupton edhe i shkolluari edhe i pashkolluari. Destinacioni është të edukojë e fisnikërojë popullin e tij. Po nuk e kuptoi shteti këtë, nuk kemi gjë në vijë.
Në mars mbushët 67 vjeç (kur u realizua intervista)….shumë prej tyre në skenë..
Të gjithë artistët janë fëmijë, se po të mos ishin fëmijë nuk do ishin artistë. Dashurojnë me pasionin e një fëmijë. Unë kam dalë në pension dhe marr 30 mijë lekë pas 40 vitesh në punë, me një jetë ndryshe.
Pse një artist duhet të fshihet për të pirë një kafe me shokët e tij? Sa artistë janë vallë? Po ua rriti pensionin shteti vallë kaq shumë varfërohet? Po le të mos blejnë një tank. Është turp, është vërtetë e turpshme.
Nuk mund të futen të tërë në një thes. Ne kemi tjetër destinacion. Të gjithë artistët janë shenjtorë, me gjithë kusuret e tyre. Unë kështu e mendoj e më dhëmb shumë kjo pjesë.
Intervistoi për Albanian Free Press, Juela Meçani
——————-
Lexo edhe:
Roza Anagnosti, aktore e shquar e Teatrit Kombëtar dhe kinematografisë shqiptare
ObserverKult