Në Ditën Ndërkombëtare të Librit për Fëmijë, i biri i Mitrush Kutelit, Pandeli Pasko ka ndarë me Qendrën e Botimeve për Diasporën mbresa tejet të veçanta lidhur me ngjizjen dhe daljen në dritë të veprës “Tregime të moçme shqiptare”, transmeton ‘diasporashqiptare.al’.
Ja si shprehet Pandeli Pasko në lidhje me këtë projekt:
“Libri “Tregimet e moçme shqiptare” i Mitrush Kutelit e arriti qëllimin e vet: ju ngjalli dashuri për Shqipërinë brezave të tërë.
Për këtë arsye botimi i 10 tregimeve të këtij libri në 5 gjuhë të huaja, në një kohë kur qindra mijë fëmijë shqiptarë po jetojnë jashtë atdheut, është me të vërtet një veprim i lavdërueshëm dhe njëkohësisht barrë e nderuar për përkthyesit.
Si dëshmitar dhe nga lexuesit dhe “diskutuesit” e parë të këtij libri, në dorëshkrim apo në fletë të daktilografuara me shënime me stilograf ose me laps, së bashku me motrat e mia, kemi ndjerë ngazëllim të madh kur ky libër na erdhi në shtëpi. Tërë ato libra që patën ndenjur gjatë mbi tryezë me “Këngë Legjendare”, “Folklor shqiptar”, “Folklor arbëresh”, “Visaret e Kombit” e të tjera, si në një proces alkimie Kuteli i pati distiluar për t’u dhënë fëmijëve ushqimin shpirtëror për të cilin kishin aq shumë nevojë”.
“Ky libërth i vogël në dukje, ishte fryti i dashurisë të madhe për gjuhën shqipe, për historinë e saj dhe aty bënin pjesë edhe mundimet reale të Kutelit: ai mund t’i kushtohej tregimeve vetëm mbasi të mbaronte normën e përkthimeve. Vetëm një njeri sistematik dhe me kulturë të gjerë mund ta ndante kohën në këtë mënyrë. Dhe madje edhe të gjente kohë e të na i tregonte ne…”
“Këtë proces krijimi e ka rrëfyer me vërtetësi të madhe vetë babai, kur ne i kërkonim të na tregonte përralla “të padëgjuara e të palexuara” dhe si thotë vetë …” për ta përgatitur këtë vëllim, unë mora një udhë tjetër: hyra punova e vola një vresht të huaj, të madhe, të harlisur: vreshtën e popullit tonë, dua të them folklorin tonë të begatë, me hardhi shqiptare, të mbjella apo të shartuara nga gjyshstërgjyshët tanë. Kofinën e parë të mbushur me rrush të tillë po ia kthej përsëri popullit tonë, dua të them, fëmijëve tanë, pronarëve të vërtetë të tyre”.
Edhe shtysa e çastit pat qenë në suazën familjare: joshja magjike për të dëgjuar në radjo këngën e njohur arbëreshe ‘O lule, lule..’.
Por (dhe këtu vijmë përsëri në rëndësinë e këtij botimi 5 gjuhësh), Kuteli e pat ndjerë etjen për fjalën shqipe në mërgim: …ngjarja e asaj dite, kur të katër fëmijët vërshuan në dhomë nga dritarja për të dëgjuar këngën arbëreshe, më ngjalli diçka që rrinte e përgjumur në zemrën dhe mendjen time. Vjete të tërë – dhe këta s’janë të pakët – por plot njëzet e dy – të kaluar jashtë vendit, në mërgim, kisha pasur në krye të shtratit që të m’i shohë gjithnjë syri dhe të m’i zërë dora sa më lehtë, përmbledhje të ndryshme të folklorit shqiptar, duke filluar me ato të arbëreshëve e duke vazhduar me këngët e kreshnikëve dhe i lexoja sidomos natën për të nxjerrë mallin e Shqipërisë, për të mos u shkëputur nga fjala e ëmbël e shqipes, që duket edhe më e dhembshur jashtë. Këngët tona të moçme që më gumëzhinin gjithnjë në mendje më jepnin një ndjenjë të çuditshme: sikur hyja thellë në atmosferën e moçme të Shqipërisë”.
Falë Qendrës së Botimeve për Diasporën, tashmë ky libër fort i njohur në viset rreth Shqipërisë të banuar nga shqiptarë e që Kuteli i quante “Shqipëria e jashtme”, pritet të kapërcejë të tjerë kufij nëpër botë, atje ku tashmë jeton një Diasporë fort e madhe, nga më të mëdhatë në botë krahasuar me numrin e banorëve në Shqipëri.
Jam i sigurt se këto botime dygjuhëshe jo vetëm që do të joshin vogëlushët shqiptarë drejt mësimit e shijimit të gjuhës amtare, por do të ngjallin kureshtje edhe tek fëmijët edhe publiku i huaj. Dhe më tej, në kërkimin e rrënjëve të këtyre tregimeve, në leximin e folklorit mahnitës shqiptar, kryesisht në dialektin gegë, në të cilin janë ngjizur, ashtu siç ishte edhe porosia e vetë Kutelit”.
LEXO EDHE: “Tregime të moçme shqiptare” vijnë në botimin dygjuhësh shqip-frëngjisht