Koka 2000-vjeçare e një statuje prej mermeri e Perandorit të parë të Romës, Augustus, u zbulua në Isernia, një qytet në krahinën e Molizes në Itali.
Arkeologu Francesco Giancola ishte personi i cili bëri zbulimin e jashtëzakonshëm, teksa po punonte aty për të restauruar muret mesjetare të qytetit, të shkatërruara nga një rrebesh shiu i vitit 2013.
“E kuptova menjëherë që ishte koka e statujës së Perandorit Augustus, për shkak të modelit të flokëve dhe formës”, tha ai për CNN.
Sipas arkeologëve, statuja duhet të ketë qenë rreth 2 metra e lartë dhe është bërë me të njëjtin lloj mermeri që është përdorur në epokën e Rilindjes. Koka 35 centimetra e lartë mendohet të jetë krijuar diku në periudhën e vitit 20 para erës sonë dhe vitit 10 pas erës sonë, sipas Maria Diletta Colombo, arkeologe italiane, transmeton ‘a2news.al’.
“Është një statujë e rëndësishme, por nuk e dimë si ka përfunduar aty”, tha ajo për CNN. “Mund të ketë qenë vendosur në ndonjë tempull kushtuar kultit të familjes perandorake, ose në ndonjë forum”.
Kush ishte Augustus?
Sundoi si Perandor i Romës nga viti 27 para erës sonë deri në vitin 14 pas erës sonë.
I lindur Gaius Octavius Thurinus në vitin 63 para erës sonë, ai vinte nga një familje e pasur romake ndërsa Jul Çezari ishte xhaxhai i nënës së tij.
Pas vrasjes së Çezarit ai ndau sundimin e vendit me Mark Antonin dhe të tjerë, por më pas i mundi në betejë të gjithë duke u shpallur “de facto” autokrat. Edhe pse nuk e pëdori kurrë titullin “Perandor”, ai konsiderohet gjerësisht si Perandori i parë i Romës.
Augustus zgjeroi territoret e Perandorisë, duke aneksuar Egjiptin, Dalmacinë dhe krahina të tjera.