Posa ka dalë në qarkullim numri i parë për këtë vit i revistës letrare të traditës “Jeta e re”. Revista fillon me një ligjëratë të shkrimtarit anglez, Neil Gaiman, me titullin “Pse e ardhmja jonë varet nga biblioteka, leximi dhe ëndërrimi me sy hapur”, kurse rubrika e prozës me shkrimtarin Ibrahim Kadriun – “Me zhurmën e trenit mbi binarë “, për të vazhduar me “Tregime të lumtura” të Sali Bashotës, “ Heshtja e përkthyesit” të Avni Alisë, “Njëmbëdhjetë orë në qiell” të Aziz Mustafës, “Gruaja tjetër” të Sherwood Anderson-it, “Pushimet e Bernardo Soaresit”, “Natë e një ëndrre të mes dimrit”, “Erdhi doktor Pereira” të Antonio Tabucch-it dhe “ Sinesi i Rodit” të Juan Jose Arreola-s.
Rubrika e poezisë nis me një cikël poetik të Kujtim M. Shalës, për të vazhduar me Halil Matoshin, Arben Idrizin, Linditë Ahmetin, Arif Kutleshin, nobelistin Seamus Heaney, Jules Renard dhe Jevrem Bërkoviq.
Në rubrikën qendrore të revistës Dossier, në një hapësirë prej gjashtëdhjetë faqesh, është prezantuar Bioi Kasares, një nga shkrimtarët më të njohur jo vetëm argjentinas, mik personal dhe letrar për jetë i Borhesit. Rubrika fillon me një shkrim emocional dhe mjaft tërheqës me titullin “Bioi Kasares: Një kujtim i shkurtër” të shkrimtarit spanjoll Martin Kasariego, një adhurues i madh i veprës së këtij shkrimtari, për të vazhduar me tregimet: e Kasaresit “Në kujtim të Paulinës”, “Të sprasmet”, “Kati i fundit”, “Shpëtimi”, “Çështja e plakushëve fluturakë”, ”Francezja”, “Vigjilja e Faustit” dhe “Margarita dhe fuqia e farmaceutikës”. Kjo rubrikë përfundon me shkrimin mjaft impresionues “Adolfo Bioi Kasares: trillimi joshës” të Ema Rodriguez-it dhe me një intervistë gjithashtu mjaft interesante të Kasaresit.
Te rubrika e kritikës vijnë tre autorë tashmë klasikë: Erich Auerbach me teksin “Sheja e Odiseut” (vijon nga numri i kaluar), Hans Robert Jauss me “Teoria e zhanreve dhe letërsia mesjetare” dhe Aleida Asmann me “Kanoni dhe arkivi”. Nga autorët tanë kemi “Kena e poezisë” të Arsim Canollit, “Simbolika e kodit të ligjërimit në poezinë e Kujtim M. Shalës” të Gentiana Bajramit Atashit, “Refleksione meditative mbi harresën” të Rifat Ismailit, “Romani Oh i Anton Pashkut” të Agnesa Beqirit, “Midis përrallores dhe reales” të Ballsor Hoxhës. Ndërkaq, me tekste në këtë rubrikë janë paraqitur për herë të parë edhe dy studiuese të reja: Rrezarta Morina me tekstin “Romani për Kosovën” dhe rrafshet esenciale të tij midis faktit historik e fiksionit” dhe Eriola Çoçaj me “Janusi qindfytyrësh i Tufës përballë Janusit dyfytyrësh të Poussin-it”.
Përkthyesit që kontribuuan në këtë numër janë: Erion Karabolli, Alket Çani, Arben Idrizi, Azem Qazimi, Alfred Beka, Arta Hallaçi, Ilir Breca dhe Qazim Muja.
ObserverKult
.