Shoqata e Arkitektëve Shqiptarë promovoi botimin e librit “Fragmente të arkitekturës bashkëkohore shqiptare”, duke e shoqëruar edhe me një ekspozitë te “Reja” në Tiranë. Arkitekti Armand Vokshi rrëfen se këto vepra të pesë viteve të fundit tregojnë gjendjen e arkitekturës sot në Shqipëri.
Libri “Fragmente të Arkitekturës Bashkëkohore Shqiptare” i Armand Vokshi dhe Nesila Hajdini bën bashkë 42 projekte të pesë viteve të fundit të arkitektëve shqiptarë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut edhe Mali i Zi.
“Veprat që shihni janë të pesë viteve të fundit dhe përfaqësojnë tre gjenerata arkitektësh edhe një shumëllojshmëri funksionesh apo tipologjish ndërtimore, por tregojnë edhe një panoramë të arkitekturës në Shqipëri”, rrëfen Armand Vokshi.
Zhvillimi arkitekturës bashkëkohore i realizuar në territoret shqiptare përfaqësohet përmes veprave të ndryshme, që sipas Vokshit, rrëfejnë frymën e kohës në të cilën po jetojmë.
“Gjendja e këtyre objekteve është me hapin e kohës, njësoj me atë hap që janë kolegët tanë të arkitekturës jashtë vendit, ndërsa e dyta të qenurit miqësor ndaj vendit ku po ndërtohen. Së treti, organizimi, gjuha arkitektonike edhe shumë elementë të tjerë, që lidhjen me pjesën e tyre arkitektonike”, thotë Vokshi.
Vila, shkolla, objekte banimi, qendra tregtare, zyra, hotele e deri te objektet industriale, sipas arkitektes Nasila Hajdini, pavarësisht funksionalitetit kanë një qëllim të njëjtë, koncept e frymë inovative.
“Ne kemi përzgjedh atë arkitekturë që flet për kohën që ne jetojmë. Duke u bazuar te cilësia e projekteve, që janë realizuar nga arkitektë shqiptarë”, shprehet arkitektja Nasila Hajdini.
Ndërsa, sa i përket zërit së arkitektit në një projekt, arkitektja rrëfen se ata mundohen që të jenë prezentë, pavarësisht ndikimit të politikave.
“Arkitektët e rinj janë shumë prezentë, edhe janë të aftë që të imponojnë zgjedhjet e tyre qoftë në zgjedhjen e materialeve, volumit, planimetrisë edhe gjithçkaje tjetër që ka të bëjë me arkitekturën”, përfundon Hajdini.
Botimi u shoqërua edhe me inaugurimin e ekspozitës, që do të qëndrojë hapur deri në 16 maj te intalacioni “Reja”./shqiptarja.com