Orhan Pamuk lindi në Stamboll më 1952 dhe u rrit në një familje të madhe të ngjashme me ato që përshkruan në romanet e tij Xhevdet Beu dhe të Bijtë dhe Libri i Zi, në lagjen e pasur dhe me tendenca perëndimore Nisantasi.
Ashtu siç shkruan në librin e tij autobiografik, ‘Stambolli‘, nga fëmijëria deri në moshën 22-vjeçare ai iu përkushtua në përgjithësi pikturës dhe ëndërroi të bëhej artist.
Pasi u diplomua nga shkolla laike Kolegji Amerikan Robert në Stamboll, ai studioi Arkitekturë për tre vjet në Universitetin Teknik të Stambollit por pastaj e braktisi kursin dhe hoqi dorë nga ambicia për t’u bërë arkitekt dhe artist.
Ai u diplomua në gazetari nga Universiteti i Stambollit, por nuk punoi kurrë si gazetar.
Në moshën 23-vjeçare Pamuk vendosi të bëhet shkrimtar dhe duke hequr dorë nga çdo gjë tjetër, u tërhoq në apartamentin e tij dhe filloi të shkruajë.
Ndër romanet e tij më të famshme dhe i cili është përkthyer në shumë vende të botës është edhe “Muzeu i pafajësisë, një fragment nga i cili mund ta lexoni më poshtë:
Nga Orhan Pamuk:
“…Dhimbjet e dashurisë së vërtetë zënë rrënjë në thelbin e ekzistencës sonë, na mbërthejnë fort në pikën tonë më të dobët dhe duke u ngërthyer me dhimbjet e tjera, degëzohen dhe shtrihen në të gjithë trupin dhe jetën tonë asisoj, sa është e pamundur t’i vesh fre.
Te të dashuruarit e pashpresë, kjo dhimbje mund të provokohet nga çdo ngjarje, nga vdekja e babait që është tejet dëshpëruese, por edhe nga një fatkeqësi e rëndomtë, siç është humbja e çelësit, me një fjalë të gjitha ngjarjet e tjera që të lëndojnë, çdo problem apo shqetësim mund të ngacmojë.
Ai që vuan e lëngon për hir të dashurisë, sikurse unë, mendon se të gjitha vuajtjet e tjera do të marrin fund po të mbarojnë brengat dashurore, por kështu, pa e kuptuar, i thellojnë edhe më shumë plagët e shpirtit…”
E përgatiti: K. B.- ObserverKult
Lexo edhe:
ORHAN PAMUK FOLI PËR “MUZEUN E PAFAJËSISË”: TË GJITHË KEMI NEVOJË PËR HISTORI TË MËDHA TË DASHURISË…