Kush është autor i tekstit të këngës “Këngë moj”, pse “Vizion Plus” nuk e përmend?

Sonte ndava pak çaste që ta kujtoj mikun tim të ndjerë, poetin bohem Nehat S. Hoxha (1951-2017), i cili në fund të viteve shtatëdhjetë, shkroi këngën me titull „Këngë moj“ muzikën e së cilës e bëri kompozitori Musa Piperku ndërsa e këndoi Besnik Krajku.

Nga Faruk Tasholli

Që atëherë kjo këngë u bë një hit i kohës, ndërsa shumë vite më vonë u bë titull i një spektakli muzikor, në Televizionin „ Vizion plus“.
Por në spektaklin muzikor të përjavshëm në „Vizion plus“ nuk kam dëgjuar të përmendet autori i titullit të këngës Nehat S. Hoxha nga i cili rrjedh edhe titulli i emisionit. Përtej kësaj, Nehat S. Hoxha ishte autori i disa librave poetikë, përkthyes i dhjetëra librave nga letërsia botërore dhe po ashtu, autor i shumë vargjeve të këngëve.
Sa herë përmendet titulli „Këngë moj“ ma sjell në kujtesë mikun tim Nehat S. Hoxha. Në spektaklin e sontëm të këngës epike, ku morën pjesë shumë këngëtar nga jugu në veri, po e përmend unë këtu, pasi gjithë ata këngëtarë apo udhëheqësja e emisionit, e harruan krijuesin e këngës që ia morën titullin.

NEHAT S.HOXHA: KËNGË MOJ


Këngë moj ti merre dhenë
Kush ta di moj ty folenë
Mos më rri ti e ngujuar
Shëroj shpirtrat e helmuar
Hej, hej, hej, hej, hej, hej.

Këngë moj buçit në male
Dhe barinjtë le të hedhin valle
Edhe qingjat le të blegërojnë
Kur bilbilat të këndojnë, o hej.

Këngë moj ti thuaja lartë
Mallëngjim djalli t’a marrtë
Këngë moj na mbush me gëzime
Se n’ty shpirit gjen ngushëllime
Hej, hej, hej, hej, hej, hej.

Këngë moj buçit në male
Dhe barinjtë le të hedhin valle
Edhe qingjat le të blegërojnë
Kur bilbilat të këndojnë, o hej.

ObserverKult