Edison Ypi: Shetiteni Shqipërinë, pa aspirina, shami lotësh…

filmat shqiptar shami edison ypi


Shetiteni Shqipërinë.
Pa aspirina, paracetamola, antidepresiva. Me të tilla prishet magjia.
Dhe pa shami lotësh. Ku laget syri dhe hallakatet mendja, lotët fshihen vetëm si ka thënë Murgu; Me duar.

Nga Edison Ypi

Do shihni kodra të bukura dhe fusha të mbjella rrethuar nga korije si bizhu’ të jeshilta me tu deh syri dhe me të ikë mendja.
Do kaloni mes malesh të egër që do j’u kallin frikën këndshëm.
Do bëni foto mbi liqere të kaltra ku në muzg pasqyrohet Hëna.
Do flisni me fshatarë që do j’u tregojnë halle me ndërlikime të pa besueshme, por të vërteta.
Do kuvendoni me vejusha veshur me të zeza që do j’u tregojnë për burrat e vrarë për hiç gjë me një mijë mënyra.
Do futeni në Kisha të vjetra me mure me myshk, rrethuar me qipariza dhe vorreza ku natën lëvizin fantazma.
Do hyni nëpër shtëpira ku, të përkulura me tabaka në dorë, gotën me dhallë do t’ua sjellin katundarka që nënqeshin si Monaliza.
Do kuvëndoni me pleq me sy të thellë dhe rrudha, veshur me xhaketa dhe kapele të vjetra, që nuk duan të dinë sa është ora, dita, data, viti, shekulli.
Duke ikur e duke fshirë lotët me duar, do konstatoni se udhëtimi nëpër Shqipëri, s’ka asgjë nga ngrënia, ngopja, gromësima, por vetëm dehja.
Në veri do shihni shqiptarë të egër dhe të hapur që e kanë po aq të lehtë t’ju vrasin në çast, sa edhe t’ju bëjnë mik për kokë.
Në jug do jenë më të butë dhe më të mbyllur. Por edhe ata, për të njëjtat arësye, j’a do t’ju bëjnë mik për kokë në çast, j’a do t’ju vrasin në vend.
Do kaloni nëpër fshatra të internuarish ku ka ende rreckamanë të shfytyruar shpresë humbur, jetët e përçudnuara të të cilëve vazhdojnë të rrotullohen pafund nëpër spiralet konfuze të fatit të tyre të zi më çmendurisht se gjethet e vjeshtës kur i merr era.
Në një lokal që quhet “Bar Hardhija”, do hani kos që pritet me thikë.
Mbi derën e një dyqani katundi që shet kripë, sheqer, oriz, litarë, zinxhirë, kova, legena, shapka, hekurishta, do shihni një copë letër ku është shkruar; “Ofrojmë matje tensioni”.
Në Myzeqe do takoni një blektor që rrit buallica qumështin e të cilave e nis për ta shitur me aeroplan në Londër.
Nga Belshi, përmes Dumresë së magjishme, gjatë një rruge që të shpje në Kuçovë, që ju nuk e dini fare se ajo rrugë ekziston, do pini kafe me ca tipa të cilët kohën kur kanë bërë ushtrinë në diktaturë e mbajnë për periudhën më të ndritur të jetës.
Në një vend të hatashëm plot liqere dhe lëndina, një fytyrëvrerosur mbi një Benz të madh, do tu ankohet me zë rënkimtar se bën disa biznese agroblegtorale, dhe e mbajnë për më të pasurin, por në fakt është më i varfëri, se u ka miliona borxh bankave.
Duke kaluar pranë qyteteve, do shkriheni tue u qesh kur në ekranet e celularave do u çfaqen WIFI me emra si; “TofikuNet”, “HajdariCom”, “MuhametiMobile”.
Gjatë kësaj shetitjeje ju nuk do më thoni mua “ule zërin”. Unë do bëj si di. Shqiptarët anës udhës do ti mahnis duke u thirrur me sa kam në kokë. Të bërtiturën e kam ngritur në Art.
Pas kësaj shetitje, si gjithmonë, ju do flisni unë do bëj sikur s’kuptoj, ju do mburreni unë do bëj sikur s’dëgjoj. Veç një gjë harrojeni; që ju të gënjeni, unë t’ju besoj.

ObserverKult