“2 luanë drejt Venecias” titullohet filmi më i ri shqiptar me regjisor Jonid Jorgji, i cili u shfaq premierë mbrëmjen e djeshme në amfiteatrin e Tiranës.
Në qendër të ngjarjes janë dy kineastë shqiptarë rreth të 60-tave, të cilët kanë marrë rrugëtimin për në festival të Venecias me filmin e tyre.
Rrugëtimi i tyre kalon me një sërë situatash e të papriturash nga Bari drejt Venecias. Situata, të cilat ndryshojnë dhe botëkuptimin e personazheve.
Qytetarët e pranishëm në premierën e filmit ndoqën me interes aventurën e dy miqve në shtetin fqinj.
Aktorët Vasjan Lami dhe Kastriot Çaushi interpretojnë dy personazhet kryesorë, ndërsa interpretojnë edhe Luli Hoxha, Marjana Kondi, Albana Sançolli, Armand Xhuli, Alessandra Bonarotta, Dario Frappampina, Erjon Hodo, Grei Dajlanaj, Arjeta Dhima, Alfred Zeneli, Marjetina Gjoni, Alesia Xhemalaj, Luan Aliu, Kliti Roshi, Vilson Gjonçaj, Roerd Toçe.
Sipas regjisorit Jonid Jorgji pjesa më e madhe e ngjarjeve janë të vendosura në Itali, ndërsa pjesa tjetër në Shqipëri. Ky film për nga cilësia e imazhit, loja e aktorëve dhe niveli i produksionit nuk ndryshon aspak nga filmat e ekraneve të kinemave prestigjioze evropiane apo amerikane./ATSH