Ansambli folklorik i Dibrës vlerësohet me titullin “Naim Frashëri”

Ansambli kulturor “Hazis Ndreu” i Dibrës është vlerësuar me titullin “Naim Frashëri” për rolin e pazëvendësueshëm të transmetimit të vlerave dhe traditave kulturore kombëtare te brezat e rinj.

Gjatë nje ceremonie organizuar në Presidencë kreu i shtetit Ilir Meta dekoroi presidentin e Ansamblit dibran me Titullin “Mjeshtër i Madh” Muharrem Gjoka, me motivacionin “Në vlerësim të veprimtarisë dhe mbështetjes së shumanshme në lartësimin kulturës kombëtare, vlerave atdhetare, folklorit dhe muzikës popullore shqiptare, veçanërisht asaj dibrane, si dhe të kontributit të veçantë në zhvillimin dhe përparimin e vendit”.

Gjithashtu u dekorua dhe koreografi i shquar Avni Ndreu “Me mirënjohje për kontributin e spikatur në krijimin dhe drejtimin artistik të ansamblit ‘Hazis Ndreu’. Në vlerësim të talentit krijues e interpretues si dhe veprimtarisë së shumanshme organizative, me të cilat i ka shërbyer lartësimit të folklorit, etnografisë, valleve dhe kulturës popullore shqiptare dhe veçanërisht, asaj dibrane.”

“Sot ne dekorojmë edhe vetë ansamblin me emrin e pavdekshëm ‘Hazis Ndreu’, këtë grupim artistësh të talentuar, që ka lënë kaq shumë gjurmë dhe ka fituar kaq shumë çmime brenda dhe jashtë vendit.

Më lejoni t’ju uroj për këtë ditë të veçantë në jetën tuaj, por edhe t’ju përgëzoj për atë rol të pazëvendësueshëm që keni luajtur dhe vazhdoni ta bëni, si përçues dhe frymëzues për brezat e sotëm dhe për ata që do të vijnë!

Arti mbi të gjitha është pasion dhe mision, të cilin ju e keni kryer me shumë përkushtim dhe me shumë atdhedashuri!”, është shprehur Meta./diasporashqiptare.al

LEXO EDHE: Ansambli “Mati” fitues i çmimit të parë në festivalin “OPOJA Vallëzon”