Dritë Ruhani, romani “Lamtumirë”, botuar nga SAS, 2021
“Mos u pikëlloni për ikjen time! Unë dua që ju të flisni për mua, për momentet ku jemi krenuar dhe për ditët kur kemi qeshur së bashku!” Koko Qenushja (2013 – 30.11.2020)
Nga Dije Demiri Frangu
Letërsia botërore, ka vepra kur qeni qan pronarin e humbur, edhe kinematografia ka filma kur njeriu është i privilegjuari i qenit, por jo edhe kur qentë kur vuajnë dhe qajnë mikun e tyre të humbur, si në këtë rast- qenushen Koko.
Kujtimet që renditen në romanin për fëmijë Lamtumirë të Dritë Ruhanit, nuk janë kujtime autoriale, janë kujtime miqsh që bëhen për miken e tyre të dashur, Kokonë. Kujtimet janë në formë ligjëratash, rrëfimesh, mbi përvojën e tyre jetësore me personazhin Koko, një personazh që është personifikim i të mirës, i vlerës morale dhe i besnikërisë. Rrëfimet bëhen pas pësimit të një aksidenti të Kokos, i cili përfundon me vdekje, pas një gjendjeje të gjatë kome (gjendjen kome e kemi në veprën paraprake Në Koma (2020), dhe romani Lamtumirë del të jetë vazhdim i romanit Në Koma dhe një vazhdim që nga romani i parë i saj Dëshira e qenushes KOKO, kështuqë romani ndërtohet përmes një retrospektive të vazhdueshme me rrëfimet mbi jetën dhe të bëmat e Kokos (Koko i shpëton jetën një vogëlusheje, pronares së tij). Rrëfimet janë me plot vaje, tone elegjike, gjë që e bëjnë romanin mjaft lirik, derisa jeta e Kokos del të jetë shumë dramatike. Rrëfimet që bëjnë të dashurit e Kokosë, ngrehin lart moralin e këtij qenushi, e bëjnë një qenushe unikale, të veçantë me jetën dhe me sjelljen, ndaj ky roman ndërton moral edhe tek lexuesi, i cili do të jetë tërë kohën i prekur për humbjen e një qenie të tillë. Thjeshtë, këto rrëfime ndërtojnë portretin fizik e posaçërisht atë shpirtëror të një qenie si ishte Koko. Sakrifikimin për tjetrin, lirizmi e dramatikja e rrëfimeve, ta sugjerojnë një atmosferë baladash, duke të lidhur me leximin e veprës. Personazhet si Goldi, Syrrushi, Ora, Boksieri, Dalmatini, Lala, Dua e tj që rrëfejnë, që kishin bashkëjetuar me Kokon, që kishin histori të përbashkët me të dhe në mënyrë detajore e flasin jetën e tij, bëhen po aq të dashur për lexuesin për shpirtrat e tyre të ndjeshëm ndaj Kokosë. Rrëfimet autorja i bën fort bindëse, dhe paralelizmi që krijon me jetën njerëzore pas një vdekjeje-humbjeje të një të dashuri, humb kufirin mes veprës për fëmijë dhe ndërton faktin që kjo letërsi, kur krijohet mirë, duhet të lexohet edhe nga të rriturit. Këto rrëfime-kujtime, na zhveshin nga dallimet që mund t’i kenë qeniet e ndryshme mes vete. Dhembja është universale vetëmse shprehet në forma të ndryshme. Rrëfimet zbërthejnë jetën emocionale dhe fizike të qenushës Koko por edhe të shokëve të saj, realisht autorja merret me botën, psikologjinë e karakterin e tyre, pikërisht përmes rrëfimeve të tyre.
Romani është i ndërtuar nga tregimet që lidhen narratorja i lidh bukur si epizode filmi. Pjesa e parë Lamtumirë Koko, është një hyrje në atmosferën e humbjes së Kokos. Autorja bën këtë përshkrim me nota të ngrysura që paralajmëron një situatë të nderë, si: Qielli i hirtë, pas ikjes së Kokos në gjumë pa zgjim, u rrudh e u mbush me re shpresash të avulluara të qenve për shpëtimin e saj. Nga çdo rrudhë pikonte pikëllim. Një pikëllim, i heshtur dërrmues, që me një goditje i shtyri qentë, fytyrëngrysur, të tërhiqen nëpër kënde të shtëpisë. Ata nuk lehën, as ulërinë. As afër saj, as me njëri-tjetrin. Aty-këtu iu dilte ndonjë dridhje e tingullt që tregonte se janë të stresuar.(f.5) Natyrisht, lehja e tyre është Lehje pikëllimi- thotë autorja, për të fuqizuar atmosferën e ngjarjes.
Koko, duke qenë personazh nga vepra e parë e autores Dritë Ruhani, nxit kurreshtjene kthimit tek veprat e para të autores, që t ‘krijohen imazhet sa më të plota për këtë qenie të rrallë. Koko në fillim, është një qen udhe që nis jetën e vet më normale pas adoptimit në një familje. Njoftimi i fëmijës me Kokon është njoftim me krijimtarinë e autores, me romanin e saj të parë, por edhe me romanin që mban titullin sinjalizues, titullin që bën një thirrje dhe që ngërthen një protestë –Mjaftë më, ku autorja paraqet një luftë për mbrojtjen e të drejtave të qenve. Kështu, autorja ndërton një kronologji jete të heronjve të saj dhe derisa Koko lind si personazh në romanin e parë në romanin e 12 të autores –Lamtumirë, bëhet objekt kujtimesh, ndërsa në romanin paraprak, atë të 11 (Në Koma, 2020), qenushja bën aktin e saj heroik. Këto kujtime, të shfaqura përmes diskursit letrar nga autorja, nxjerrin një lloj biografie të Kokos përmes miqve dhe anëtarëve të familjes së Kokos, të cilët përmes evokimit të situatave që kishin kaluar së bashku, ndërtojnë edhe një rrëfim –për tërë jetën që bëjnë qentë. Secili prej miqve përshkruajnë me nota të buta, me një nostalgji e me një kontinent emocionesh të sinqerta, si një qen hero që viktimizohet për hir të vogëlushes e cila duke shkuar në teatër, rrezikohet nga një vozitës i pakujdesshëm që flet në telefon gjatë vozitjes dhe Koko hidhet para kerrit që ta shpëtojë Albanën….Koko ishte një qenushe me një zemër të artë, një natyrë e butë e dashur, ndaj s’mund ta shihte miken e saj Albanën nën rrotat e një veture. Duke bashkudhëtuar në veprat e kësaj autoreje të veçantë me jetën e Kokos, njeriu që nuk ka një qen në shtëpi-pendohet e sidomos fëmija që rritet pa qen del të jetë i mangët.
Ky roman ka vlera estetike e pedagogjike, krahas një arsenali njohurish për qentë dhe botën e tyre. Duke dëgjuar rrëfimet- memoriale mbi Kokon, fëmijës i krijohet përceptimi për mendimin pozitiv mbi jetën, për vlerat morale, për humanizmin, guximin e duresën, bukurinë e jetës sfiduese përmes një qenusheje të përsosur e që ka një botë të jashtëzakonshme, me reflekse guximi pa ndonjë kufizim në besnikërinë ndaj pronarit. Në këtë mënyrë, autorja sakrifikimin e Kokos për pronaren e zhvillon si një vlerë morale, duke sugjeruar këto vlera për njeriun, i cili të shpeshtën është egoist dhe jo çdo herë për hir të dashurisë sakrifikohet. Gjendja e gjatë në koma e Kokos, përmes së cilës gjendje ajo bëhet pjesë e Galaksisë, duke bërë një jetë të dyfishtë (në tokë në koma dhe paralelisht vëzhguese në Galaksi), lexuesi sikur lexon dy romane në mënyre paralele, në të njëjtën kohë. Romanet e Dritë Ruhanit për fëmijë, janë të zhanrit fantastik sidomos me elemente krejt fantastiko-shkencore është romani Në koma, si romani i parë i tillë i shkruar në letërsinë shqipe për fëmijë në Kosovë (në Shqipëri është i njohur romani i B.Dedjes-Planeti i kuq e tj.)
Konkluzioni ynë mund të jetë se veprat e kësaj autoreje, duhet lexuar si kolanë në vete, ato kanë një subjekt kontinuel me njësi teamtike të larmishme. Modelet e romaneve tona të deritashme sfidohen seriozisht nga veprat e kësaj autoreje. Thjeshtë, janë vepra që pasurojnë bukur letërsinë tonë për fëmijë.