Tregim nga Murakami: Vajza 100 % e përkryer

Haruki Mukarami tregim vajza e perkryer

Nga Haruki Murakami

Në një mëngjes të bukur prilli, në një rrugë anësore të lagjes Harajuku, kalova pranë një vajze 100 % të përkryer.


Nuk ishte ndonjë bukuri e madhe. Dhe as tmerrësisht elegante. Flokët mbrapa kokës i kishin marrë një formë të shëmtuar duke fjetur dhe, duhet të ishte afër të tridhtjetave. E megjithatë që kur ishte pesëdhjetë metra larg e kisha kuptuar që ishte vajza e përkryer për mua. Që në çastin që e pashë zemra nisi të më rrihte si e çmendur dhe nga brenda goja m’u bë si rëra e shkretëtirës.

Mbase dhe ju u pëlqen një lloj i veçantë vajze. Ata që kanë nyjet e këmbëve të holla, për shembull, apo sy të mëdhenj, apo duar të bukura… nuk e di, ndoshta ju tërheqin ata që pëlqejnë të hanë me qetësi, ngadalë, apo me ndonjë tjetër karakteristike të ngjashme. Është e qartë që kam dhe unë një lloj timin. Më ka ndodhur të shkoj në restorant dhe të mbetem i habitur nga hunda e vajzës së ulur në tavolinën ngjitur.

Askush gjithsesi nuk mund të thotë se si duhet të jetë ajo 100 % e përkryer. Le të marrim vajzën e atij mëngjesi, nuk mbaj mend as ç’formë kishte, as hundën e saj. Për më tepër nuk mbaj mend as nëse kishte një hundë.

Gjithçka që mbaj mend është se nuk ishte ndonjë bukuri e madhe. Shumë e çuditshme, apo jo ?

-Dje kalova pranë vajzës 100 % të përkryer, i them njërit.

– Ah po? – më përgjigjet ai. – ishte shumë e bukur?

– Jo, nuk do thoja ashtu.

– Atëherë paska qenë tipi yt?

– Nuk e mbaj mend. Kam harruar çdo gjë, ç’formë kishin sytë e saj, nëse kishte shumë gjoks apo jo…

– E çuditshme.

– Efektivisht.

– Atëherë, çfarë bëre? –  vazhdoi ai me një pamje të bezdisur. – I fole, e ndoqe?

– Nuk bëra asgjë, – përgjigjem unë. Thjesht i kalova pranë.

Ajo ecte nga lindja për në perëndim, unë nga perëndimi për në lindje. Në një mëngjes prilli vërtet të këndshëm.

Do kisha dashur t’i flisja, sikur dhe vetëm për një gjysmë ore. Ta pyesja për të, t’i tregoja për veten. E mbi të gjitha t’i shpjegoja ndërthurjet e komplikuara të fatit që kishin bërë të mundur që ne të dy të kalonim njëri pranë tjetrit në një rrugë anësore të Harajuku-t në një mëngjes të bukur prilli të 1981-shit. Me siguri e gjithë kjo ishte plot me sekrete të nxehta, si një mekanizëm antik i ndërtuar në kohë paqeje.

Pasi të kishim folur për këto gjëra të bukura, do kishim drekuar bashkë, shkuar për të parë një film të Woody Allen, do ishim ndalur tek bari i ndonjë hoteli për të pirë diçka. E me pak fat, mbase do kishim përfunduar në shtrat bashkë.

Një mundësi e tillë trokiste në derën e zemrës sime.

Distanca mes asaj dhe meje ishte ngushtuar në pesëmbëdhjetë metra.

“Në rregull, tani do i flas, – mendova. – Po çfarë t’i them?”

“Mirëmëngjes. A mund t’ju flas pak, ju lutem? Më mjaftojnë tridhjetë sekonda”

Absurde. Do më kishte marrë për një përfaqësues agjensish sigurimesh.

“Më falni, dini gjë nëse ka nga këto anë ndonjë dyqan ngjyrosjesh hapur njëzet e katër orë në njëzet e katër?“

Akoma më keq. Si fillim, nuk kisha as çantën më rrobat e pista. Të ishte më mirë t’i thoja menjëherë gjithë të vërtetën ?

“Mirëmëngjes. Ju për mua jeni vajza 100 % e përkryer.”

Nuk do më kishte besuar kurrë. Edhe duke supozuar të kundërtën, ishte e mundur të mos kishte asnjë dëshirë për të folur me mua. “Unë për ju mund të jem vajza e përkryer, por ju për mua nuk jeni aspak burri i përkryer“ do më ishte përgjigjur. Në një rast të tillë do isha ndjerë i humbur, jam i sigurtë. Tashmë jam tridhjetë e dy vjeç, fundja të plakesh do të thotë pikërisht këtë.

I kam kaluar pranë përballë një dyqani lulesh. Një lëvizje e lehtë ajri i ngrohtë më ka ledhatuar lëkurën. Trotuari i asfaltë ishte i lagur më ujë, ndjeva një erë trëndafilash. Nuk i fola, nuk ja arrita dot.

Ajo mbante veshur një triko të bardhë dhe në dorën e djathtë mbante një zarf të bardhë të cilit i mungonte pulla postale. Një letër për dikë. Duke gjykuar nga pamja e syve tmerrësisht të përgjumur, mund të thuhej se kishte kaluar gjithe natën duke e shkruajtur. Mundej dhe që ajo letër të mbante të gjitha sekretet e saj.

Bëra pak hapa dhe kur u ktheva ajo ishte zhdukur mes turmës.

Natyrisht tani e di shumë mirë se në ç’mënyrë duhet t’i isha afruar, atëherë. Por gjithsesi do kishte qenë një diskutim shumë i gjatë, nuk do kishte funksionuar. Idetë që më vijnë në mendje nuk janë kurrë shumë praktike.

Sidoqoftë ai diskutim niste me “na ishte një herë…” dhe mbaronte me “a nuk mendoni se është një histori shumë e trishtë?“

Na ishin një herë në një vend të largët një djalë dhe një vajzë. Djali ishte tetëmbëdhjetë vjeç, vajza gjashtëmbëdhjetë. As njërit dhe as tjetrit nuk mund t’i thuhej shumë i bukur, ishin vetëm dy të rinj normalë dhe vetmitarë siç ka kudo. Por ishin fortësisht të bindur se në ndonjë cep të botës gjenden vajza dhe djali 100 % i përkryer për ta.

Një ditë duke ecur rrugës gjenden ballë përballë njëri-tjetrit.

-Ç’surprizë, të kam kërkuar gjithandej, – i tha djali vajzës. – Mbase nuk do më besosh, por ti për mua je vajza 100 % e përkryer.

– Edhe ti për mua je djali 100 % i përkryer, – thotë vajza. –  Je ekzaktësisht siç të imagjinoja, në çdo gjë, më duket si ëndërr.

Të dy u ulën në një stol në park dhe folën, folën, pa u bezdisur kurrë. Nuk ndjeheshin më të vetmuar. Të gjesh djalin, vajzën e përkryer dhe po ashtu të gjehesh nga ai ose nga ajo, ç’gjë e mrekullueshme!

Në zemër gjithesesi mbanin një dyshim të vogël, shumë të vogel. A ishte e drejtë që një ëndërr të përmbushej kaq lehtësisht?

-Dëgjo, të bëjmë një provë tjetër, – tha atëherë djali në një pushim të bisedës. – Nëse jemi me të vërtetë 100 % të përkryer për njëri-tjetrin, me siguri do takohemi përsëri në ndonjë vend tjetër. E kur të ritakohemi, nëse do jemi përseri të përkryer 100 %, do martohemi menjëherë, aty në vend. Je dakort?

– Po, jam dakort. – u përgjigj vajza.

Kështu të dy u ndanë nga njëri-tjetri.

Në fakt nuk ishte e nevojshme të bëhej një provë tjetër. Ishin absolutisht të përkryer për njëri-tjetrin, 100 %. Por dallgët e pashmangshme të fatit u tallen me to.

Një dimër, të dy morën një grip të tmerrshëm që kishte rënë atë vit dhe, pasi kishin qëndruar për shumë javë mes jetës dhe vdekjes, në rizgjim kishin harruar gjithë të shkuarën e tyre. Kokat e tyre ishin bosh si arka e kursimit e të riut D.H. Lawrence.

Duke qenë se ishin dy të rinj të zgjuar dhe këmbëngulës, më shumë mund arritën të përftonin një ndërgjegje të re dhe kapacitete të reja emotive, u kthyen në mënyrë të mrekullueshme përsëri në gjirin e shoqërisë. Më në fund ishin në gjendje të merrnin metropolitanën, të ndërronin linjë, të shkonin në postë për të derguar një letër. Dhe eksperimentuan përsëeri dashurinë, në 75 apo 85 %.

Ndërkohë djali kishte mbushur tridhjetë e dy vjeç, vajza tridhjetë. Koha kishte kaluar me një shpejtësi të habitshme.

Më pas, në një mëngjes të bukur prilli, ai po ecte në një rrugë anësore të Harajuku-t, nga perëndimi për në lindje, për të ngrënë mëngjesin në bar, ndërsa ajo po bënte të njëjtën rrugë nga lindja për në perëndim për të dërguar një letër. U kryqëzuan në mes të rruges. Për një çast, një dritëz kujtimesh të vjetra ndriçoi zemrat e tyre.

“Është vajza 100 % e përkryer për mua, tha ai.”

“Është djali 100 % i përkryer për mua, tha ajo.”

Drita e kujtimeve të tyre ishte gjithsesi shumë e dobët, fjalët e tyre nuk ishin të qarta si katërmbëdhjetë vite më parë. I kaluan pranë njëri-tjetrit pa folur dhe u zhdukën mes turmës në drejtime të kunderta.

A nuk mendon se është një histori e trishtë?

Është kështu që duhej të kisha folur.

Përktheu: Alfred Bushi

ObserverKult

__________________

Lexo edhe

POEZI NGA HARUKI MURAKAMI: TRISHTIM TË MOS MUND TË QASH