Poezi nga Haruki Murakami: Trishtim të mos mund të qash

Haruki Mukarami tregim vajza e perkryer

Ekziston edhe kjo në botë, trishtimi që, të mos jesh në gjendje të qash me lotët valë.
Një nga ato që s’mundet t’ia shpjegosh askujt, madje, edhe po të mundej, askush s’do të ta kuptonte.
Një trishtim që s’mund të marrë formë,
të grumbullohet në zemër si bora në një natë pa erë.
Një herë e një kohë, kur isha i ri, provova
ta shpreh me fjalë.
Por nuk gjeta asnjë që të mund
t’u përcillte të tjerëve ndjenjat e mia,
madje as për veten time, kështu që hoqa dorë.
Dhe mbylla qoftë fjalët e mia si dhe zemrën time.
Trishtimi tepër i thellë s’mund të marrë
formën e lotit.

Hëna shikonte tokën nga afër shumë kohë më parë se cilido tjetër.
Mbase kishte qenë dëshmitare e tërë fenomeneve
të ndodhura dhe e gjithë veprimeve që kishin ngjarë këtu poshtë.
Por ajo heshtte dhe nuk tregonte asgjë.
Atje lart nuk kishte as ajër e as erë;
vakumi ishte i përshtatshëm për ruajtjen e kujtimeve.
Asnjë s’ia doli të shkrinte zemrën e hënës.

Kam pasur përherë uri për dashuri.
Dhe do të më mjaftonte që ta marrje ndër duar qoftë edhe vetëm një herë.
Sa për t’i thënë:
faleminderit, jam i ngopur, më shumë s’mundem.
Do të mjaftonte qoftë edhe një herë, edhe një herë të vetme.

Do të doja shumë të isha i shtrënguar në krahët e tij,
– mendoi Aomame.
Të prekem nga ato duar të mëdha.
Të ndiej ngrohtësinë e tij në çdo pjesë timen.
Të jem e ledhatuar në gjithë trupin tim.
Do të doja që ai të më ngrohte.
Që të më shkrinte ky akull
që ndiej brenda vetes.
Dhe pastaj të më penetronte,
duke më trazuar me forcë
Siç trazojnë me lugë çokollatën
e ngrohtë.
Ngadalë deri në fund.
Po ta bënte,
Mund të vdesja në çast.
Vërtet.

Më ka qëlluar shpesh të shoh njerëz “tepër të ndjeshëm” për të plagosur të tjerët, pa qenë nevoja.
Po kam parë edhe njerëz të “sinqertë dhe të hapur” të përdorin logjikën për interesat e tyre,
edhe duke mos qenë të vetëdijshëm për këtë.
Kam parë më në fund njerëz “të zotë për të lexuar në zemrën e njerëzve” të gënjyer dukshëm, pa asnjë mundim nga lajkatarët e pasinqertë.
Në këtë pikë më duket e natyrshme të pyes veten se çfarë di secili nga ne, në fund të fundit për veten e vet.

Nuk ishte një emocion i ngjashëm me rënien në dashuri ose me dëshirën seksuale.
Qe sikur diçka të ishte insinuatë
nëpërmjet një plasaritje të vogël
dhe duke pretenduar të mbushë një boshësi
që ishte brenda tij.
Ja se çfarë provonte.
Nuk diskutohej për një vakum të shkaktuar prej saj.
Ekzistonte brenda tij
që nga një kohë e pallogaritshme.
Ajo e kishte projektuar
mbi një dritë speciale,
duke e ndriçuar.

Ne jemi të gjithë qenie të papërkryera
që jetojnë në një botë të papërsosur.
Nuk jetojmë duke matur distancat me vizore,
këndet me raportor
as duke kontrolluar hyrjet-daljet
si mbi llogarinë bankare.
Sidoqoftë, çdo gjë, ndjek kursin e vet
dhe si mund të bëjë dikush më të mirën e tij,
nganjëherë është e pamundur të shmangësh
faktin që dikush të mos lëndohet.

Deri tani, ti ke humbur shumë gjëra.
Shumë gjëra të çmuara.
Problemi nuk është të dish, i kujt është faji.
Problemi është se ti sulmoje përherë diçka
për veten tënde për gjithçka që ti humbisje.
Nuk duhej ta bëje.
Do të ishte dashur të ruaje diçka mënjanë për
veten
në vend që të lije të shkonte tutje me reston.
Kështu që, ti u konsumove pak nga pak.
Pse? Pse e bëre?»

Përktheu: Faslli Haliti

ObserverKult

_______________________________

Lexo edhe:

KHALIL GIBRAN: PYES TRISHTIMIN…