Aggelos Baraj, finalisti shqiptar i konkursit ndërkombëtar për fotoreportazh

Pjesëmarrjen në konkursin prestigjioz të fotografisë për gazetari “Andrei Stenin” Aggelos e kishte shpallur me shumë krenari. Në fund të fundit, Aggelo nuk është fotografi i klikeve artistike, të bukurisë së natyrës, por është fotoreporteri i të vërtetës njerëzore. Pamjet e tij nuk janë thjesht fotografi, janë çaste jete të mirëstudiuara për të mbartur të gjithë të vërtetën. Këtë e ka deklaruar edhe në intervistën të pak kohëve më parë për ‘diasporashqiptare.al’, ku u rrëfye gjatë, për çdo detaj të jetës së tij.

Arti fotografik u bë pjesë e pandarë e Aggelos që fëmijë, kur kërkonte një rrugëdalje e një mënyrë shprehjeje të shqetësimeve adoleshente. Me maturinë e një fëmije të rritur në vështirësinë e viteve të para të emigracionit, me gjithë stereotipet e atëhershme të shoqërisë greke, si dhe mungesën e prindërve nga orët e gjata në punë, ai veçon duke nxjerrë në pah elemente të shoqërisë që ose nuk i shohim dot se e vërteta e tyre është verbuese, ose u shmangemi me justifikimin e instiktit të vetëmbrojtjes.

Në çdo ngjarje madhore ku përgatit fotoreportazhin e radhës bëhet një me bashkëvuajtësit, pavarësisht se është korrespodenti i “Associated Press”. Sidomos në çështjen e refugjatëve ishte ndër të rrallët, ndoshta dhe i vetmi, që kaloi muaj të tërë në të njëjtat kushte, nëpër kampet ku ishin vendosur sa në ishujt Lesbos, Kos, Samos aq edhe në veri të Greqisë. I pranishëm në rutinën e përditshme, një me ta, mësoi dhe fiksoi çastet më evidente të realitetit refugjat. Ndodhej aty kur të tjerë fotoreporterë transmetonin foto nga incidentet, për pak minuta apo orë dhe largoheshin me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.

Një nga fotot më prekëse nga një çast unik në një ditë tepër të tensionuar në kampin e ishullit Lesbos, në Morian famëkeqe edhe tanimë të djegur, gjatë një proteste për vdekjen e një refugjati është përzgjedhur duke i dhënë kandidaturën për çmimin më prestigjioz në fushën përkatëse, transmeton ‘diasporashqiptare.al’.

Në kategorinë “Top News” i riu shqiptar Aggelos Baraj është përfaqësuesi i vetëm i Greqisë dhe një nga 5 kandidatët e kualifikuar mes 4.500 pjesëmarrësve nga 70 vende të ndryshme. Statistikat e deritanishme e vendosin në vendin e parë apo të dytë. Fotografia me titull “Chaos on the Greek island of Lesbos over the killing of a 20 year-old refugee” me të cilën Baraj mori pjesë në konkurs në datën 22 dhjetor 2020 (dita e lindjes së fotografit me famë botërore Andrei Stenin), duket se do të jetë bileta për një fitore të madhe e të shumëpritur.

Në të njëjtën kategori, 4 finalistët e tjerë janë Joshua Irwandi nga Indonesia, Omid Vahabzadeh nga Kanada, Rahul Sadhukhan nga India dhe Rajat Gupta, po nga India.

LEXO EDHE: Pierre-Kastriot Jashari, fitues i çmimit në festivalin e fotografisë në Biel