Për të tretin vit radhazi do të organizohet festivali i filmit shqiptar “Albania, si Gira!”, organizuar nga Shoqata “CulturalPro” nën drejtimin artistik të Nensi Bego dhe Fabio Bego.
Festivali do të mbahet nga 1 deri më 4 korrik 2021 në Kinemanë Casa në Romë, ngjarja synon të përhapë njohuritë e kinemasë shqiptare, historinë e popullit shqiptar dhe marrëdhëniet italo-shqiptare.
Programi përfshin vepra shqiptare të prodhuara në periudhën komuniste dhe post-komuniste, filma nga autorë italianë dhe ndërkombëtarë që rrëfejnë ngjarje të përqendruara në personazhe shqiptarë dhe bashkëprodhime të fundit italo-shqiptare, çdo mbrëmje do të shoqërohet gjithashtu nga një bisedë me mysafirë ndërkombëtarë.
Programi i këtij viti në veçanti synon të stimulojë reflektimin mbi mënyrat e ndryshme në të cilat regjisorët kanë trajtuar “ndryshimet” e shoqërisë shqiptare, duke u përqëndruar veçanërisht në rolin e luajtur nga italianët në këtë ndryshim.
Këtë vit, për shkak të pandemisë, parashikohen procedura të veçanta të hyrjes në festival për mbrojtjen e shëndetit dhe sigurisë së spektatorëve.
Ky aktivitet i cili realizohet në bashkëpunim me Arkivin Qendror të Filmit në Tiranë do të shfaqë në Romë disa nga veprat më domethënëse të kinemasë shqiptare të epokës komuniste dhe postkomuniste, duke e vendosur publikun në kontakt me një realitet artistik pak të njohur por shumë të gjallë, që është kinematografia e “Tokës së Shqiponjave”, transmeton ‘diasporashqiptare.al’.
“Albania, si Gira! Transizioni” është një projekt i konceptuar nga Fabio Bego nën drejtimin artistik të Fabio Bego dhe Nensi Bego, i organizuar nga CulturalPro në partneritet me Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit të Shqipërisë, Ministrinë e Kulturës së Shqipërisë me mbështetjen e Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Itali dhe mbështetjen akademike të Shoqatës Italiane për Historinë e Evropës Qendrore dhe Lindore; partneri i mediave Integra Onlus, shoqatës “Kjo është Roma” dhe Shoqata Foleja.