Ahmet Selmani: Vrasja e gjarprit

para dhe pas ahmet selmani


(ose shpëtimi i bretkosës)

Prejse mbaj mend, në atë lagje flitej shumë për gjarprin. Thuajse çdo gjë e keqe krahasohej me këtë krijesë zvarranike. Madje rrëfimet që ishin stisur, shkonin edhe përtej fantazisë.
Njëditëzaj u përhap lajmi se në njërën nga shtëpitë e vogla të lagjes, mu te shkallët e saj të drunjta, ishte shfaqur një gjarpër. Kjo ia behu si një ulërimë e çuditshme e cila i ngriti më këmbë burra e gra, pleq e fëmijë, secili duke marrë nga një mjet në dorë, dikush cfurkun, dikush sëpatën, dikush një shkop, dikush fshikullin, e çka jo tjetër.
Pas kërkimeve të shumta në secilin cep të lagjes duke mos i lënë dy gurë tokthi, më në fund, një fëmijë e pikati gjarprin që ishte strukur pas një guri. Ai sapo kishte gëlltitur diçka dhe ishte stërfryrë si tullumbace.
Pa u dymendur asnjë grimë, ata u sulën dhe e goditën me të gjitha mjetet që patën në duar. Pasi e çanë në mes, nga barku i tij doli një bretkosë.
Ndonëse u ndjenë fitimtarë dhe të labërguar në shpirt, sakaq filloi grindja për lavdinë; njëra palë ngulmonte se e kishin vrarë gjarprin për ta mposhtur të keqen që u kanosej, kurse pala tjetër ngulmonte se e ia kishin shpëtuar jetën një krijese të pafajshme siç ishte bretkosa. Por për frikën që kishte mbetur në qenien e tyre, nuk thoshin anjë fjalë të vetme.

ObserverKult