Fshati im, poezi nga Andon Zako Çajupi
Maletë me gurë,
fushat me bar shumë,
aratë me grurë,
më tutje një lumë.
Fshati për karshi
me kish’ e me varre,
rrotull ca shtëpi
të vogëla fare.
Ujëtë të ftohtë,
era pun’ e madhe,
bilbili ia thotë,
gratë si sorrkadhe.
Burrat nën hie,
lozin, kuvendojnë,
pika që s’u bie,
se nga gratë rrojnë!
Gratë venë nd’arë,
dhe në vreshta gratë,
gruaja korr barë,
punon dit’ e natë.
Gratë në të shirë,
në të vjela gratë,
ikinë pa gdhirë,
kthenenë me natë.
Gruaja për burrë
digjetë në diell,
punon e s’rri kurrë
as ditën e diel.
O moj shqipëtarkë,
që vet’ e nget qetë,
edhe drek’ e darkë
kthehesh e bën vetë;
Moj e mjera grua,
ç’e do burrë zinë
që ftohet në krua
dhe ti mban shtëpinë!
ObserverKult
Lexo po ashtu nga i njëjti autor edhe poezinë më poshtë:
Andon Zako Çajupi: Vaje, njëra nga poezitë më identifikuese të këtij autori shqiptar
Që ditën që vdiqe, që kur s’të kam parë,
lotët që kam derdhur s’më janë dhe tharë!
Shumë vjet u bënë, sot u mbushën dhjetë,
që kur më ke lënë dhe s’të shoh në jetë!
Në ç’kopshte me lule ke qëndruar vallë?
S’të vjen keq për mua? S’të vjen mall për djalë?
O ëngjëll i bukur, mos mëno në botë,
kthehu të të shomë, të na mbeten lotë.
S’rrojmë dot pa tynë, ti si rron pa neve?
Motemot që rrojtëm bashkë, s’më urreve.
Atje tek rri janë qipariz’ e varre. ..
Kthehu të të shomë, mos na le për fare!
Mos na le të gjorë, me zemër të ngrirë,
kthehu të gëzohesh kur të shoç tët birë;
E ke lenë foshnje, tani u bë burrë,
s’arrite ta rritje, s’të ka parë kurrë!
Poezinë e plotë e gjeni duke klikuar KETU
ObserverKult