Në ambientet e hapësirës së rekreacionit pranë Pazarit të ri në Tiranë po mbahet “Panairi i librit për fëmijë dhe të rinj”.
Ky aktivitet zhvillohet për herë të parë në Shqipëri dhe për këtë shkak ka tërhequr mjaft vëmendje nga fëmijët por edhe nga prindërit e tyre të cilët kanë pasur interes në lidhje me librat dhe titujt të cilët fëmijët e tyre duhet të lexojnë sidomos gjatë periudhës së pushimeve. Për këtë arsye edhe organizatorët e kanë menduar që këtë eveniment ta zhvillojnë në këtë kohë. Panairi përshëndet në hapje edhe nga ministrja e Kulturës, Elva Margariti.
Anisa Ymeri e cila është edhe organizatorja e këtij panairi që zhvillohet për herë të parë, në një prononcim për ATSH-në shprehet se “në fakt është një ngjarje, sepse ne e kishim parashikuar mbajtjen e panairit për fëmijë dhe të rinj vitin që shkoi në edicionin e tij të parë, pranverën e vitit të kaluar gjë që prej pandemisë u anulua çdo aktivitet tjetër megjithëse ishin bërë publike datat kur do të mbahej”.
“Me hapjen, ne vendosëm që ta mbanim këtë panair, megjithëse datat nuk janë edhe shumë favorizuese, por duke pasur parasysh ambientin me qarkullim të shumtë dhe sidomos mbrëmjet me qarkullim të shtuar, menduam që ta zhvillojmë, jo vetëm për fëmijët por edhe për interesin e prindërve që kanë nevojë të informohen nga botuesit”, është shprehur në vijim organizatorja.
“Në prag të pushimeve është momenti i përshtatshëm që të informohen për çka duhet të lexojnë qoftë për detyrimet shkollore por edhe ato jashtëshkollore. Dhe është pikërisht këtu vendi. Kemi të gjitha shtëpitë botuese që iu përgjigjën kësaj thirrjeje. Ne patëm mbështetjen e Pazarit të Ri ku nga ora 9:00 e mëngjesit deri në 21:00 të mbrëmjes qëndron i hapur. Shtëpitë botuese kanë bërë edhe ulje çmimesh në këtë rast nga 10 deri 30 për qind. Nuk zhvillohet në një ambient shumë të hapur por gjithsesi ky shesh ofron një intimitet, siç e ka pikërisht ky shesh”, tha Ymeri.
Interesi i fëmijëve që po e vizitojnë këtë panair është i konsiderueshëm dhe kjo duket më së miri nga numri i fëmijëve pranë stendave. Ata vijnë dhe vihen në kontakt fizik me librin dhe kjo i ndihmon shumë në mënyrën e përzgjedhjes.
“Është shumë e bukur edhe kur mendon që është vetëm dita e dytë dhe dje pasdite shtëpitë botuese na thanë se ka pasur një qarkullim jo të vogël dhe ka pasur edhe shitje. Është ende fillimi i ditës dhe interesi është aty me prezencën e fëmijëve. Ne nuk e kemi rutinën që të çojmë fëmijët në librari dhe kjo mënyrë është shumë e mirë. Kontakti me librin është i rëndësishëm”, përfundoi Ymeri./ATSH