Ju sjellim një cikël të zgjedhur me poezi japoneze të përkthyera nga Petraq Kolevica. Poezitë janë shkëputur nga libri “Antologji e poezisë japoneze”, botuar nga “Dudaj” që ofron një vështrim panoramik të kësaj letërsie, prej poezive të vjetra Naga-uta dhe Tanka, ato klasike Tanka, këngët e rojave të kufirit, ato të vjetra popullore, haiku e deri te poezitë moderne japoneze.
Kakinomoto Hitomaro
Kënga e Josamit, gruas së Hitomaros
“Mos u trishto!”- më thua,
Por, a mund
të mos trishtohem sot?
Se mos e dimë dot,
kur do të takohem përsëri…
Kënga e gruas së Hitomaros, kur ai vdiq
Takim vetëm për vetëm,
a thjesht vetëm takim,
që sot me të s’do të ketë kurrë më!
Çoni e fluturoni ju, o re,
nga Isikava e largët për te –
sa herë t’ju shikoj do ta kujtoj atë!
Macuo Basio
Duke lënë atdheun
Një varg resh
u shtri ndërmjet miqve…U ndanë
patat shtegtare përgjithmonë.
Shokut
Eja më vizito
në vetminë time!
Gjethi i parë ra…
Gërsheti i flokëve të së ndjerës nënë
Shkriu në duart e mia
bryma e bardhë e flokëve,
kaq të nxehtë ishin lotët e mi…
***
Përsëri më ngjallet në zemër
trishtimi për nënën, për babanë.
Klithmë e vetmuar e fazanit.
Baba që humbi djalin
Kokën uli gjer përdhe
sikur bota u kthye përmbys.
Bambu e përkulur nga dëbora.
Masaoko Siki
***
O, vendlindje!
Në çdo anë, kudo që shoh
buzëqeshin mallet…
Mbi tokë, mbi det, kudo,
gjithë ç’jetojnë, shikojnë
të mrekulluar hënën!
Në prag të vdekjes
bëhet dhe më kumbues
zëri i gjinkallës në vjeshtë.
Qindarkat tingëllojnë në terr
Lypsari numëron paratë.
Sa e ftohtë, sa e fohtë kjo natë!
Josano Hirosi
E kush mund të mendojë
se ti pate një çast madhështie
kur e shkëlqeve
gjithë qiellin si një yll që bie,
o gur i zymtë, i harruar në një cep muzeu?!
Iskava Takuboku
Më mirë sesa të qash
Ishte një ëndërr-
çfarë viti, çfarë natë s’më kujtohet,-
kur e takova atë.
Ajo tani ndoshta ka vdekur dhe është harruar.
Në flokët e saj të zinj kishte yndyrë dhe zbokth.
E bardhë si gëzofi i një lepuri të ngordhur,
pudra e saj e trashë.
Buzëkuqi ngjyrëgjak ngjyroste buzët e saj.
Në mes të një turme vajzash
ajo këndonte këngë të ndyra
njërën pas tjerës me një samisen gazmor
duke gëlltitur poshtë, sikur të ishte ujë,
një lëndë që të rrjep lëkurën e gjuhës.
Në anë të saj, plot të rinj
njëzetvjeçarë, që nuk pinë.
-Pse këndon kështu? E pyeta
në ëndrrën time.
Dhe ajo m’u përgjigj
me një qeshje të dehuri:
Është më mirë sesa të qash…
ObserverKult
Kliko edhe:
30 FJALË TË URTA JAPONEZE/BRETKOSA NË MOÇAL NUK E NJEH MADHËSHTINË E DETIT!