Ky një nga monumentet më madhështore në planet, ndërsa ndërtimi i tij mbetet një mister

Rrënojat e qytetit të lashtë janë simboli i Perusë: një vend misterioz, që duket edhe më magjepsës nga peizazhi natyror i luginave të andeve.

Zbulimi i vitit 1911, Maçu Piçu ngrihet në lartësinë 2350 metra mbi nivelin e detit dhe është “marka tregtare” e Perusë, njëherazi trashëgimia më e rëndësishme botërore e tij (jo e vetmja, pasi ka edhe 11 të tjera).

Vendi arkeologjik me rrënojat e lashta të qytetërimit Inka, ndodhet 80 km në veriperëndim të Cuzco-s, në Cordillera të Vilcabamba, pjesë e vargmalit të gjatë të Andeve. Vendosur midis dy majave Maçu Piçu (“maja e vjetër” në gjuhën lokale) dhe Hujana Piçu (“maja e re”), vendi bie me pamje mbi luginën e lumit Urubamba.

Ky qytet i lashtë, i ndërtuar në gjysmën e parë të shekullit të pesëmbëdhjetë dhe i banuar deri në kohën e pushtimit spanjoll (1532), mbeti në harresë deri në fillim të shekullit XX. Vetëm në vitin 1911, kohë kur eksploruesi amerikan Hiram Bingham, i cili, ishte nisur në kërkim të “qytetit mitik të inkasve”, Vilcabamba (që është diku tjetër), mbërriti atje, i shoqëruar nga një fermer vendas.

Maçu Piçu, një qytet misterioz

Për shumë arsye, vendndodhja arkeologjike është enigmatike: nuk njihet funksioni i saktë i shumë prej ndërtesave, madje as ai i vendbanimit në tërësi, apo teknikat inxhinierike të përdorura për të zhvendosur dhe ndërtuar blloqet e mëdha prej guri të ndërtesave.

Këto janë enigma, që çojnë mijëra vizitorë të zbulojnë Luginën e Shenjtë.

Shumë prej tyre (75 mijë çdo vit) mbërrijnë në këmbë përgjatë Inca Trail (e mbyllur në shkurt). Është udhëtimi më i famshëm në Amerikën e Jugut, ku të duhet të ecësh për 42 km midis pyjesh, xhunglës, peizazheve andine dhe gurëve të qytetërimit inkas, duke kaluar 4 mijë metra.

Rritja e fluksit të udhëtarëve i detyroi autoritetet e parkut të kufizojnë qasjen në Trail Inca në 500 persona në ditë, në mënyrë që të mos dëmtojnë ekosistemin.

Tempulli i Diellit

Maçu Piçu është më shumë se një ndërtesë, është një kompleks prej mbi 150 banesa, banjo, faltore dhe tempuj.

Megjithatë, shumica e Maçu Piçu organizohet rreth tre strukturave kryesore: Intihuatana, Tempulli i Diellit dhe Salla e Tri Dritareve. Gurët janë gdhendur në mënyrë të përsosur. Çdo gur është i gdhendur deri në përsosje, çdo gjë përshtatet në mënyrë të përkryer, në mënyrë që të mos kërkojë përdorimin e llaçit. Nga e famshmja “Porta del Sole” (Inti Punku), shkallaret e së cilës ishin rruga e lashtë hyrëse në qytet, mund të shikoni lindjen e diellit. Mirëpo, pamja më e mirë e qytetit të humbur mund të shijohet nga 2700 metrat e Huajna Piçu.

Pika të tjera interesi janë Tempulli i Diellit dhe guri Intihuatana, që mbase ka qenë një altar flijimi.

Maçu Piçu është vendi arkeologjik më spektakolar i qytetërimit inkas në Amerikën e Jugut. Ky “Qytet i humbur” ka magjepsur adhuruesit e historisë për gati një shekull. Përveç mjedisit spektakolar në Ande, Maçu Piçu tërheq arkeologët dhe historianët, sepse nuk është dokumentuar në asnjë nga kronikat e lashta të pushtuesve spanjollë.

Spanjollët pushtuan kryeqytetin inkas, Cuzco, duke e transferuar selinë në Limën bregdetare. Në regjistrimet e tyre, pushtuesit përmendin shumë qytete të tjera inkase, por jo Maçu Piçun. Për këtë arsye, askush nuk është i sigurt se çfarë funksioni i shërbente qytetit. Është një nga monumentet më madhështore në planet, ndërsa ndërtimi i tij mbetet një mister./Konica.al

————————

Lexo edhe:

Tetë qytete të rrënuara, tetë mistere të gjalla

ObserverKult