Rekomandime leximi nga Orjela Stafasani

Në kuadër të rubrikës Rekomandime leximi, ObserverKult kësaj radhe ka mysafir përkthyesen dhe studiuesen e letërsisë, Orjela Stafasani.
Ja cilat janë tri librat që Stafasani u sugjeron të pasionuarve pas leximit.

_______________

Jo veç për njerëzit që letërsinë e kanë profesion, por edhe për ata që e duan letërsinë, përgjigjja (pyetja retorike) më tipike, apo stereotipike, do të ishte, si mund t’i përzgjedh tre libra që kanë shenjuar më së shumti rrugëtimin tim jetësor, kur librat që kam lexuar dhe që dua janë shumë më shumë se kaq. Kështu që, sigurisht, edhe unë nuk munda t’i shpëtoj këtij sterotipizimi, por seleksionimi që bën kujtesa është mbresëlënës dhe i besova kësaj përzgjedhjeje.

Nga Orjela Stafasani

Meqë lexuesi empirik dhe lexuesi model i projektuar nga autori, në çastin e procesit të shkrimit, dallojnë dhe vepra është e hapur për interpretime dhe kuptime shumëfarëshe, as unë nuk pretendoj që përmes rekomandimeve të mia t’i imponoj lexuesit të ri mënyrën time të të kuptuarit të këtyre veprave, por po, ta shpërfaq ndjesinë që kam përjetuar unë, duke e ftuar edhe atë në katarsisin që na fal leximi i letërsisë së mirë.

Tri rekomandimet e mia janë lexime e rilexime, pasi edhe pse ka “kaq shumë libra dhe kaq pak kohë”, qoftë për arsye krejt emotive (pasi ndjesia që ruajmë për atë libër ka qenë e papërsëritshme), qoftë për të parë se si ka ndryshuar mënyra jonë e leximit, u rikthehemi gjithnjë disa veprave.

“Sonata e Krojcerit”, Lev Tolstoj

Me krijimtarinë e Tolstojit jam njohur në adoleshencë dhe besoj se kam lexuar gjithçka prej tij (të përkthyer në gjuhën shqipe, deri në atë kohë), para se të shkoja në universitet.

Ndërsa “Sonata e Krojcerit” ishte për mua, në atë kohë, por edhe kur e rilexova para thuajse dy vjetësh, libri më atipik i Tosltojt.

Një novelë e vockël, por e mrekullueshme, që prej në titull shpërfaq lidhjet eksplicite intertekstuale me Sonatën e Krojcerit të Bethovenit dhe trand me përmbajtjen e saj.

“Sonata e Krojcerit” është një rrëfim për dashurinë dhe trajtat e saj, martesën, fëmijët, por më së shumti për xhelozinë që e çon Pozdnyshevin në vrasjen e gruas së tij. Rrëfimi i Pozdnyshevit është një rrëfim kundër konvencionales, kundër kishës dhe kundër institucionit të martesës, çka e bëri këtë vepër të censurohej në Rusinë e asaj kohe.

Novela, tematikisht, është e ndarë në tri pjesë: biseda në tren për martesën dhe dashurinë në të cilën përfshihet Pozdnyshevi, dyshimi dhe xhelozia që ndien ndaj violinistit që luan “Sonatën e Krojcerit” me gruan e tij dhe rrëfimi i vrasjes së saj.

“Sonata e Krojcerit” është një novelë e vogël për problemet më qenësore të qenies njerëzore. 

“Tonio Kröger”, Thomas Mann

Kur duhet ta përzgjedh veç një emër nga shkrimtarët që pëlqej më së shumti, gjithnjë kujtoj Thomas Mannin. Manni është ai lloj i shkrimtarit që besoj se i ka folur më së shumti çdo faze të jetës sime, në përgjithësi, ndërsa novela “Tonio Kröger” ka shpjeguar më së miri lidhjen time me letërsinë. Këtë libër e kam lexuar e stërlexuar, saqë jam e aftë edhe t’ia citoj disa pjesë.

“Tonio Kröger” është një novelë që rrëfen kursin jetësor të Tonios, nga fëmijëria deri kur ai rritet e bëhet shkrimtar. Më shumë sesa fiksion, kjo novelë është një pamflet për artistin, për atë që mbetet gjithmonë outsider në shoqëri.

Tonio është vetë Manni, por është gjithkush që qoftë një herë të vetme është ndier i pakuptuar në shoqëri, është ndier larg realitetit, është ndier ekzilant i shoqërisë.

“Letërsia s’është prirje, por mallkim, që ta dini. Kur fillon ta nxjerrë kokën ky mallkim? Herët, tmerrësisht herët, në një periudhë të jetës kur duhet të kishim ende të drejtë të jetonim të qetë e në harmoni me Zotin e me Gjithësinë. Filloni ta ndieni veten të veçuar, në kundërshtim me të tjerët dhe i pakuptuar nga ata, nga njerëzit e zakonshëm e për së mbari; humnera e ironisë, e dyshimit, e kontradiktave, e njohjes, e ndjenjave që ju ndan nga njerëzit, thellohet shumë e më shumë, ndiheni i vetmuar dhe tani s’ka më mundësi marrëveshjeje. Çfarë fati! Sidomos, po të marrim me mend se zemra ju ka mbetur aq e gjallë dhe aq dashuruese, sa ta ndiejë se sa i tmerrshëm është ky fat!…”

Por, kujdesni, mos e merrni në kuptimin e parë që letërsia është mallkim!

“Varreza e Pragës”, Umberto Eco

Sigurisht, që të flasësh për Eco-n ad hoc nuk është fort e lavdërueshme, pasi vepra e tij është më shumë objekt për një doktoratë, sesa për një impresion, por është njëkohësisht ftesë për dy tipat e famshëm të lexuesit, siç i përkufizonte edhe vetë Eco-ja (semantik dhe semiotik).

“Varrezën e Pragës” e kam lexuar së pari në gjuhën shqipe (me një përkthim të mrekullueshëm të Ledia Dushit), ndërsa tash së voni në origjinal, teksa përshkoja vendet nëpër të cilat zhvillohet një pjesë e ngjarjeve të romanit.

Ky roman është një metanarrativë mbi çështjet historike më të diskutuara të fundit të shekullit nëntëmbëdhjetë dhe fillimit të shekullit njëzet. Komplotet politike, ngjarjet historike, paranoja e konspiracioneve, masoneria, antisemitizmi, kisha si institucion në kalbje etj.,  janë këto temat e mëdha që përbëjnë linjën e këtij meta-romani dhe i shërbejnë qëllimit autorial për ta bashkuar historiken me fiksionalen, përmes fillit ironizues.   

Personazhi atipik i Simoninit, falsifikues i historisë dhe rishkrues i saj, shkund themelet e ngjarjeve historike të shekullit njëzet, duke na theksuar se paranoja dhe nevoja për ta fajësuar gjithnjë dikë tjetër ka determinuar fatet e popujve. Romani “Varreza e Pragës” është një apologji e urrejtjes. Simonini i urren të gjithë; italianët, francezët, gjermanët, hebrenjtë, gratë, jezuitët, priftërinjtë, kishën etj., dhe filozofia e tij jetësore është “Odi ergo sum”.

“Varreza e Pragës” është një roman që duhet lexuar e rilexuar gjithnjë me laps në dorë dhe na përforcon edhe njëherë idenë se letërsia është art par excellence.

ObserverKult