Përmeti, qyteti i trëndafilave, i verës dhe i glikosë së ëmbël. Qyteti i qetë, i mikpritjes në çdo stinë. Përmeti nuk i lë asnjëherë vizitorët të largohen pa i provuar glikotë e shumëllojshme të gatuara nga amvisat.
Gliko është produkt i kërkuar nga të gjithë, vendas dhe të huaj. Prodhohej nga duart e amvisave në shtëpi, që tani ka krijuar edhe punishte të vogla.
Nëse ka diçka për të cilën përmetaret nuk lodhen kurrë së treguari janë llojet e ushqimeve që ato gatuajnë. Në dasma ato kanë zakon që të parën për qerasje të nxjerrin glikonë e arrës. Ajo është e mbushur me thelpi bajameje, e pas saj ëmbëlsira vazhdon me glikotë e shalqirit, fikut dhe portokallit.
Tradita e gatimit të glikosë…
Tradita e gatimit të glikosë në këtë zonë ka vazhduar me breza. Thana, molla e egër, shega, kumbulla, e të tjera fruta merren nga në zonat e thella të Përmetit. Atje natyra i rrit këto pemë shëndertshëm.
Duke u shndërruar në një pikë të veçantë turistike, edhe vetë familjet përmetare po hedhin hapat e parë të zhvillimit të agroturizmit. Tradita e gatimeve të njohura përmetare, sikundër ajo e prodhimit të reçelrave dhe glikove , por edhe e rakisë, ka marrë hov. Ato kanë vendin e tyre në mozaikun e agroturizmit duke u shndërruar në një shtysë shumë të fortë e ekonomisë dhe punësimit familjar.
Pastërtia, kujdesi dhe tradita për prodhimin e glikosë, mbretërojnë në çdo rrugicë të këtij qyteti të vogël. Me një pozicion gjeografik të mrekullueshëm, buzë lumit të Vjosës, kur je në Përmet ndjen vërtetë se çfarë arome ka natyra. Nuk ke mendime, por vetëm dëshirën për ta shijuar qetësinë dhe pastërtinë e këtij qyteti./dritare
ObserverKult