Biblioteka miniaturë që Napoleoni e mbante me vete në fushata ushtarake

Napoleon Bonaparte ishte dashamirës i librit. Ai kishte urdhëruar vartësit e tij të kompilonin një bibliotekë mobile. Të cilën ai e merrte edhe gjatë fushatave të shumta ushtarake të tij.

Çdo pajisje e teknologjisë ka një pararendëse. Shumica kanë disa lloje të ndryshme pararendësish. Ju ndoshta keni përdorur (dhe mund të posedoni) një lexues për eBook (Kindle, iPad) për shembull. Por çfarë do t’ju ofronte një material të përzgjedhur për lexim dy ose tre shekuj më parë?

Napoleoni, i cili me gjasë, i donte librat po aq sa e donte fuqinë ushtarake. Grumbulloi një koleksion të madh librash dhe punësoi një bibliotekar personal për ta mbikëqyrur atë.

“Shumë nga biografët e Napoleonit kanë përmendur shkarazi se ai […] mbante një numër të caktuar librash të preferuar kudo që shkonte. Qoftë në udhëtime apo gjatë kampimit”, shkruan në një artikull të “Sacramento Daily Union” të vitit 1885. “Por nuk është e ditur botërisht se ai bëri disa plane për kompilimin e bibliotekave portative. Të cilat do të ishin pjesë e bagazhit të tij.”

Djali i një bibliotekari të Napoleonit kujton nga tregimet e babait të tij se “për një kohë të gjatë Napoleoni i mbante librat që i duheshin. Në disa arka që kishin rreth gjashtëdhjetë vëllime secila”.

Secila arkë fillimisht ishte bërë me dru mahagoni, ndërsa më vonë me dru lisi të mbështjellë me lëkurë. “Brendësia ishte e veshur me lëkurë të gjelbër ose kadife. Dhe librat ishin të lidhura me ‘marok’”, një lëkurë edhe më e butë që përdoret më së shpeshti për libërlidhje, shkruan Openculture, përcjell ‘rtklive’.

Për të përdorur këtë bibliotekë të hershme udhëtuese, Napoleoni u kërkoi shoqëruesve të tij të përpilonin “një katalog për çdo arkë. Me një numër përkatës për çdo vëllim, ashtu që të gjendej pa vonesë libri që kërkohej “.

Kjo funksionoi mjaft mirë për një kohë, por përfundimisht “Napoleoni kuptoi se shumë libra që ai donte t’u referohej nuk ishin përfshirë në koleksion”, për arsye të hapësirës së kufizuar. Dhe kështu, më 8 korrik 1803, ai i dërgoi bibliotekarit të tij këto urdhra:

“Perandori dëshiron që ju të kompiloni një bibliotekë mobile. Prej njëmijë vëllimesh me madhësi 12 cm dhe të shtypura me shkronja të bukura.

Qëllimi i Madhërisë së Tij është që këto vepra të shtypen për përdorim të veçantë nga ai. Dhe për të kursyer hapësirën, faqet nuk duhet të kenë margjina. Ato duhet të kenë nga pesëqind deri në gjashtëqind faqe. Dhe të jenë të lidhura në kopertina sa më fleksibile dhe shpinën ta kenë me susta.

Duhet të ketë dyzet vepra për fenë, dyzet vepra dramatike, dyzet vëllime epike dhe gjashtëdhjetë me poezi të tjera, njëqind romane dhe gjashtëdhjetë vëllime historie, pjesa e mbetur të jenë memoare historike të secilës periudhë”.

Për të përmbledhur: Napoleoni jo vetëm që posedonte një bibliotekë mobile, por kur ajo bibliotekë mobile doli shumë e rëndë për kërkesat e tij të shumta dhe të larmishme letrare, ai kishte urdhëruar të ndërtoheshin jo vetëm arkat për bartjen e librave por edhe të shtypeshin një sërë librash të formatit të vogël enkas për këtë qëllim. 

(Në foto mund të shihni se si dukeshin librat e ngjeshur në arkë). Kjo i parapriu në një mënyrë shumë analoge konceptit të epokës dixhitale për rikrijimin e librave në një format tjetër, posaçërisht për kompaktësi dhe lehtësi përdorimi – llojin e kompaktësisë dhe lehtësisë së përdorimit që gjithnjë e më shumë është i disponueshëm për të gjithë ne sot, dhe në një farë mase Napoleoni kurrë nuk mund ta imagjinonte, e lëre më të kërkonte.

LEXO EDHE: WATERLOO, BETEJA KU U MPOSHT NAPOLEONI DHE U VRANË 50 MIJË USHTARË