Kisha Ortodokse merr reliket e Shën Gjon Vladimirit nga Muzeu Kombëtar/ Xhufi: Shqetësuese, ishte princi katolik…

Profesor Pëllumb Xhufi, historian i periudhës së Mesjetës, e sheh me shumë shqetësim zhvendosjen e lipsaneve të Shën Gjon Vladimirit nga fondet e Muzeut Historik Kombëtar drejt kishës në Shijon të Elbasanit. Në një intervistë për “News24”, ai thotë se në 30 vite, shumë objekte janë zhdukur.

“U informova shumë vonë për zhvendosjen e relikeve të Shën Gjon Vladimirit. E shoh me shumë shqetësim duke pasur parasysh hiostorikun e objekteve kishtare të Kishës Ortodokse Autoqefale dhe Kishës Katolike.

Sidomos 30 vitet e fundit kanë pasuar fate tragjike objekte me shumë vlerë, janë shkatërruar nga vandalët dhe janë bërë objekt tregtie për t’i çuar jashtë Shqipërisë”, vëren Xhufi.

Sipas tij justifikimi që reliket e shenjtit janë objekte kishtare ndaj duhet të qëndrojnë në kishë, nuk qëndron, pasi kisha e Shën Gjonit në Elbasan nuk është stacioni i fundit, duke qenë se lipsanet erdhën nga Kraja në Durrës e më pas në Elbasan.

“Shën Gjon Vladimiri ka qenë një princ i Dioklesë, trevë iliro-shqiptare në Mesjetën e Hershme. Ai ka qenë person laik, nuk ka qenë shenjtor, shenjtor u shpall më vonë.

Atëherë duhet të themi se ato duhet të kthehen në Krajë në kishën që mbante të njëjtin emër, kishë e hershme dhe që për më tepër ka qenë kishë katolike, Gjon Vladimiri ka qenë princ katolik. Pra hapen probleme të tjera dhe ngatërrojnë me një konflikt Kishën Ortodokse Autoqefale shqiptare”, thotë Xhufi.

Përtej ndjeshmërisë së besimtarëve, Xhufi ndalet te rëndësia historike e Princit Gjon Vladimiri, që u shenjtërua më vonë.

“Shumë mirë ato mund të ruheshin sepse ai është një pjesë e historisë dhe është histori e lavdishme sepse u shqua në luftën që banorët e Temës së Durrësit, që përfshinte Dioklenë ku ai ishte princ lokal, u shquan në rezistencën ndaj mbretërisë bullgare”.

Për Xhufin, figura e Gjon Vladimirit për të cilin ka pretendime edhe nga etni të tjera,  i përket më shumë se një komuniteti.

“Figura e Gjon Vladimirit, nuk është prelat i kishës ortodokse, është princ i Shqipërisë së Epërme, pavarësisht kësaj, përvoja është e keqe dhe duhej të ishte vetë kisha e komuniteti Ortodoks që duhet të kërkonte mbrojtjen e Shtetit.

Po të bëjmë llogarinë e objekteve që janë ruajtur në kisha si Kryqi i Kishës së Labovës, ikonat që janë shitur në tregjet e vendeve të huaja”, shprehet ai.

I pyetur se cili është mesazhi i tij për Muzeun Historik Kombëtar dhe Ministrinë e Kulturës, ai thotë:

“E para që do thosha, është që këto gjëra të mos bëhen në heshtje se nuk shpëtojnë pa u bërë problem. Janë pasuri e kombit dhe për një gjest të tillë, jashtë për spostimin e një ikone nga një kishë a muze, për ta çuar në një ekspozitë, përfillen organet më të larta të shtetit. Duhet të ketë një debat, është një lëvizje e gabuar me shumë risqe.

Unë uroj të mos humbasin reliket e Shën Gjon Vladimirit që janë pjesë e historisë sonë”, thotë ai.

Reliket dolën nga fondi muzeor përmes një marrëveshje dhe me një vendim të një komisioni të ngritur nga Ministria e Kulturës./BalkanWeb

LEXO EDHE: XHUFI: SEVASTI QIRIAZI PATI ROL TË NDRITUR NË EMANCIPIMIN E GRUAS SHQIPTARE