Nga: Çapajev Gjokutaj
Këta të sotmit nuk bien në dashuri. Disa engledisen, kalojnë kohën e plotësojnë nevoja biologjike, të tjerë bëjnë arithmetikë, dmth shohin të plotësojnë interesa a të sigurojnë jetë komode. Ndjenja ka vajtur për lesh…
Kështu më shkruan një mik fejsbuku, që me sa duket i takon çetës së përjetshme të të moshuarve, që kritikojnë brezin e ri dhe qahen se kjo botë po prishet.
Ndruaj se ata që idealizojnë dashurinë e dikurshme dhe injorojnë a zhvleftësojnë dashurinë e … ‘këtyre të sotmve’, nuk e kuptojnë se janë duke folur jo aq për realitete se sa për për sendërgji e paragjykime.
Dashuria e dikurshme haste shumë pengesa e vështirësi dhe si çdo gjë e rrallë dhe e vështirë për t’u arritur, vishej me një vel idealizues e romantik. Në këtë kuptim perceptimi për të përmbante një dozë të fortë ëndrre a sendërgjie. E ëndërruara, e synuara është gjithnjë më ngashënjyese se realja dhe e arritshmja.
Tisi idealizues që vesh dashurinë e dikurshme vjen e bëhet më i ndezur nga që buron prej ligjërime të moshuarish, që flasin me nostalgji thuajse për gjithçka të djeshme.
Jo se e djeshmja ka qenë vërtet aq e bukur, por se i takon rinisë, kohës kur shqisat dhe përjetimet tona arrinin intesitetin më të lartë e s’kishim nevojë për syze, aparate dëgjimi, ilaçe tensioni e më the e të thashë.
Tani ne të moshuarve s’na mbetet gjë tjetër veçse ta pleqërojmë çështjen e të vendosim për dy gjëra lidhur me dashurinë e këtyre të sotmve.
E para, dashuria e tyre është më e cekët ngaqë nuk ka ahe e uhe apo s’ka të tilla ngaqë është më e lirshme, nuk ka trysni e pengesa?
Dhe e dyta, fakti që të rinjtë e sotëm provojnë më shumë, përjetojnë disa eksperienca para se të lidhen përfundimisht, e bën dashurinë e tyre më të cekët apo më të natyrshme e më funksionale?
Vetëm se duhet t’i japim dum shpejt, ngaqë këta nuk bëjnë çap pa patur gjykimin tonë për çdo gjë e sidomos për dashurinë🤡
(Nga cikli ‘Dritëhijet e racionales’)
——————
Lexo edhe:
ÇAPAJEV GJOKUTAJ: PËRTEJ MËSUESEVE QË U PËRLESHËN ME KUÇ E ME MAÇ
ObserverKult