Nga: Xhelal Zejneli
Inxhinierët e shpirtrave njerëzorë kishin përcaktuar se si duhej punuar, ç’duhej shkruar, si të shkruhej, përse duhej menduar dhe në ç’mënyrë duhej menduar.
Konformizmi dhe frika prodhojnë krim, e shtojnë atë!
Aleksandar Isaeviç Sollzhenicin (Aleksandr Isaeviç Solženicyn, Kislovodsk, 11.12.1918. – Moskë, 03.08.2008) është shkrimtar, dramaturg, publicist, poet, punëtor shoqëror dhe politik – rus. Studioi në Fakultetin e Fizikës-Matematikës në Rostov. Si i çrregullt, edhe në Institutin e Historisë, Filozofisë dhe Letërsisë në Moskë. Në vitin 1940 u martua me Natalya Alekseevna Reshetovkaya, 1919-2003). Pas studimeve, vullnetarisht është paraqitur në shërbimin ushtarak, ku qëndron deri në vitin 1945. Në vitin 1945, policisë sekrete i ra në dorë letra që ia dërgonte një shoku. Në letër kritikohej politika e Stalinit. U burgos dhe u dërgua në kampin e përqendrimit në Siberi. Vuajti dënimin në vitet 1945-1953. Pas vdekjes së Stalinit (1953), u lirua, por pa të drejtë për t’u vendosur në pjesën evropiane të shtetit. Prej vitit 1953 internohet në Azi të mesme, jeton në Kazakistan. Një pjesë të madhe të dënimit e vuajti në kampin Ekibastuz në Kazakistanin e sotëm. Në vitin 1956 u rehabilitua. Përsëri u martua me kimisten Natalya Reshetovskaya me të cilën ishte ndarë derisa ndodhej në burg. Në vitin 1965, një pjesë e arkivit të shkrimtarit vjen në duart KGB-së.
Më 1969 përjashtohet nga Lidhja e Shkrimtarëve. Në vitin 1973 e burgosin asistenten e shkrimtarit, Elizaveta Denisovna Voronyanskaya (1906-1973). U tregon hetuesve se ku ndodhet dorëshkrimi i Gulagut. E lirojnë. Sapo mbërrin në shtëpi, vret veten. Prej viteve ’60 deri vitet ’80 të shekullit XX, shfaqej në mënyrë aktive kundër ideve komuniste, kundër rregullimit politik të Bashkimit Sovjetik (BRSS) dhe politikës së autoriteteve të shtetit. U diagnostifikua me sëmundjen onkologjike në lukth.
Më 1968 shkroi romanin “Reparti i kancerit”. Vepra u botua jashtë shtetit dhe u përkthye në të gjitha gjuhët e Evropës. Në vitin 1970 Perëndimi ia dha çmimin “Nobel” për letërsi, por nuk iu lejua të shkonte në Stokholm për ta pranuar. Çmimi iu dha më shumë për disidencën, sesa për talentin. Në vitin 1973 u martua me gruan e tij të dytë Natalia Svetllova (Natalya Dimitrievna Solzhenitsyna, 1939-) me të cilën kishte tre djem. Në vitet 1973-1975 “Arkipelagu Gulag” iu botua në Paris.
Në shkurt të vitit 1974 shkrimtarin e burgosin përsëri. Fajësohet për tradhti. Po atë vit, kur në krye të shtetit ishte Leonid Brezhnjevi (Leonid Iliç Brezhnjev, 1906/7 – 1982), e dëbojnë nga Bashkimi Sovjetik. Kalon në Gjermani, prej aty në Cyrih të Zvicrës. Vendoset në Vermont të SHBA-së. Nga honorarët prej “Arkipelagut Gulag” themeloi një fond për t’i mbështetur të burgosurit politikë dhe familjet e tyre në BRSS. Që nga viti 1990 shteti do të tentojë të rehabilitohet para shkrimtarit. Ia kthejnë shtetësinë. Më 1994, pas njëzet vjet qëndrimi në egzil, u kthye në Rusi. U vendos në rajonin e Moskës. U shndërrua në ideolog të një pjese të inteligjencës ruse nga pozitat e kombit dhe të ortodoksisë. Herë-herë i vizitonte djemtë në Amerikë – Stepan-in, Ignat-in dhe Yermolal-in. Më 1997 bëhet anëtar i Akademisë së Shkencave të Federatës Ruse. Fillon botimi i veprave të tij në Rusi. Më 2002 veprat e tij botohen në Rusi në 30 vëllime. Në vitin 2007 iu dha për herë të parë Çmimi shtetëror rus. Ka marrë edhe mirënjohje ndërkombëtare. Vdes në Moskë në vitin 2008, nga një shtrëngim në zemër.
Është një prej disidentëve më të njohur në botë, emri më i dalluar i qëndresës letrare kundër totalitarizmit sovjetik, një prej krijuesve letrarë më të rëndësishëm të shekullit XX.
Sollzhenicini është shkrimtari rus i fundit me të cilin përfundon tradita e madhe morale në letërsinë ruse. Stili i tij bazohej në traditën e prozës ruse të përfaqësuar nga Lav Nikollaeviç Tolstoj, 1828-1910) dhe Fjodor Mihajlloviç Dostojevski (1821-1981).
Me romanin “Një ditë e Ivan Denisoviçit” tronditi botën letrare të planetit. Në histori mbetet me veprën epokale “Arkipelagu Gulag”.
* * *
“Arkipelagu Gulag” –
Studiuesit e Sollzhenicinit veprën “Arkipelagu Gulag” e quajnë roman, libër të shkruar në formë të kronikës dokumentare, libër dokumentar, studim. Romani “Arkipelagu Gulag” është vepër artistike dhe historike në të cilën bëhet fjalë për represionin në Bashkimin Sovjetik në periudhën e viteve 1918-1956. Vepra është thurur në bazë të letrave, kujtimeve dhe rrëfimeve gojore të 257 personave të burgosur, si dhe përvojës personale të autorit. Këtë vepër, Sollzhenicini e ka shkruar fshehurazi, prej vitit 1958 deri në vitin 1968. E ka përfunduar më 2 qershor 1968. Vëllimi i parë u botua në Paris, në dhjetor të vitit 1973. Këtë punë të tij epokale Sollzhenicini e ka cilësuar si hulumtim letrar. Shumë fakte të represionit stalinist, i ka paraqitur në mënyrë të dokumentuar dhe publicistike. Të mbështetura me prova brutale, ato mundësojnë që edhe lexuesi të ndjehet si rob i Gulagut. Rob i cili pa kurrfarë faji burgoste, i cili çdo natë, i rraskapitur merret në pyetje dhe u nënshtrohet torturave të sofistikuara, derisa të mos e nënshkruajë deklaratën për krimet që s’i ka kryer. Atmosfera e terrorit total, në një anë dhe e frikës rrëqethëse, në anën tjetër, e përpinë vetëdijen dhe e pjell protestën e brendshme kundër sistemit johuman që e varfëron shpirtin e një populli të tërë, në të dyja anët e telit me gjemba.
Romani “Arkipelagu Gulag” është vepër artistike dhe historike në të cilën flitet për represionin në Bashkimin Sovjetik në periudhën e viteve 1918-1956. Vepra është thurur duke u bazuar në letra, në kujtime, dhe në rrëfimet gojore të 257 personave të burgosur, si dhe në përvojën personale të autorit. Sollzhenicini e shkroi veprën fshehurazi, prej vitit 1958 deri në vitin 1968.
Në mënyrë publicistike dhe të dokumentuar, autori në “Arkipelagun Gulag” paraqet një mori faktesh të represionit stalinist. Të bazuara në prova rrëqethëse, ato mundësojnë që edhe vetë lexuesi të ndjehet si i burgosur i Gulagut, i burgosur i cili pa kurrfarë faji, arrestohet, i cili për çdo natë rraskapitet nga marrjet në pyetje dhe u nënshtrohet torturave të sofistikuara, derisa të mos nënshkruajë deklaratë se i pranon krimet që s’i kishte bërë.
Romani “Arkipelagu Gulag” në mënyrë fatale ndikoi në jetën e autorit. Për këtë vepër, Sollzhenicinin e dëbuan nga Bashkimi Sovjetik si tradhtar. Pas shumë kohe, për të njëjtën vepër, sikur s’kishte ndodhur gjë, e ftuan që të kthehet. Pavarësisht nga fakti se si trajtohej vepra në atë kohë, apo në ç’mënyrë ajo lexohet sot, shkrimtari e përmbushi detyrën qytetare të vet. Si ndaj të gjallëve, ashtu edhe ndaj të vdekurve. Nga vepra e sipërthënë duhet nxjerrë mësim se gjinia njerëzore kurrë nuk duhet të lejojë diçka të ngjashme, në çdo çast duhet të jetë e vetëdijshme se sa e vlefshme për njeriun është liria.
“Arkipelagu Gulag” është roman dokumentar. Sollzhenicini e shkroi veprën fshehurazi. E nisi në vitin 1958 për ta përfunduar më 2 qershor 1968. Vëllimi i parë u botua në Paris në dhjetor të vitit 1873. Flet për llogoret në Bashkimin Sovjetik. Libri pasqyron llogoret e dhunshme të punës për disidentët që janë dënuar në regjimin sovjetik në vitet pas Luftës së Dytë Botërore. Shumica e disidentëve kanë qenë të pafajshëm dhe janë dënuar vetëm për shkak të mendimit politik ndryshe. Sollzhenicini e shkroi librin duke u bazuar në përvojën e vet. Në periudhën e viteve 1945-1953 edhe vetë ka qenë i burgosur. Ka vuajtur dënim në kohëzgjatje prej tetë vjetësh. Në fillim libri u botua në Bashkimin Sovjetik, në mënyrë ilegale si samizdat.
Shënim: samizdat – botim privat legal ose i fshehtë i librave ose i teksteve të tjera të shkruara që nuk kanë qenë në përputhje me politikën zyrtare në BRSS, d.m.th. botim i librave nga qarqet disidente.
* * *
Në Perëndim u botua në Paris në dhjetor të vitit 1973. Në Rusi, libri nuk u botua zyrtarisht deri në vitin 1989. Është një akuzë dokumentare, por edhe thellësisht personale ndaj sistemit sovjetik të kampeve të përqendrimit. Është vepër e madhe në tre vëllime e bazuar në ndërthurjen e përvojave personale dhe të një morie letrash, shënimesh dhe dokumentesh të tjera që i merrte shkrimtari prej ish-bashkudhëtarëve dhe që janë grumbulluar dhe janë përpunuar në rrethana të një konspiracioni të thellë. Kjo akuzë rrënuese kundër sistemit sovjetik për shkatërrimin dhe vdekjen e miliona njerëzve, shkatërroi edhe apologjetët komunistë të fundit në Perëndim.
Titulli i librit ka të bëjë me “ishujt” kampe të izoluar, në të katër anët e Bashkimit Sovjetik. GUL-ag është akronim rus që vjen prej “Glavna Uprava logora “ (Drejtoria kryesore e kampeve). Konsiderohet si një prej librave më me ndikim të shekullit XX. Në Perëndim kanë menduar se për punën e detyrueshme nëpër kampe apo llogore është përgjegjës para së gjithash Stalini dhe jo tërthorazi regjimi sovjetik. Por, në librin e vet Sollzhenicini sqaron se çështja e kampeve apo e llogoreve vjen qysh prej Leninit (Vlladimir Iliç Lenin, 1870-1924) dhe fillimit të shtetit socialist. “Arkipelagu Gulag” edhe sot renditet në maje të botës së letërsisë. Në vitin 1999, sipas zgjedhjes së gazetës “Le Monde” të Parisit, vepra u përfshi në regjistrin e 100 librave më të mirë të shekullit.
“Arkipelagu Gulag” merret me fatin e të burgosurve politikë në BRSS, gjatë periudhës së viteve 1918-1956, e sidomos gjatë periudhës së stalinizmit (1924-1953).
I shkruar në formën e një kronike dokumentare në tre vëllime, libri bazohet në dëshmitë e 257 ish-të burgosurve. Përshkruan në hollësi tërë procesin ndëshkimor në Bashkimin Sovjetik në periudhën e stalinizmit (1924-1953), që nga arrestimi deri te vuajtja e dënimit në kampet e përqendrimit. Autor i librit është disidenti i njohur rus dhe kundërshtari i komunizmit. Autori synon të zgjojë te lexuesi dhembshuri për viktimat. Libri është përplot akuza kundër Bashkimit Sovjetik dhe industrisë ndëshkimore të tij. Vepra u ndalua në BRSS, ndërsa autori u dëbua nga vendi. U botua në Paris në dhjetor të vitit 1973, në kulmin e Luftës së ftoftë. Libri u botua në mbarë botën, duke përjetuar në Evropë dhe në SHBA një popullaritet të madh.
Shënim: Lufta e ftoftë ishte konflikt politik midis fuqive të Perëndimit të udhëhequra nga SHBA-ja dhe shteteve të Lindjes të udhëhequra nga BRSS-ja. U zhvillua prej vitit 1945 deri në vitin 1991. U zhvillua me të gjitha mjetet e mundshme, por kurrë nuk u shndërrua në konflikt të armatosur masiv përmasash botërore. Karakterizohet nga “konflikte” ekonomike, politike dhe propagandistike ndërmjet Perëndimit dhe Lindjes, për të luftuar ndikimin e bllokut armiqësor. Karakteristikë themelore e luftës ishte gara në armatim, por lufta solli edhe përparime të konsiderueshme në lëmin e kulturës, sportit, shkencës dhe teknologjisë. Prej tyre, më e rëndësishme është gara kozmike. Rezultat i saj ishte vajtja e njeriut në kozmos.
* * *
“Arkipelagu Gulag” është një përpjekje për ta pasqyruar historinë e represalieve në Bashkimin Sovjetik në periudhën e viteve 1918-1956. Duke u nisur nga rrethanat e përgjithshme në Bashkimin Sovjetik të atëhershëm dhe nga historia e institucioneve të burgut në Rusi, Sollzhenicini flet për njërën nga krimet më monstruoze të shekullit XX. Kush është burgosur, si ka rrjedhur marrja në pyetje, hetuesia, në ç’mënyrë është kryer transporti i të burgosurve, si ka qenë jeta e të burgosurve nëpër llogore, kush kanë qenë gjyqtarët dhe xhelatët, çfarë krimesh janë kryer dhe si ka rrjedhur jeta pas lirimit nga burgu. Kjo është vetëm një pjesë e vogël e temave që i prek ai në këtë libër.
Siç shihet edhe nga nëntitulli i librit, “Arkipelagu Gulag” është një përpjekje e hulumtimit letrar. Në thelb, kjo është një përzierje e kronikës historike dhe politike me dëshmitë e vetë autorit dhe të mbi dyqind të burgosurve që kanë mbijetuar. “Arkipelagu Gulag” është një udhërrëfyes i shkruar në mënyrë koncize, të thuktë që e shpie lexuesin nëpër historinë e tmerrshme ruse të shekullit XX. Është edhe një arritje letrare brilante, që pasqyrohet nëpërmjet rrëfimit të autorit dhe të të burgosurve të tjerë. Të dënuarit në “Arkipelagun Gulag” nuk kërkojnë prej askujt që të tregohen të mëshirshëm ndaj tyre, të tregojnë dhembshuri ndaj tyre. Ata kanë zemër të fortë dhe nuk i rrok plogështia as përloten.
Sollzhenicin shkruan: “Asnjë s’ka qarë. Urrejtja i thanë lotët… Në burg duhet hyrë pa u dridhur për jetën e ngrohtë të braktisur. Në çastin kur e kalon pragun, duhet t’i thuash vetes: Jeta ime ka marrë fund, pak më herët seç duhej, por s’kemi ç’të bëjmë. Në liri s’kam për t’u kthyer kurrë. Jam i dënuar të shkatërrohem, tani apo pak më vonë, që është ende më keq; sa më parë – aq më mirë. Tanimë s’më ka mbetur gjë”.
“Arkipelagu Gulag” është një prej veprave më me ndikim të shekullit XX. Ç’paraqet sot kjo vepër? Mos është vetëm përmendore e një kohe të perënduar dhe rrëfim për marrëzinë që çoi në vdekje miliona njerëz? Edhe pse sot nuk ka Gulag, liritë e njeriut janë të rrezikuara pikërisht si gjysmë shekulli më parë. Për Rusinë e atëhershme, Sollzhenicini shkruan: “Atdheu ynë është i tillë: për ta shtyrë tre arshinë drejt tiranisë, të duhet vetëm ballin ta mbështesësh dhe të kollitesh një herë; ndërsa për ta kthyer sa një thua nga liria – duhet të bresh njëqind që dhe t’i hysh me shkop secilit prej tyre”. A ka dallim e sotmja? Dhe kjo s’ka të bëjë vetëm me Rusinë. Mos janë jetët e njerëzve në përgjithësi po kaq të hidhura? A mund me një fjali të vetme të karakterizohet e tërë historia e Rusisë? Vend i mundësive të shuara. A e ka mësuar bota, e sidomos rusët, leksionin që ua ka dhënë Sollzhenicini? Në veçanti atë për vlerën e lirisë. Leksionin për mospranimin e tiranisë. Për gatishmërinë e individit që për qëndrimet e veta dhe për të vërtetën, të pësojë, të paguajë çmim apo të sakrifikohet, siç ka vepruar Sollzhenicini?
“Arkipelagu Gulag” është rrëfim për shkrimtarin i cili talentin letrar të vet nuk e ka njollosur me zgjedhje morale dhe politike të gabuara. Pikërisht për këtë vepra ka vlerë edhe sot. Ajo vërtet është një rrëfim për një të keqe të kaluar, por është edhe paralajmërim se ajo e keqe shumë lehtë mund edhe të përsëritet.
“E kemi për detyrë që ta dënojmë publikisht çdo ide që dikush të ushtrojë dhunë ndaj dikujt tjetër. Duke heshtur para të keqes, duke e ngulfatur brenda nesh që të mos del jashtë, ne e mbjellim, kështu që ajo një ditë do të shfaqet në një formë shumë të rëndë. Duke mos e dënuar të keqen… ne nën këmbët e brezave të rinj i rrëmojmë themelet e drejtësisë. Të rinjtë përshkohen nga ideja se këtu batakçillëku kurrë nuk ndëshkohet. Përkundrazi, është burim i mirëqenies. S’do të mbetet hapësirë për të qëndruar, do të jetë tmerr të jetosh në një vend të tillë” – shkruan Sollzhenicini.
* * *
Regjimi i Stalinit së pari iu vërsul grupeve opozitare brenda partisë, shkatërroi inteligjencën që mendonte me kokën vet, shkatërroi kishën, mbylli pas grilave miliona njerëz, krijoi mekanizma të fabrikimit të dokumenteve historike, në mbarë territorin e BRSS-së organizoi kampe speciale – gulagë. Mu aty, në atë hapësirë, mbin një letërsi e shkruar me gjakun dhe me ndërgjegjen e individëve. Poeti dhe shkrimtari sovjetik Aleksandar Tvardovski (1910-1971) u detyrua të mohonte familjen për arsye se babai i tij ishte dënuar si kulak. Ai thotë: “Të mos lejojmë që vetëdija jonë të bjerrë në gjumë. Medoemos Kujtesa medoemos të shkruhet dhe të sigurohet, me sinqeritet dhe vërtetësi. Konformizmi dhe frika prodhojnë krim, e shtojnë atë. Në kamp përqendrimi ka jetuar e tërë Rusia. Gjenocidi shpirtëror dhe psikik ka qenë i tmerrshëm.
“Arkipelagu Gulag” është një akuzë e madhe, jo ndaj individëve të caktuar, por ndaj të gjithë atyre të cilët duke u nënshtruar, duke heshtur, duke u pajtuar me të keqen dhe duke e pranuar të keqen bëhen pjesëmarrës të përhapjes së të keqes totale. U rrit vetëdija për faktin se një njeri i vetëm nuk mund t’i mbajë në frikë miliona njerëz. Atëherë, kush e mban atë regjim? Cilët mekanizma e vënë në lëvizje? Historiani rus Vlladimir Kozllov (1950-), “Arkipelagun Gulag” e ka quajtur simbol universal të së keqes totale.
* * *
Romani i shkurtër “Një ditë nga jeta e Ivan Denisoviçit”, është kryevepër, ndërsa “Arkipelagu Gulag” në asnjë pikëpamje nuk ngec pas kapitujve inferrnalë të “Komedisë hyjnore” të poetit italian Dante Aligieri (Dante Alighieri, 1265-1321). Më në fund, vepra e sipërthënë e shkatërroi entuziazmin e të majtës evropiane për eurokomunizëm.
Shekulli XX ishte shekull i llogoreve dhe i tmerreve. Për të janë shkruar shumë libra. Janë xhiruar edhe filma. Por, shumë pak dokumente kanë folur në mënyrë aq të gjallë për regjimet totalitare dhe për sistemet e burgosjes së njerëzve, si vepra gjigante e klasikut bashkëkohor rus, Sollzhenicinit.
Duket sikur njerëzit kanë harruar se ç’ka ndodhur në shekullin XX në kampet e Gulagut. Sollzhenicini në atë shekull e investoi edhe jetën e vet. Vuajti dënime duke filluar nga Lubjanka dhe duke përfunduar në Kolimnë. Atje i kaloi mbi tetë vjet dhe bëri një studim rrëqethës për të keqen që njeriu ia ka shkaktuar njeriut. Sistemin e Stalinit e kanë paguar me jetë miliona njerëz. Të keqen gjithmonë duhet kujtuar në mënyrë që të mos përsëritet.
* * *
Josif Brodski për Sollzhenicinin:
“Të gjitha drejtimet letrare i kanë periferitë e veta dhe qendrat, përkatësisht kulmet e veta. Autorin e librit Arkipelagu Gulag unë do ta quaja gjeni të “realizmit socialist”. Po qe se pushteti sovjetik nuk e ka pasur Homerin e vet, atëherë këtë e ka fituar në personalitetin e Sollzhenicinit. S’ka dyshim se ky libër, në radhë të parë është shkruar për lexuesin rus, por të merret kjo si arsye që ai të mos lexohet, do të ishte njësoj si të heqësh dorë nga të lexuarit e Iliadës për shkak të mosnjohjes së mitologjisë greke dhe për arsye se emrat e heronjve të saj vështirë shqiptohen. Emërtues i përbashkët për këto dy vepra është tema e shkatërrimit: në rastin e parë – të qytetit, ndërsa në rastin e dytë – të kombit. Është e mundur që për dymijë vjet të lexuarit e GULAG-ut do të jetë po aq i këndshëm sa edhe leximi i Iliadës sot. Por, po qe se GULAG-un nuk e lexojmë sot, është më se e mundur të ndodhë që shumë më parë se dymijë vjet të mos ketë kush ta lexojë asnjërën prej tyre”.
Shënim: Josif Aleksandroviç Brodski (ose Joseph Brodsky, 1940-1996) është poet dhe eseist rus dhe amerikan. Lindi në Leningrad (Sankt Petersburg). Vdiq në Nju-Jork. U varros në varrezat I’Isola di San Michele në Venecie. Është pasardhës i një familjeje hebraike. Nuk dëshironte të ndjekë shkollimin. Në vitin 1964 u dënua me pesë vjet punë të detyrueshme. U dërgua në llogoren afër Arhangjelskës. Në vitin 1972 e lë Bashkimin Sovjetik. Vajti në Vjenë dhe në Londër. Që andej, në ShBA. Si anëtar nderi punoi në Universitetin Yale. Në vitin 1979 u bë anëtar i American Academy and Institute of Arts and Letters. Më 1980 mori shtetësinë amerikane. Më 1987 mori çmimin “Nobel”.
* * *
Romani “Një ditë e Ivan Denisoviçit” – Para pesëdhjetë vjetëve, autoritetet sovjetike e lejuan botimin e romanit të shkurtër “Një ditë e Ivan Denisoviçit” të Solzhenjicinit. Publiku u shokua nga detajet, deri atëherë të fshehura, për jetën në llogoret apo në kampet e Stalinit. Në nëntor të vitit 1962, kryetari i BRSS-së Nikita Sergejeviç Hrushçov (1894-1971) kërkonte një simbol të fuqishëm që do t’i ndihmonte fushatës së tij të rrezikshme për t’i dhënë fund ndikimit afatgjatë të Stalinit (Josip Visarionoviç Xhugashvili Stalin, 1879-1953) në jetën politike dhe kulturore. Atë e gjeti në librin e Solzhenjicinit, atëherë një autor i panjohur. Një vit më parë, d.m.th. më 1961, Hrushçovi i dënoi publikisht krimet e diktatorit të vdekur dhe urdhëroi që trupi i tij, nga mauzoleu i Leninit të zhvendoset në Sheshin e Kuq. Por, Hrushçovi dëshironte që t’u japë edhe një goditje të fuqishme konservatorëve tëpartisë komuniste. Pas një ngurimi të gjatë, Hrushçovi e lejoi botimin e librit të sipërthënë në të cilin përshkruhet një ditë pas mureve të kampit, nga jeta e njeriut të dënuar pa të drejtë.
“Një ditë e Ivan Denisoviçit” u botua më 18 nëntor 1962 në revistën prestigjioze “Novy Mir”. Ndikimi i kësaj vepre për tmerret në kamp, e para e botuar në Bashkimin Sovjetik, ishte i jashtëzakonshëm. Shkrimtari dhe kritiku letrar rus Benedikt Sarnov (1927-2014) thotë: “Solzhenjicini ishte për ne një kometë e rënë nga qielli. Kjo vepër në të vërtetë është një ngjarje e madhe“. Publiku bënte çmos për ta gjetur revistën. Mijëra njerëz, përfshi edhe ish-të burgosurit dhe të afërmit e atyre që ishin deportuar apo ishin ekzekutuar, i shkruanin autorit dhe kryeredaktorit, me dëshirë që t’i publikojnë tregimet e veta. Solzhenjicini e kishte shkruar tregimin në vitin 1959, duke u bazuar në përvojën e vet gjatë tetë vjet qëndrimi në kampet e punës.
“Babi im ka vdekur në burg kur unë kam qenë pesë vjeç. Ajo që më ka goditur te “Ivan Denisoviçi” është fakti se bëhet fjalë për gjërat për të cilat kanë folur madje edhe shokët e tim ati, duke përfshirë edhe ata të cilët kanë qëndruar një kohë të caktuar nëpër kampe”, thotë ish-disidenti sovjetik dhe historiani rus Arseni Roginski (Arseny Roginsky, 1946 – Izrael, 2017).
Vepra shumë shpejt i solli famë Sollzhenicinit dhe u përkthye në shumë gjuhë të botës. Hrushoçovi ia doli të arrijë qëllimin. Shenjat e dobësimit të ndikimit të Stalinit nisën të duken si në BRSS, ashtu edhe në vende të ndryshme të botës. Kjo paralajmëroi fundin e epokës së Stalinit. Por, kjo nuk zgjati shumë. Brenda pak muajve, Hrushçovi gjithnjë më tepër filloi të anonte nga konservatorët. Temën e kampeve e shpalli “të rrezikshme për shoqërinë”, duke thënë se gabimet e Stalinit duhet të theksohen, po aq sa edhe arritjet e tij.
Tregimet e tjera për jetën në kampe, si për shembull “Tregime nga Kolimi” të shkrimtarit rus i cili mbijetoi Gulagun, Varlam Tihonoviç Shalamov (1907-1982) apo autobiografia me titull “Udhëtim në vorbull” e autores ruse e cila 18 vjet vuajti dënim në Gulag, Evgjenia Ginzburg (Yevgenia Solomonovna Ginzburg, 1904-1977), nuk u botuan deri në ardhjen e perestrojkës.
“Po të mos e kishte sulmuar Hrushçovi Stalinin mu në atë moment, tregimi im kurrë s’do të ishte botuar”, ka deklaruar më vonë Sollzhenicini.
Mirëpo Hrushçovi nuk ka mundur të parashikojë se duke zbatuar politikën e vet antistaliniste me ndihmën e tregimit të autorit të ri, do t’i ndihmonte Sollzhenicinit të shkruajë librin “Arkipelagu Gulag” për represionin gjatë kohës së Leninit dhe të Stalinit. “Kur libri ‘Një ditë në jetën e Ivan Denisoviçit’ u paraqit për herë të parë, më erdhën mijëra letra dhe dëshmi. Fillova të këmbej letra me autorët e tregimeve më mbresëlënëse. E kuptova se fati ma dërgoi pikërisht atë që më duhej – materialin për ta shkruar Arkipelagun”, ka thënë Sollzhenicini në një intervistë.
Në vitin 1964, Hrushçovi zëvendësohet nga Leonid Brezhnjevi (1906-1982). Për Sollzhenicinin, rrethanat ndryshuan në mënyrë drastike. “Ivan Denisoviçi” tanimë nuk gjendej në biblioteka. Librat u asgjësuan. Faqet e revistës në të cilat ishte shkruar tregimi, u grisën, ndërsa titulli dhe emri i autorit në regjistrin e përmbajtjeve, ishin shlyer. Deri në mbarim të epokës sovjetike, tregimi dhe veprat e tjera të Sollzhenicinit, kanë qarkulluar vetëm nëpërmjet veprimtarive botuese të disidentëve, të quajtura samizdat. Gjatë qeverisjes së presidentit të parë të Federatës Ruse, Boris Jelcin (1931-2007), në Rusinë post-sovjetike, libri i sipërthënë zyrtarisht u përfshi në lektyrë shkollore të detyrueshme, ku ndodhet edhe sot.
Burgosjet për shkak të bindjeve politike– Për shkak të bindjeve politike, Fjodor Mihajlloviç Dostojevski (1821-1881) u burgos qysh në Rusinë cariste, ndërsa në epokën e stalinizmit përfunduan në gulag shkrimtarët Mandelshtam, Shalamov, Danil Harms etj. Rusia ishte shndërruar në një llogore apo kamp të madh, në të cilin njerëzit ngulfateshin. Çdo gjë i ishte nënshtruar reglementimit (rregulloreve) dhe rregullave. Inxhinierët e shpirtrave njerëzore kishin përcaktuar se si duhej punuar, ç’duhej shkruar, si të shkruhej, përse duhej menduar dhe në ç’mënyrë duhej menduar. Poeti rus dhe sovjetik me prejardhje hebraike Osip Mandelshtam (Varshavë, Poloni, 1891 – 1938), arrestohet dhe dënohet me punë të detyruar. Vdes në një kamp përqendrimi afër Vlladivostokut. Shkrimtari avangardist sovjetik, Danil Harmsi (Daniil Kharms, 1905-1942) nuk ishte shembulli i vetëm i artistit rus të cilin pushteti e kishte shpallur të çmendur, duke e mbyllur në klinikat e të marrëve. Në vitet ’30 të shekullit XX, shkrimtarit dhe dramaturgut rus Mihail Bullgakov (Kiev, 1891 – Moskë, 1940), autor i romanit “Mjeshtri dhe Margarita”, të publikuar në mënyrë të plotë më 1969, iu ndalua të botonte, ndërsa dramat iu hoqën nga repertorët e teatrove. Romancieri dhe dramaturgu rus me prejardhje ukrainase, Nikollaj Gogol (Nikolaj Vasileviç Gogol, 1809-1852) vdiq në agoni. Poeti rus dhe sovjetik, themelues i futurizmit rus, Vlladimir Majakovski (1893-1930 ), poeti rus, një prej themeluesve të grupit të imazhistëve Sergej Esenin (1895-1925) dhe poetja e simbolizmit rus Marina Cvetaeva (1892-1941) – vranë veten. Tregimtarin rus Evgenij Zamjatin (1884-1937) e internuan. Fushata kundër tij arriti kulmin në vitin 1929 për romanin distopik “My” (1924) të botuar jashtë Rusisë. Më 1931 iu lejua të emigrojë. Vdiq në Paris. Poeti dhe romancieri rus me prejardhje hebraike Boris Pasternak (1890-1960) ka qenë në një lloj internimi dhe persekutimi shpirtëror vullnetar, i detyruar ta refuzojë çmimin “Nobel”. Poetja ruse e modernizmit apo e akmeizmit Ana Andreevna Gorenko, e njohur si Ana Ahmatova (1889-1966) me dekada ka qenë e detyruar të heshtë. Ajo me dekada i mbante në mend vargjet e saj, për t’i shkruar dhe për t’i botuar kur të vijnë kohë më të mira. Shembuj të tillë ka pa fund.
Qëndrime të diskutueshme apo edhe të gabuara – Historia e letërsisë është një breviar i qëndrimeve politike të gabuara, shpeshherë edhe monstruoze. Shembull tipik është antisemitizmi i shkrimtarit, fizikanit dhe polemizuesit francez Lyi-Fernand Selin (Louis-Ferdinad Auguste Destouches, i njohur me pseudonimin Céline, 1894-1961) i shprehur në veprën “Stringla për një masakër” (Bagatelles pour un massacre), botuar më 22.12.1937. Në këtë vepër, Selini bën thirrje të hapur për “luftë kundër rrezikut që vjen prej hebrenjve dhe prej judë-bolshevikëve”. Më 1939 vepra u tërhoq nga shitja. Me stilin e të shkruarit, Selini ushtroi ndikim mbi autorët e ekzistencializmit, të modernizmit, të komedisë së zezë dhe të brezit bit (The Beat Generation). Konsiderohej ikonë e kulturës. Meqë kishte mbështetur Fuqitë e Boshtit, Gjermaninë naziste, u eliminua nga skena letrare.
Filozofi gjerman Martin Hajdeger (Martin Heidegger, 1889-1976), në fillim të viteve ’30 të shekullit XX, ka pasur lidhje të caktuara me nazizmin. Ekzistencialisti gjerman, Hajdeger, kontribuoi në interpretimin e veprës së Fridrih Niçes (Friedrich Wilhelm Nietzssche, 1844-1900). Bashkë me filozofin gjerman, me prejardhje hebraike, themelues i fenomenologjisë, Edmund Huserl (Edmund Gustav Albrecht Husserl, 1859-1938), konsiderohen filozofë më me ndikim të traditës kontinentale.
Zhan-Pol Sartri (Jean-Paul Sartre, 1905-1880), Simon dë Bovuar (Simone de Beauvoir, 1908-1986 ) dhe laureati i çmimit “Nobel” Andre Zhid (André Gide, 1869-1951), edhe pse kishin njohuri për krimet masive dhe Gulagun në Bashkimin Sovjetik, megjithëkëtë shkonin në Moskë. Sartri shpesh ka shkuar në Moskë, e ka mbështetur revolucionin kuban dhe revolucionin kulturor kinez. (Në vitin 1964 Sartri e refuzon çmimin “Nobel”. Sipas tij, lidhja ndërmjet autorit dhe lexuesit s’ka nevojë për ndërmjetësues).
Për burgun famëkeq Goli otok, shkrimtari i madh kroat dhe jugosllav Mirosllav Kërlezha (Miroslav Krleža, 1893-1981) – heshti. Goli otoku është një ishull i vogël shkëmbor në bregdetin kroat, pranë ishullit Rab. Pas konfliktit midis Stalinit dhe Titos dhe pas Rezolutës së Informbyrosë, komunistët jugosllavë themeluan në ishull llogore. Me fjalë të tjera, ishulli u shndërrua në burg famëkeq. Aty vuanin dënimin informbyroistët, njerëz të akuzuar si ithtarë të Stalinit. Goli Otoku u shndërrua në sinonim të ferrit. U vu në funksionim më 9 korrik 1949. Funksionoi deri në vitin 1956. Burgu administrohej nga UDB-ja (Uprava državne bezbednosti – Drejtoria e Sigurisë së Shtetit). Nëpër këtë burg kanë kaluar rreth 13000 njerëz. Prej tyre, 287 vetë kanë vdekur në burg. Sipas të dhënave të caktuara, disa prej tyre janë ekzekutuar. Pas vitit 1956, burgu i Goli Otokut është shndërruar në burg “normal” ku kanë vuajtur dënimin kriminelët, por edhe disa të burgosur politikë të mëvonshëm. Përfundimisht është mbyllur në vitin 1988.
Shkrimtarët serbë – Miodrag Bullatoviq (Miodrag Bulatović, 1930-1991), mbështetës i verbër i Sllobodan Millosheviqit dhe Branimir Shqepanoviq (Branimir Šćepanovič, 1937-2020), në fund të viteve ’80 të shekullit XX ndërmorën një fushatë të egër kundër shkrimtarit Danillo Kish (Danilo Kiš, 1935-1989). Kishi u paraqit kundër nacionalizmit serb. Vjen nga një baba hebre dhe nga nëna malazeze. U detyrua ta lërë Beogradin dhe të vendoset në Paris. Kadare rrëfen për takimin me të në Paris. Vdiq në Paris, u varros në Beograd. Me përjashtim të disa shkrimtarëve serbë me prejardhje hebraike, pothuajse asnjë shkrimtar tjetër serb, nuk e mori në mbrojtje Kishin.
Para Gulagut, Sollzhenicini nuk heshti.
* * *
Solzhenicini, shkrimtar për “të huaj” – Shumë rusë e kanë quajtur Sollzhenicinin shkrimtar për “të huaj”. Jo të gjithë e konsiderojnë patriot të atdheut të vet. Ia zënë për të madhe biografinë dhe punën, të orientuara kah ideologjia perëndimore. Pjesa më e madhe e veprave të tij kanë parë dritë, jo në Bashkimin Sovjetik, por në Perëndim. Ka shumë që e kanë fajësuar si person që ka luftuar kundër sistemit, kur vendi ndodhej në kolaps. E fajësojnë edhe për mbështetjen që ka pasur nga Radio Liberta, Zëri i Amerikës, Vala gjermane, “BBC” (sektori rus), “State Department” (sektori rus), Pentagoni (sektori i propagandës) etj.
* * *
Solzhenicini, njeri me pikëpamje kontradiktore – Top of Form * * Pas një karriere letrare të shkëlqyer, Sollzhenicini shkroi libra publicistikë në të cilët u mor me kombin rus, me shtetin rus dhe me ortodoksinë. Shumë simpatizues të tij ia kanë mbajtur për të madhe radikalizmin fetar dhe e kanë etiketuar si fundamentalist i ortodoksisë.
Shkrimtari rus Viktor Jerofejev (1947-), dikur e adhuronte Sollzhenicinin. Për të tjerët, Sollzhenicini ka qenë idhull, yll i letërsisë, luftëtar i guximshëm kundër padrejtësisë politike, ndërsa për Jerofejevin ka qenë Zot. Por më vonë, për shkak të afrisë së autorit të Gulagut me kryetarin Vlladimir Putin (1952-), nisi ta kritikojë. Ai që në kohët më të errëta dhe më heroike u përplas me shtetin e fuqishëm sovjetik, me t’u kthyer nga egzili, nisi ta dëmtojë autoritetin hyjnor që gëzonte.
Sollzhenicini është autentik kur ia zbulon lexuesit anën jonjerëzore dhe kriminale të një formacioni shoqëror, por është ideologjik, kur e braktis përvojën e vet letrare.
Midis shumë komentuesve të pikëpamjeve dhe të qëndrimeve të këtij krijuesi, njëri thotë: “Ka qëndrime sa të duash. Lexoni veprat e tij, aty i keni të gjitha”.
Sollzhenicini kundër vlerave moderne të Perëndimit dhe Alternativave liberare evropiane.
Me veprat e tjera të Sollzhenicinit, punët janë pak më të ndërlikuara. Në tregimin “Oborri i Matrenës”, autori në një anë është kundër ideologjisë mbizotëruese të BRSS-së, por në anën tjetër është edhe kundër vlerave moderne të Perëndimit. Autori në një anë demaskon krimet sovjetike, por në anën tjetër hedh poshtë alternativat liberale evropiane.
Afria midis Sollzhenicinit dhe Vlladimir putinit – Sollzhenicini të cilin sovjetikët dikur e përzunë në Perëndim, gjithnjë më tepër i është kundërvënë demokracisë perëndimore moderne. Fjala “pluralizëm” për të ka qenë e neveritshme. Ishte orientuar kah vlerat krishtere ashtu siç i kuptonte vetë ai. Si të tillë, e kishte përvetësuar Putini. Gjoja paskëshin qenë të një mendimi se Rusia duhet t’ia kthejë shpinën rrugës evropiane. Autori i Gulagut, me urdhrin e pavdekshëm të kampit “mos beso, mos kij frikë, mos lut”, tani i besoi ish-kolonelit të KGB-së, i cili kishte punuar për organet e shtypjes, duke e autorizuar veten të ndërtojë “një botë ruse” sipas ideve të veta. Kjo shkaktoi zemërimin e opozitës ndaj Sollzhenicinit, duke i gëzuar njëherazi të gjithë mbështetësit e një Rusie si fuqi e madhe.
Shënim: Në vitin 1979 Viktor Jerofejevi u përjashtua nga Shoqata e shkrimtarëve të BRSS-së. Është përkthyer në 27 gjuhë të botës. Jeton në Moskë dhe e ndjek në mënyrë kritike politikën e qeverisë ruse dhe të kryetarit Vlladimir Putin.
* * *
Duhet shtuar se politika e Putinit nuk dallohet shumë nga ajo e paraardhësve të tij sovjetikë. Ai e ka kufizuar veprimin politik të opozitës ruse, e ka kufizuar hapësirën demokratike, pothuajse e ka ndaluar mendimin ndryshe, i burgos oponentët politikë të tij, oponentët politikë i konsideron spiunë dhe mercenarë të Perëndimit, zgjidhet dhe rizgjidhet kryetar Rusie, kur të dojë dhe sa herë të dojë. Putini, sikur dëshiron ta rimëkëmbë ish-Bashkimin Sovjetik. Midis tij dhe Stalinit, nuk ka shumë dallim. Gjatë gjithë historisë së vet, Rusia asnjë çast nuk ka qenë demokratike. Ajo është vite drite larg demokracisë. Demokratizimin e Rusisë, politika ruse e kupton si kapitullim para fuqive perëndimore. Armatimi është paranojë e politikës ruse.
Qëndrimi i Sollzhenicinit lidhur me Kosovën – Gazeta “Novosti” (“Новости”) e Beogradit ka kërkuar nga Sollzhenicini që t’i drejtohet publikisht popullit serb, posaçërisht serbëve të Kosovës. Shkrimtari ishte 90 vjeç dhe shëndetlig. Për prononcimin e tij njofton korrespondenti i gazetës “Novosti” nga Moska, më 20.02.2008. Shkrimtari vdiq pas disa muajve, më 03.08.2008. Letrën e paska dorëzuar gruaja e shkrimtarit Natalia Dimitrievna Solzhenitsyna. Ajo paskësh thënë: ”Dhimbja dhe brengosja jonë është e natyrshme për arsye se ne rusët dhe serbët jemi një popull… Sollzhenicini është prononcuar kundër Perëndimit edhe pas bombardimit të Serbisë, edhe tash…”
Sollzhenicini paska shkruar:
“Serbëve të cilët mbeten të jetojnë në tokën historike, padrejtësisht të shkëputur, në krahinën e Kosovës,
Në vitet e kaluara të paradokohshme ju tanimë keni përjetuar rrënimin dhe shkatërrimin e tempujve, djegien e shkollave serbe dhe dhunë e vrasje të drejtpërdrejtë. Zoti t’jua ruajë guximin që të qëndroni edhe në të ardhmen pranë varreve të të afërmve tu”
* * *
E veja e Sollzhenicinit, Natalia Dimitrievna (Natalya Dimitrievna Solzhenitsyna, 1939-) i fajëson liderët e Rusisë moderne, Mihail Gorbaçovin (1931-) dhe Boris Jelcinin (1931-2007) për faktin se nuk ia kanë dalë që vendin ta ballafaqojnë me të kaluarën. “Nuk kanë bërë kurrfarë destalinizimi. Në shkallë shteti askush dhe asnjëherë nuk e ka shpallur komunizmin si krim apo Stalinin si tiran i cili ka luftuar kundër popullit të vet. Tani nuk është koha për fjalë” – thotë ajo. Edhe kjo është kontradiktore si burri i saj Sollzhenjcini. Nuk mund të kërkosh nga Gorbaçovi dhe nga Jelcini destalinizimin e Bashkimit Sovjetik, duke mbyllur gojën para Putinit, i cili duket sikur synon ta rimëkëmbë epokën sovjetike, për të cilin Stalini nuk ka qenë i keq.
Shkrimtari dhe gazetari Korotiq thotë: “Pas rënies së Bashkimit Sovjetik, e tërë Evropa Lindore u përpoq t’i japë fund mënyrës komuniste të jetesës, por jo edhe Rusia. Rusia kishte nevojë për një proces Nyrnbergu si në Gjermani. Por, kurrë s’e pati. Derisa të mos fillojmë të flasim për problemet e komunizmit në shkallën që e filloi Sollzhenicini para 50 vjetëve, do të vazhdojmë të jetojmë në këtë vend gjysmësovjetik, e cila dëshiron të bëhet pjesë e njerëzimit, por që ka frikë nga informacionet për historinë e vet” .
Veprat
- “Një ditë e Ivan Denisoviçit” ose “Një ditë nga jeta e Ivan Denisoviçit” (1962), roman i shkurtër. Kur u botua, në botën letrare shkaktoi tërmet në përmasa planetare. Vepra shënoi kthesë në historinë e Bashkimit Sovjetik. Pas kësaj vepre, shkruan një varg romanësh, përmbledhjesh me tregime dhe studime historike: “Në rrethin e parë”, “Reparti i kancerit”, “Doje revolucionin”, “Rrota e kuqe”…
- “Arkipelagu Gulag” – Në vitin 1932, të burgosurit punojnë në ndërtimin e Bellomorkanalit.
- “Oborri i Matrenës” (Matrenin dvor, 1963); heroinë e veprës është një grua e thjeshtë dhe e ndershme ruse, Matrena Grigorjeva, një nga ato që përbëjnë bazën morale të popullit rus. Autori përshkruan fatin tragjik të femrës ruse.
- “Reparti i kancerit” – Është roman autobiografik. U shkrua në vitet 1963-1966. U botua më 1968. Është dëshmi e letrarizuar e ballafaqimit me sëmundjen e rëndë, kur autori mjekohej në repartin spitalor të onkologjisë në Tashkent në vitin 1954. Për herë të parë u botua në Rusi, më pas edhe në Perëndim. Romanet “Reparti i kancerit“ dhe “Në rrethin e parë”, u shndërrua në ngjarje të madhe letrare ndërkombëtare. Vepra ndikoi që në vitin 1970 autori të vlerësohet me çmimin “Nobel” për letërsi.
- “Në rrethin e parë” – U shkrua në vitet 1955-1858. U botua më 1968. Ngjarja zhvillohet në Moskë në tri ditë të dhjetorit të vitit 1949; demaskon sistemin stalinist të spiunimeve dhe të përgjimeve;
- “Rrota e kuqe” – Roman voluminoz që e punoi në internim. Flet për historinë e Rusisë të viteve 1914-1918.
- “Kokrrizat e bëra kokrra” (1998-2003) – kujtime;
- “Dyqind vjet bashkë”, I-II, 2001-2002. Është monografi dyvëllimëshe historiko-publicistike. E shkroi fund të karrierës së tij si shkrimtar. Në këtë vepër merret me marrëdhëniet dhe bashkëjetesën e rusëve dhe të hebrenjve në Rusinë cariste dhe në Bashkimin Sovjetik, që nga fundi i shekullit XVII deri në fund të shekullit XX. Libri pati jehonë të madhe, si në Rusi ashtu edhe në Evropë. /portalb.mk
ObserverKult
________________________
Lexo edhe:
SHQIPTIM POETIK I LARTËSUAR I TRAGJIKES INDIVIDUALE DHE KOLEKTIVE