Shqiptim poetik i lartësuar i tragjikes individuale dhe kolektive

Nga Anton Nikë Berisha

“Me të tilla zbulime, me fusha kaq të gjera e të mistershme për të përshkuar, me pasurimin teknik që vjen së këtejmi, me transcendencën e tij metafizike dhe me atë çka përfaqëson për njeriun e ankthshëm të kohës sonë, i cili te romani jo vetëm që sheh dramën e tij, po edhe kërkon orientim, si mund të mendohet se është një zhanër në rënie? Përkundrazi, mendoj se është veprimtaria më komplekse e frymës së sotme, më e plota dhe më premtuesja në atë përpjekje për të zhbiruar dhe shprehur dramën e tmerrshme që na ka rënë për hise ta jetojmë”. /Ernesto Sabato

Romani lloj letrar i ndërliqshëm që ndryshon vijimisht

Të gjithë ata autorë që janë marrë mirëfilli me studimin e romanit kanë theksuar me të drejtë se ai, si lloj letrar poetik, paraqet njërin ndër më komplekset brenda prozës, po dhe të artit të fjalës në përgjithësi. Kjo ngjet për arsye të mundësive të shumta për shtjellime, për të mos thënë të pafund, sidomos në rrafshin e mënyrës së të shprehurit gjuhësor poetik, pastaj për shumësinë e stileve, për marrëdhënie të veçanta kushtëzuese dhe ndërvarëse të shtresave rrëfimore e të përbërësve të tjerë që përligjin tërësinë kuptimore dhe artistike të këtij lloji.

Ndërliqësia e romanit shprehet me të dhënën, sikur thotë Mihail Bahtini, se ai është zhanër që përherë e gjurmon dhe e studion veten, duke i rishqyrtuar trajtat e veta formale. Në të vërtetë, ndërlikueshmëria e këtij lloji letrar shfaqet nga se ai është kosmopolit për prirjen e tij (Vigari) dhe cilësohet me të shprehurit gjithëpërfshirës letrar. Me pak fjalë, është njëri ndër zhanret më të hapur dhe më të pakufishëm, ku rrënohen vijimisht modelet ekzistuese. Së këndejmi, nëse dëshirojmë ta rimarrim mendimin e Shkllovskit se – atë që e quajnë zhanër, përnjëmend është njësi konfliktesh (do shtuar dhe kundër konvencionale) – atëherë romani mund të shërbejë si nga më tipikët. Vepra romaneske mund të jetë pasqyrë e realitetit jetësor dhe e përvojës së krijuesit, të ndërtohet rreth një ideje, një teme ose një objekti të caktuar, por ai mund të jetë pa objekt të mirëfilltë, larg formës dhe shtjellimit tradicional.

Romani synon të jetë thesar figurash nga jeta, ose matanë saj, të afërta ose përfytyruese e mitike, shoqërore ose poetike, që çdo herë shqiptohen ndryshe. Romansierit jo vetëm i lejohet t’i shmanget llojit, po çdo gjë në tekstin që e përfton, i takon vetëm realitetit romanesk, strukturës gjuhësore shprehëse dhe sistemit të ideve, që e bëjnë atë, siç do të thoshte. H. Xhejmsi, trajtën më të mrekullueshme të artit. Pra, romani është një krijim individual, ku liria e ligjërimit është e pakufishme; në të gjakohen e shprehen dukuri të ndryshme në gjerësinë dhe në thellësinë e tyre më të skajshme. Sipas Th. Hardit, në roman shfaqet dhembja që fshihet nën gjërat më të mëdha dhe madhështia që fshihet nën gjërat më të dhembshme. Kur gjithë kësaj ia shtojmë mendimin e Floberit se “Ajo që më duket e mrekullueshme, që dua të shkruaj, është një farë libri që nuk flet për asgjë, libër që nuk ka asnjë lidhje me realitetin e jashtëm, libër që do të qëndronte vetëm me fuqinë e brendshme të stilit, sikur toka që qëndron pezull dhe nuk e mban asgjë”, atëherë përforcohet dhe më tej shumësia (polifonia) romaneske, që kushtëzoi e kushtëzon mendime të ndryshme, shpesh kundërvënëse, mbi veçantitë e natyrës së tij, veçmas mbi transformimin që ai përjetoi prej kohës së lindjes e deri më sot. /fjala.info

ObserverKult

___________________________

Lexo edhe:

NOVACIONET NË TREGIMET E GËZIM ALIUT