Përkujtohet shkrimtari Zef Jubani, ideologu i Rilindjes Kombëtare

Si sot më 1 shkurt të vitit 1880, u nda nga jeta një prej ideologëve të Rilindjes Kombëtare, Zef Jubani.

Veprimtaria e tij patriotike buron nga shëmbëlltyra e të atit, Ndok Ilisë. Ai pati marrë pjesë në luftimet e zhvilluara në vitin 1786, mes forcave të Kara-Mahmud Pashës dhe ushtrisë osmane. Ndok Ilia u bashkua në martesë me një shtetase nga Malta, duke u trashëguar nga Zefi dhe dy vëllezërit e tij.

Jubani i kreu studimet në shkollën tregtare të vendit të origjinës mëmësore. Më pas, do të kthehej në qytetin e tij të lindjes, në Shkodër. Aty nisi angazhimin në detyra të shumta. Në vitin 1948, ai nisi të punonte si sekretar në konsullin francez të qytetit. Ai u bë asistent e zëvendës i konsullit të Mbretërisë së Bashkuar më 1853.

Gjithashtu, Jubani ka shërbyer si nëpunës, ekonomist, folklorist dhe shkrimtar. Ndërkaq, ka dhënë kontribut thelbësor në themelimin e organizatës së shegertëve “Shoqëria ndihmëtare” në Shkodër. Në orvatjen e vazhdueshme për lirinë e vendit ndaj zgjedhës së huaj, Jubani bashkëpunoi në organizimin e lëvizjes antiosmane të Mirditës, në vitin 1862.

Vepra e tij letrare karakterizohet nga një diametër identitar, që hedh dritë mbi pasurinë folkorike dhe përpjekjet për pavarësi të shqiptarëve. Në këtë frymë, ai shkroi serinë e publikimeve:

“Përmbledhje këngësh popullore dhe rapsodi poemash shqiptare”, “Aktualiteti i popullit të Shqipërisë së Veriut” dhe “Kundrime mbi gjendjen morale dhe intelektuale të popullit shqiptar”. Qe autor edhe i librave të tjerë me tematikë historike, mes të cilëve “Histori e Gjergj Kastriotit”, mbeti i papërfunduar.

Në vitin 1868, nga galeria e paraardhësve të shquar të shqiptarëve, ai zgjodhi t’i kushtonte një poezi Elena Gjikës (Dora d’Istria) të titulluar “Princesha prej fisit të Zotnive të Shqipnisë – Kangë lavdit për të nderueshmen Zojë e dijetare në shkrim Dora d’Istria”.

Domosdoshmëria e “rilindjes së letërsisë” ka qenë tema qendrore e diskutimeve që Jubani ka pasur me shkrimtaren e publicisten Gjika.

Sipas tij, krijimi i një alfabeti të përbashkët për shqiptarët ishte parakusht për zhvillimin e letërsisë kombëtare. /ATSH

_____________________

Lexo edhe:

KJO ËSHTË KËNGA E ZEF JUBANIT KUSHTUAR ELENA GJIKËS

ObserverKult