Si i ndërtuan romakët rrugët, që ekzistojnë ende sot pas mijëra vjetësh?

Gjatë kulmit të saj nën sundimin e Septim Severit në vitin 211 të Erës Sonë, Perandoria e plotfuqishme Romake shtrihej në pjesën më të madhe të Evropës, nga Atlantiku në Malet Urale, dhe nga Skocia e sotme deri në Sahara në Afrikë dhe Gjirin Arabik.

Faktori vendimtar për ruajtjen e sundimit mbi një perandori kaq të madhe ishte rrjeti i madh dhe i ndërlikuar i rrugëve të Romës, që mbeti i pashembullt edhe 1 mijë vjet pas rënies së saj.

Vlerësohet se rrjeti rrugor romak ishte më shumë se 400.000 kilometra i gjatë, nga të cilat mbi 80.000 km ishin të shtruara me gurë. Në këto akse të mrekullueshme nga pikëpamja inxhinierike, transportoheshin mallra dhe shërbime në mënyrë të shpejtësi dhe të sigurt.

Po ashtu ato e lidhnin Romën, “kryeqytetin e botës”, me skajet më të largëta të perandorisë, dhe lehtësonin lëvizjet e trupave si për mbrojtjen e kufirit po ashtu edhe për zgjerimin e perandorisë.

Edhe pse nuk ishin romakët ata që shpikën ndërtimin e rrugëve, ishin pikërisht ata që e ngritën këtë infrastrukturë të Epokës së Bronzit në një nivel krejtësisht të ri të mjeshtërisë. Shumë prej këtyre rrugëve që ata projektuan dhe ndërtuan, janë baza e autostradave që shohim sot.

Këtu përfshihen Via Flaminia dhe Fosse Way në Britani, të cilat kanë ende një fluks makinash, biçikletash dhe këmbësorësh. Përgjigja për jetëgjatësinë e tyre qëndron në saktësinë e inxhinierisë romake. Ashtu si sot, rrjeti romak i transportit përbëhej nga lloje të ndryshme rrugësh, secila me të mirat dhe të këqijat e saj.

Ato varionin nga rrugët e vogla lokale të pashtruara deri tek autostradat e gjera, të shtruara me gurë që lidhnin qytetet, qytetet kryesore dhe pikat ushtarake. Sipas Ulpianit, një jurist romak i shekullit II-të të Erës Sonë, dhe një nga autoritetet më të mëdha ligjore të kohës së tij, kishte tre lloje kryesore rrugësh.

Së pari ishin ato që quheshin Viae publicae, pra rrugët publike ose kryesore, të ndërtuara dhe të mirëmbajtura me shpenzimet e shtetit. Këto ishin autostradat më të rëndësishme që lidhnin qytetet më të rëndësishme të perandorisë. Si të tilla, ato ishin më të përdorurat, të mbushura gjithmonë me karroca plot me mallra dhe njerëz që udhëtonin nëpër perandorinë e madhe. Por megjithëse financoheshin nga shteti, jo të gjitha rrugët publike mund të përdoreshin falas. Taksat ishin një praktikë e zakonshme në pikat kyçe të kalimit, si urat dhe portat e qytetit, duke i dhënë mundësi shtetit të mblidhte taksat e importit dhe eksportit për mallrat.

Së dyti ishin Viae militares, rrugët ushtarake. Këto ishin shumë të ngjashme me rrugët publike në aspektin e projektimin dhe metodën e ndërtimit. Ndryshimi ishte se ato u ndërtuan dhe mirëmbajtën posaçërisht nga ushtria. Pra u ndërtuan nga legjionarët, dhe ishin në përgjithësi të mbyllura për udhëtimet e civilëve.

Së treti ishin Viae private, rrugët private që ndërtoheshin dhe mirëmbaheshin nga qytetarët. Këto ishin zakonisht rrugë të pa shtruara ose me zhavorr, pasi pronarët e pronave në zonë ose komunitetet nuk zotëronin fondet dhe as aftësitë inxhinierike që të bënin rrugë shumë cilësore.

Së fundmi ishin edhe Viae vicinales, ose rrugët dytësore që shtriheshin mes përmes një fshati ose që të çonin drejt një krahine të caktuar. Rruga e parë dhe më e famshme romake ishte Via Appia (Rruga Appiane) e cila lidhte Romën me Kapuan, me një gjatësi 196 kilometra.

Via Appia ishte shumë tipike për sa i përket mënyrës sesi romakët e konceptonin ndërtimin e rrugëve. Që ato duhej të ishin gati një vijë e drejtë, duke injoruar pengesat gjeografike. Kështu segmenti nga Roma në Terraçina ishte në thelb një vijë e drejtë 90 km e gjatë.

Rrugë të tjera të rëndësishme romake përfshijnë Via Flaminia, që shkonte nga Roma në Fanum (Fano), Via Aemilia nga Placentia në Augusta Praetoria (Aosta), Via Postumia nga Akuileia në Genua (Xhenova e sotme), dhe Via Popillia nga Ariminum (Rimini) në veri të Padovas, dhe nga Kapua në Regium (Rexho Kalabria) në jug.

Këto rrugë zakonisht emërtoheshin sipas censorit romak që i shtroi ato. Për shembull, Via Appia u emërua sipas censorit Apius Klaudius Kaesus, që filloi dhe përfundoi seksionin e parë si një rrugë ushtarake në jug në vitin 312 Para Erës Sonë gjatë Luftërave Samnite, kur Roma ishte ende një qytet-shtet i sapolindur, si një mënyrë për ta dominuar gadishullin.

Ndërsa kishin edhe rrugë të lakuara kur kjo kishte kuptim për ta, romakët preferuan të zgjidhnin të ndërtonin rrugën më të drejtë të mundshme midis dy pikave gjeografike.

Por ndërtimi i një rruge të drejtë, veçanërisht në distanca të mëdha, është teknikisht shumë më sfidues nga sa mund të duket. Mensorët, që ishin në thelb ekuivalenti i topografëve të sotëm, kishin për detyrë të përcaktonin vendosjen dhe shtegun më të përshtatshëm ku duhej të kalonte një rrugë e re, në varësi të terrenit dhe materialeve ndërtimore të disponueshme.

Ata ishin të mirë-trajnuar dhe përdorën praktika të standardizuara. Për shembull, pjerrtësia e një rruge nuk mund të kalonte asnjëherë 8 gradë, për të lehtësuar lëvizjen e karrocave të rënda të mbushura me mallra.

Ndërtimi i rrugëve niste shpesh nga dy pika të njëkohshme të kundërta, që bashkoheshin përfundimisht në mes. Kur rrugët duhej të devijoheshin në mënyrë të pashmangshme për shkak të terrenit, në kthesa rrugët bëheshin shumë më të gjera, në mënyrë që karrocat që udhëtonin drejt njëra-tjetrës të mund të kalonin në mënyrë të sigurt pa i përplasur rrotat.

Rrugët romake shmangnin qëllimisht terrenet e vështira si kënetat apo brigjet e lumenjve. Kur duhej që rruga të kalonte mbi një lumë, inxhinierët romakë ndërtuan ura prej druri ose prej guri, disa prej të cilave mbijetojnë dhe janë ende sot në përdorim.

I tillë është rasti i Pons Fabricius 60 metra e gjatë që u ndërtua në vitin 62 Para Erës Sonë, dhe që lidh një ishull në lumin Tiber me bregun matanë. Në raste të tjera, u hapën tunele nëpër male, sërish sipas konceptit të rrugëve në vijë të drejtë.

Pas përfundimit të të gjitha matjeve dhe projeksioneve gjeodezike, gjeodezët romakë shënonin me piketa trajektoren e rrugës së ardhshme. Të gjitha pemët, shkurret dhe bimësia tjetër që mund të ndërhynin në ndërtimin e rrugës priteshin. Po ashtu nëse ishte e nevojshme do të thaheshin kënetat dhe priteshin pyjet.

Gjerësia mesatare e një rruge të lashtë romake ishte rreth 6 metra, edhe pse disa rrugë të mëdha publike mund të ishin shumë më të gjera. Sipas Mark Vitruvius Polio, një arkitekt dhe inxhinier i shquar romak që jetoi në shekullin e I të Erës Sonë, rrugët publike romake përbëheshin nga disa shtresa si dheu i bazamentit që ngjishej ose mbulohej me rërë ose llaç; statumeni, i përbërë nga blloqe të mëdha guri të ashpër me një trashësi 25-60 cm; rudusi, një shtresë 20 cm e trashë e përbërë nga shkëmbi i grimcuar; nucleus (bërthama), një shtresë me bazë betoni e bërë nga çimentoja, rëra dhe zhavorri, me trashësi rreth 30 cm, dhe në fund summum dorsum, shtresa përfundimtare e përbërë nga blloqe të mëdha shkëmbore 15 cm të trasha.

Rrjeti i gjerë dhe i pashembullt i rrugëve të Romës, ishte vendimtar si për zgjerimin po ashtu edhe për ruajtjen e kufijve të saj dhe për lejimin e lulëzimit të ekonomisë. Legjionet e Romës mund të udhëtonin 25-50 kilometra në ditë, gjë që u jepte mundësinë të reagonin relativisht shpejt ndaj kërcënimeve të jashtme apo kryengritjeve të brendshme.

Roma kishte madje një shërbim postar efektiv, që e shfrytëzonte në maksimum rrjetin rrugor. Duke ndërruar kuajt e lodhur me ata të freskët, një postier mund të transmetonte brenda ditës një mesazh deri në 80 kilometra larg. Nëse mesazhi ishte urgjent, ndoshta edhe më larg.

Marrë me shkurtime nga ZME Science – Bota.al


Lexo edhe:

STATUJA E VJEDHUR ROMAKE KTHEHET NË FRANCË PAS 50 VJETËSH