Me rastin e Pavarësisë së Kosovës, DokuFest ka bërë një program special me tre filma për të shënuar këtë ditë të rëndësishme.
Filmat ngritin temën e identitetit dhe shtrojnë pyetje rreth sovranitetit e përkatësisë.
Të tre filmat do ti ofrohen publikut të enjten me 17 shkurt 2022, në platformën Livestream në dokufest.com në ora 16:00 dhe 22:00.
Transmetimi do të nis me filmin e parë “I KUJT ËSHTË FLAMURI” nga Baris Karamuço i cili trajton çështjen e identitetit kombëtar për kosovarët, të cilët kanë opinione të ndryshme për flamurin e tyre me ngjyrë të kaltër, bardhë dhe e artë.
Filmi tregon në mënyrë brilante çështjen duke përdorur sekuenca të një çerdheje, ku edukatorja ua mëson flamurin fëmijëve.
Programi do të vazhdojë me filmin “SANS LE KOSOVO” nga Dea Gjinovci, me një portretizim në jetën e Asllan Gjinovcit, i cili pas përfshirjes në protestat studentore që kërkonin autonominë e Kosovës në Jugosllavi, detyrohet të largohet nga vendi për tu vendosur përfundimisht në Zvicër.
Duke kërkuar të eksplorojë ndikimin e këtij mërgimi në jetën e tij dhe në të njëjtën kohë edhe në të sajën, regjisorja dhe babai i saj marrin rrugën për të ripërshkruar mërgimin e tij si një refugjat 19-vjeçar nga Kosova në vitin 1968.
Programi i Pavarësisë do të mbyll transmetimin me filmin “THE AGREEMENT” nga Karen Stokkendal Poulsen.
Historia botërore është duke u bërë kur kryenegociatori i BE-së Robert Cooper duhet të zgjidhë një marrëveshje për bashkëjetesë të qëndrueshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Dokumentari danez e sjell audiencën drejt e në thelbin e këtyre negociatave intensive. Bastet janë të larta, por pavarësisht seriozitetit të negociatave, ato rezultojnë të jenë çuditërisht qesharake dhe të realizuara me stil e sharm nga tre personazhet në tavolinë.
Është konflikti i fundit territorial i Evropës dhe vendimtar që BE-ja të provojë aftësinë për të bërë paqe në oborrin e saj. Sa larg janë të gatshëm të shkojnë secila palë?
Sipas njoftimit, DokuFest do të vazhdojë edhe më tej me programe që do të kurohen për audiencat që e vizitojnë kinemanë si dhe me programe që do të jenë në dispozicion edhe për audiencat jashtë Prizrenit, përmes programeve online./21Media
Lexo edhe: