‘Spaçi i dëshmuar’, skicohen vuajtjet e të burgosurve (Video)

Mbi 50 veta në qeli, e qindra në pritje të një kafshate buke. Njeriu mblidhet strumbullar, e kur dhimbjet e ndëshkimeve mpihen, përpiqet të mbyllë sytë. Nuk është Aushvici që përshkruan, Primo Levi, por përballë këtyre imazheve, lind pyetja: “A është, vallë, njeri…?”  Mikut të Vaçe Zelës, tanimë duart i janë paralizuar. E ka të vështirë të luajë me kitarën dhuratë të këngëtares, që i ngushëllonte në ato skuta që i përgjanin ferrit.

“Na priste puna, na priste lodhja dhe duhet të rezistonim shpirtërisht dhe mendërisht”, tregon ish-i burgosuri Gëzim Çela.

“Jeta e të burgosurve në kamp-burgun e Spaçit” shpaloset përmes më shumë se 50 grafikave. Janë ndërtuar mbi  rrëfimet e të gjallëve, që gazetarja Admirina Peçi ka intervistuar, e ekspozohen në kuadër të “Ditëve të kujtesës”.

“Duke parë se burgu i Spaçit po degradon vit pas viti dhe gjurmët kanë filluar të zhbëhen, e pamë emergjente që të skiconim atë që kishte mbetur atje, dhe ta plotësonim me memorien e të mbijetuarve të Spaçit, të cilëve u kemi marrë shumë kujtime”, shprehet ideatorja dhe drejtuesja e projektit Admirina Peçi.

Artistja Ina Elezi i ka ‘gdhendur’ vizualisht këto dëshmi, që edhe para saj, shpalosën një realitet sa të panjohur aq edhe tronditës. Seritë e saj të skicave, mbartin në vetvete një qëllim kryesor.

“Qëllimi im është që edhe moshatarët e mi, brezi i ri të kenë të pasqyruar sa më mirë dhimbjen edhe trishtimin e pafund të asaj kohe”, thotë artistja.

Të tjera aspekte të jetës së përditshme të të burgosurve, do të shpalosen në vijim të projektit, i cili mbështetet nga Kujto.al dhe Fondacioni “Konrad Adenauer”./shqiptarja.com


Lexo edhe:

RRËFIM TRONDITËS I MOTRËS: I KAM MBLEDH KOCKAT E TIJ NJË NGA NJË, KUR NA THANË T’I ZHVARROSIM E T’I ÇOJMË DIKU TJETËR…