Rrëfim tronditës i motrës: I kam mbledh kockat e tij një nga një, kur na thanë t’i zhvarrosim e t’i çojmë diku tjetër…

Historia tragjike e katër fëmijëve të familjes Çelmulosmani, kalvari i tyre në kampin e Tepelenës , atje ku Hilmiu 11-vjeçar dha shpirt nga dizenteria

Kishte një çorape të vogël në dorë, kur u ul t’i rrëfente Fatbardha Saraçit historinë e Tepelenës. Mine Çelmulosmani ishte vëtëm 13 vjeç kur iu desh të bëhej kryefamiljare e t’i dilte për zot dy vëllezërve e motrës së mitur. 

Prindërit e Mines ishin arratisur në vitin 1949, duke lënë atë të vetme, në moshën 13 vjeç, bashkë me dy vëllezërit dhe motrën e saj, përkatësisht 11, 9 dhe 3 vjeçe. Mine Çelmulosmani u bë kryefamiljare, duke u kujdesur për vëllezërit dhe morën e saj të mitur. Udhëtimi i saj do të mbushej me vuajtje e tragjedi që nuk do t’i shlyhen përjetë nga zemra.

Edhe pse të mitur, katër fëmijët e familjes Çelmulosmani do të internoheshin në kampet më famëkeqe të Shqipërisë, atje ku njëri prej tyre do të mbyllte sytë përgjithmonë. Kalvari i këtyre fëmijëve, rrëfyer nga Mine Çelmulosmani, është një nga ato historitë në kufinjtë e të pabesueshmes.

Vajza e vogël Mine do të rritej brenda natës, për të marrë në dorë fatin e saj, të dy vëllezërve e motrës vetëm 3 vjeçe. Regjimi komunist ishte kaq i pamëshirshëm ndaj këtyre fëmijëve, për t’i ndëshkuar pa mëshirë si “armiq të popullit”. Cilin krim mund të kryente një fëmijë, për t’u dënuar aq ashpër sa u dënua Mine Çelmulosmani, me vëllezërit saj Ilmiun 11 vjeç, Sheshmedinin 9 vjeç e Zejnepen vetëm 3 vjeç.

Udhëtimi drejt vdekjes

Të uritur, të paveshur, pa nënë, pa baba, katër fëmijët e familjes Çelmulosmani vërtiteshin nëpër të tjerë njerëz fatkeqë, në një qendër internimi në Tropojë, për të qëndruar atje rreth tri javë. Ata do niseshin shpejt drejt kampit të tmerrshëm të Tepelenës. Gratë e fisme të asaj krahine që ishin grumbulluar aty në qëndër të Tropojës, u kujdesën sa mundën për fëmijët e mbetur jetim, që po dënoheshin për “faj” të prindërve që ishin arratisur.

Pas qëndrimit tre javë në Tropojë, katër fëmijët jetimë të familjes Çelmulosmani do të niseshin me qindra të tjerë, drejt kampit të Kuçovës, dhe më pas në kalanë e Beratit. Pas një qëndrimi disa muaj atje, destinacioni ishte kampi famëkeq i Tepelenës. Atje ishte vetë ferri, rrëfen Mineja.

Uria bënte kërdinë dhe Mineja e vogël do të duhej të bënte të pamundurën për të ushqyer sadopak gojët e uritura të dy vëllezërve të saj e motrës së mitur. E merrte racionin e bukës dhe e ndante në disa pjesë, për të mundur urinë. Kur zbriste për punë, në fshatrat e Tepelenës, atje ku dërgoheshin me detyrim gratë e internuara, ndodhte shpesh që Mineja të mund të merrte një copë buke nga ndonjë familje bujare e Tepelenës.

“E ndaja në katër pjesë dhe e sillja në kamp, fshehur nëpër xhepat e rreckave që kisha veshur”, rrëfen Mineja. Përveç urisë, tifoja e dizenteria ishin kërcënimi i madh për jetët e tyre. Pak muaj pasi kishin mbërritur në Tepelenë, Ilmiu i vogël u sëmur rëndë nga dizenteria. Motra më e madhe Minja, u përpoq me sa mundi për ta shpëtuar, por nuk mund ta fitonte betejën me vdekjen që kishte pllakosur në atë kamp, për të marrë qindra jetë fëmijësh fatkeq. Ilmiu i sëmurë rëndë, qëndronte në kazermë, në dysheme.

E motra, Mineja i kishte mbledhur disa barishte për të krijuar idenë e një dysheku. I shtrirë mbi ato barishte, Ilmiu i vogël rënkonte në atë cep të kazermës famëkeqe dhe priste me shpresë çfarë do të bënte motra Mineja për ta shpëtuar. “ Kërkonte nënën papushim…”, rrëfen Mine Çelmulosmani. “Unë i shërbeja me sa mundesha, por nuk kisha as ilaçe, as ushqim për t’i dhënë.

Pas shumë mundimesh, Ilmiu i vogël mbylli sytë përjetë. Trupin ia çuan te gropa afër kampit, e hodhën atje mbështjellë me një rreckë të vjetër. E motra qante papushim e s’kishte kush ta ngushëllonte. Por, Mine Çelmulosmani do të vazhdonte përpjekjet për të shpëtuar vëllain tjetër dhe motrën e vogël. Bukën që ia jepnin familjet bujare të Tepelenës, Mineja e ndantë tashmë në tri pjesë e jo në katër, sepse Ilmiu nuk ishte më.

Çorapja e Ilmiut në varrezat e kampit

Shpejt do t’i duhej të përballej me një tjetër sprovë. Regjimi famëkeq kishte një strategji çnjerëzore. I zhvarroste herë pas here trupat pajetë, për t’i vendosur në të tjera gropa që hapeshin atje afër kampit. Gjatë këtij procesi që bëhej nga të internuarit, Mines iu desh të kujdesej për eshtrat e vëllait të saj 11-vjeçar, që kishte dhënë shpirt pak muaj më herët.

Ishte shumë më e rëndë se sa dita kur vdiq e kur iu desh ta qante e vetme, në atë cep të kazermës. “I kam mbledh kockat e tij një nga një, kur na thanë t’i zhvarrosim e t’i çojmë diku tjetër. Atë ditë, gjeta njërën prej çorapeve të tij dhe e mora me vete. E kam ruajtur gjithë jetën e me të do të shkoj në varr”, rrëfen mes dhimbjes, Mine Çelmulosmani./kujto.al

* Rrëfimi i Mine Çelmulosmanit është marrë nga libri “Saga e Dhimbjes”, me autore Fatbardha Saraçi, botuar nga ISKK

——————

Lexo edhe:

PSE REGJIMI I ENVER HOXHËS NUK LEJOI NËNË TEREZËN TË SHIHTE TË ËMËN NË MOMENTET E FUNDIT

ObserverKult