Në kuadër të rubrikës Rekomandime leximi, ObserverKult kësaj radhe ka mysafire gazetaren Rezarta Reçi.
Ja cilat janë tri librat që Reçi u sugjeron të pasionuarve pas leximit.
______________________________
Nga Rezarta Reçi
“BIRI” i Flutura Açkës
Tani që “Biri” është vendosur në bibliotekat tona….
Ndjej deri në thellësi atë rrënim-pasurim që ka ndodhur e vazhdon në qenien e trazuar të njeriut dhe shkrimtares Flutura Açka, ndërsa mbrunte me dhimbje – dashuri librin e saj, “Biri”.
Një nënë dëshmuese, ndjesish që trondisin tokë e qiell, e njëkohësisht një shkrimtare që qëmton, vëzhgon, analizon, rrëfen e persijat një lidhje, një marrëdhënie, një miqësi, një dashuri totale, e po aq, një humbje.
Në çdo faqe është ajo, dashuria pulsuese që transformohet rrethanave të rrugëtimit të shkurtër, por tejet të plotë të një biri dritësuar nga ëndrrat e dëshirat që rriten me kalimin e viteve. Në çdo faqe është ai, biri, projektuar marrëdhëniesh shumëplanëshe në kërkim të formësimit të plotë për t’u shpalosur me dinjitet e sfidues si njeri.
Në jetën e tij të shkurtër, por të pasur hyjnë e dalin shumë personazhe që shkëmbehen ngjarjeve, periudhave, kufijve, vendeve, stacioneve të jetës e të dëshirave. Marrëdhënjet shumëplanshe jetësore formësojnë Birin.
Birin që aspiron dije, liri, aftësim, shkollim, karrierë. Këmbanat e pafatsisë ridimensionojnë Birin në raportin me veten, me jetën, me vdekjen, me njerëzit që ka njohur e që shndërrohen në kujtesë, me heshtjen kumbuese të hiçit që pushton qenien, me të vërtetat e thella që veç një mendje e mençur i prek, me gjithçkanë e synuar me një përqafim të madh e deri me të panjohurën që identifikohet me asgjënë.
E në këtë mori ndjesish që elektrizohen nga dhimbje – dashuria spikat dinjiteti i Birit që shndërrohet në dritë, po me dinjitet, duke iu bindur fatit a pafatsise së projektuar për Të.
E unë në çdo kapitull ndjej drithërimën e zemrës së Flutneshës së Birit dhe impenjimin e shkrimtares Flutura Açka për të qenë dinjitoze në rrëfimin për dashurinë që trandet nga dhimbja. Për Birin. Që tashmë hyn po aq denjësisht në librin – monument që zë vend tashmë në bibliotekat tona.
“Sharlota” nga David Foenkinos
“Sharlota”, kështu titullohet një nga romanet më të njohur të shkrimtarit francez David Foenkinos, i njohur për lexuesin shqiptar me “Delikatesën”.
Një botim i shtëpisë botuese “Pegi” dhe shqipëruar mjeshtërisht nga Edmond Tupja.
Një libër impresionues për shkak të mënyrës së të shkruarit. Ti stepesh sapo të fillosh ta lexosh nga stili, por ke besim se e ke takuar dhe më parë këtë shkrimtar aspak zhgënjyes. Që ka vendosur ta sfidojë tragjizmin e historisë që do rrëfejë me një elegancë e delikatesë aq fine, sa shpesh herë, kur të duket sikur të merret fryma nga pafatësia e Sharlotës dhe çfarë përfaqëson ajo, ti i je mirënjohëse autorit, gjurmues të palodhur, për stilin gati – gati shpengues që , kujdeset të të mbeshtjellë me një tis dashurie ty, Sharlotën, artin e saj, pafatin e saj, trashëgiminë e saj artistike.
Të vjen keq kur libri mbaron… ndonëse ti tashmë e di që jeta e Sharlote Solomoni është fikur në të 26-tat e saj. E prapë ti kërkon të dish për të…
Sharlota lindi në një familje që trashëgonte gjenin e vetëshkatërrimit. E ëma, tezja, daja e tezja e së ëmës, një numër i madh kushërinjsh e kushërirash, kishin vendosur t’i jepnin fund jetës papritur…
Por Sharlota trashëgoi dashurinë për jetën, dellin artistik dhe luftoi jo vetëm me trashëgiminë, por sa mundi edhe kundër një tjetër mynxyre, nazizmit, prej të cilit nuk doli dot e gjallë. Ajo dha frymë bashkë me jetën që rritej brenda saj.
Foenkinos, që me shumë delikatesë synon të depërtojë në shpirtin njerëzor, sidomos në vuajtjen dhe lotin e një gruaje, kthehet pas në kohë. Ai rrëmon në ditarët dhe kujtimet e jetës së piktores gjermano-hebreje, Sharlotë Solomon, duke zbuluar dritëhijet e jetës së një vajze artiste me një të kaluar familjare tragjike dhe me vulën e “gjakprishurve”. “Sharlota” rrëfen historinë e artistes Sharlotë Solomon, e lindur në prag të Luftës së Dytë Botërore në Berlin, në një familje hebraike.
Si të mos mjaftonin traumat që do të shoqëronin jetën e saj, mes të cilave dhe vetëvrasja e së ëmës, Sharlota duhej të rritej, të edukohej dhe dashuronte, pikërisht në periudhën e marrëzisë naziste.
Gjatë viteve të përndjekjeve, ajo gjen qetësinë te piktura. Kur përndjekja e hebrenjve arrin kulmin në Berlin, kur artistët u futën në kampe internimi dhe u shuan njëri pas tjetrit, ajo kërkoi shpëtim në Francë, ku në vetminë më të thellë, përjeton ethshëm kujtimin e dashurisë e të braktisjes dhe krijon një sërë veprash autobiografike (imazhe, fjalë dhe referenca muzikore), të cilat rrëfejnë gjithë historinë e jetës së saj.
Një histori e dhimbshme, ku tragjedia individuale dhe familjare ndërthuren me tragjedinë e një kombi përherë në arrati; ku ideologjitë vrastare, etja për pushtet, marrëzitë dhe verbëritë kolektive shkaktojnë miliona viktima. Në tetor të vitit 1943, ajo u deportua në kampin e vdekjes në Aushvic, nga ku nuk u kthye më.
Pavarësisht nga tragjizmi që mbart si histori e rrëfim, stili që ka zgjedhur shkrimtari ta bën të lehtë kalimin nga një gjendje emocionale në tjetrën duke ta bërë të dashur librin e zgjedhur, personazhin e saj.
“Sonatë për gruan e tjetrit” nga Henrik S.G.
Kisha dëgjuar, por nuk kisha lexuar asgjë nga ky autor shqiptar që jeton jashtë Shqipërisë. Talenti por edhe këmbëngulja për të përftuar nga evoluimi i artit të të shkruarit e kanë bërë që të pasurojë veten dhe lexuesin me një roman dinjitoz e mbresëlënës.
Një roman bashkëkohor shkruar tashmë nga një shkrimtar evropian, pavarësisht se shqipfolës. Rrëfim në vetë të parë, personazh kompleks dhe i evoluar në ndjesi, koncepte, zhvillim marrëdhëniesh, përzgjedhës i fjalës, stil modern e mendësi bashkohore të shpërfaqura në kohë.
“Ti udhëton faqe pas faqeje në botën e brendshme të një psikanalisti të ditëve tona, pasurohesh me ngjarje e ndjesi, koncepte, me qëndrime moderne që ngjajnë të ditëve tona, të shekujve të ri… e pa u ndjerë kupton se njeriu, me qenien e tij komplekse është po aq i vjetër e bashkëkohor sa jeta e tij.
E rrëfimi vjen lakonik, i ëmbël, i vërtetë, bindës, përfshirës duke ta bërë të dashur romanin dhe duke u ndjerë dhe e gëzuar që ky libër është dalluar e vlerësuar edhe me çmim kombëtar.
“Chère madam De Laduset, ma chère Charlotte! Ju lutem, mos më gjykoni tani, jo tani me sedrën tuaj të lënduar! Lëreni kohën të rrjedhë dhe ndoshta, ndonjëherë, me shpirt të lehtësuar do të ndieni pak keqardhje për mua. Në degëzimet e pemës sime gjenealogjike, kam zbuluar se jo një herë burrat paskan qenë marrosur nga dashuria për gruan e një tjetri. Por askush prej tyre nuk qenka vetëvrarë, nuk paska qenë në kulturën e stërgjyshërve të mi Le Suicide! Edhe mund ta kisha ndryshuar rrjedhën e historisë së familjes sime. E pata menduar edhe këtë mundësi, atëherë kur më ra rrufeja në kokë. Por as besimi prej katoliku nuk më vlejti për këtë rast. Nuk mund të prisja një shekull për t’u takuar në botën tjetër me gruan, pa siluetën e së cilës unë nuk jetoja dot as edhe një ditë. Dhe ky është mallkim, apo jo? Ne jemi burra të fuqishëm për të luftuar, për të bërë politikë, për të shtuar pasuritë e të parëve tanë. Por jemi aq të dobët para gruas që na pushton shpirtin… Lamtumirë!“, fragment nga libri.
ObserverKult
Lexo edhe: