Ai e lexoi dhe filloj të qajë. Këtë herë me lot të nxehtë.
I kishte humbur të dyja!
Nga Dashnor Kokonozi: Dramë
Hyri në llogarinë e pseudonimit të tij në Facebook dhe i shkrepi t’i dërgonte ca mesazhe gruas në zyrë. Për çudi ajo iu përgjigj menjëherë. Ai e shtyu lojën më tej. I kërkoi të takoheshin në një hotel. Ajo pranoi me qejf. I lumturuar ai i tha se do t’ia njoftonte shumë shpejt emrin e hotelit. Aq e papritur ishte gjithçka!
Zbriti te farmacia dhe bleu një pako të tërë me prezervativë. Nuk kishte kuptim të rriste kalamajtë e të tjerëve (pseudonimit).
U kthjellua vetëm kur u kthye në shtëpi. Nuk dinte ku t’i binte kokës me grushte!
Në mbrëmje ajo u shqetësua shumë për të. Sytë i kishte të skuquar. Herë-herë i rridhnin lot. Vërtet nuk dinte si ta ngushëllonte burrin e saj. Meqë ai nuk i tregonte çfarë kishte ngjarë, u mjaftua ta përkëdhelte me dhembshurinë e gruas së shqetësuar për burrin e saj të jetës.
Dikur, asaj sytë i shkuan te kutia e prezervativëve. U bë spec nga inati dhe ia tundi para syve duke e akuzuar se ai e tradhtonte.
Si i çakërdisur, ai shihte kutinë pa ditur si ta përligjte praninë e tyre, por edhe pa e kuptuar përse i ishin dashur aq shumë. As që i kujtohej kur kishte rënë në shtrat për herë fundit me të. Pse kishte menduar se duke u paraqitur si pseudonim do të fillonte nje erë e re?
Ajo përplasi derën pas krahëve. Sapo doli në rrugë u kujtua dhe i nisi një mesazh atij propozimit të paradites. I tha se kishte padurim të mësonte emrit e hotelit ku do të shiheshin.
Shtoi edhe se kishte gjithë çfarë duhej dhe të mos humbiste kohë të blinte perzervativë.
Ai e lexoi dhe filloj të qajë. Këtë herë me lot të nxehtë.
I kishte humbur të dyja!
ObserverKult
———————————————————————————————-
Lexo edhe:
LIBRI ME POEZI I DONIKA DABISHEVCIT BOTOHET NË ÇEKI/ POEZITË FLASIN NË ESPERANTO