Nazmi Rrahmani: Nëna ime ka ndryshuar shumë… e ndryshimi i saj më frikëson

Nazmi Rrahmani është njëri nga shkrimtarët më të njohur shqiptarë.

Ai njihet sidomos për romanin Malësorja, por ne kësaj radhe kemi shkëputur një fragment nga “Rruga e shtëpisë sime”.

Në fragmentin që ua sjell ObserverKult, narratori personazh, sjell ndërmend çastet e shpërnguljes së familjes së tij nga vatra e shtëpisë për të marrë rrugën drejt Turqisë, si shumë familje të tjera kosovare. Dhimbjen nga çrrënjosja me dhunë, ai e përshkruan përmes pikëllimit të madh që manifestohet në shpirtin e prindërve, të nënës dhe të babait.

Marrëdhënia e tij me nënën dhe babain vendoset në plane të ndryshme. Me nënën atë e lidh ndjenja e natyrshme e fëmijës, pasi nëna është njeriu i parë të cilin vë re ai. Mbase jo vetëdijshëm, po në çdo moment të jetës së tij, biri regjistron fytyrën e saj, veçanërisht sytë; ata flasin më tepër se çdo tipar, ata kanë fatin të ndryshojnë më pak në jetën e njeriut. Në sytë e nënës biri mund të lexojë të shkuarën , të tashmen dhe të ardhmen. Në sytë e nënës është vetë historia dhe ndjeshmëria njerëzore. Ndaj kjo marrëdhënie bëhet shumë e prekshme për lexuesin. Ngjarjet narratori tashmë mund t’i kujtojë, t’i analizojë e t’i gjykojë nëpërmjet këtyre syve.

Pjesë nga romani:

Nëna ime ka sy të çuditshëm. Sytë e saj, sa herë i vështroj me kujdes, më duken më të çuditshëm se gjithshka në jetën e saj. Ata herë ndezin zjarrin në mua e herë e shuajnë atë zjarr dhe më ngrijnë.

Vërtet, vjetëve të fundit, sa herë e vërej, bindem se nëna ime ka ndryshuar shumë. E ndryshimi i saj më frikëson. E kujtoj si ka qenë. Ndalem mandej dhe shikoj shpeshherë me kureshtje dhe kështu do kujtime gjithfarë më sillen nëpër kokë. Nuk ka qenë nëna ime kështu si është tash, i them vetes dhe ndiej diçka të më rëndojë.

Në këtë rrugën tonë ka ndryshuar gjithçka e ka ndërruar kaq shumë edhe nëna ime. E mendoj të kaluarën tonë. Ndryshimet e nënës time më lidhen gjithnjë me të kaluarën tonë. Ato ma kujtojnë menjëherë edhe këtë rrugë.  Shoh: fytyra tash i është zbehur, sa i është zvogëluar dhe tretur sikur ashtu me pamjen që kishte marrë të donte të tregonte se nuk mund të qëndronte më, ose të rrëfente për të gjithë ato vjet të saj të kaluara, me të gjitha ato që e kishin rrëzuar në të dy gjunjtë si thoshte ajo shpeshherë.

Megjithatë, sa herë e vërej, shoh se sytë i kanë mbetur po ata që i ka pasur gjithmonë: të gjallë, në shikimin e tyre më është dukur gjithmonë se kishte aq shumë dëshira për jetën sa ato më dukej se shkëlqenin dhe dilnin prej tyre. Më dukej se ajo edhe mbas tërë asaj shtërngate nuk i ishte fikur, sepse më dukej se kishte plot besim, së pari në vete, e mandej edhe në ne të tjerët.

Kështu i kisha thënë vetes gjithmonë sa herë kisha menduar për këtë dhe mandej pohoja se nëna ime ka qenë e këtillë gjithnjë. Këto që i mendoja për nënën në do çaste dëshpërimi, më forconin. Vetëm sa herë i vëreja kështu sytë e nënës sime, kur i zija ashtu të qetë e si të humbur në shikimet që vraponin mbas do kujtimesh, me siguri mjaft të rënda për nënën time, unë hetoja, në pamjen e saj, diçka aq të çuditshme, të fuqishme por si përvëluese, si zjarri, sa më shtynte që një kohë të gjatë të mendoja vetëm për këtë; ia kujtoja jetën e saj qysh se mbaj mend.

Thosha se mu jeta e saj ia kishte bërë edhe sytë kështu, të çuditshëm, edhe pamjen ia kishte dhënë mu këtë që e kishte tash.

Nëna ime nuk ka qenë kështu, por mbas tërë atij ndryshimi sikur të gjithë i erdhën dhe e rënduan, e pleqërinë ia bënë kaq të rëndë.

“E shkreta pleqni, e zorshme më ka ardhë!” thoshte.

Po ia shikoja sytë: ishin po ata, të pandryshuar. Ngazëllehesha.

Thosha se nëna ime kishte qenë gjithmonë aq e lidhur me jetën sa edhe vetë ishte bërë mu kështu prej saj. Kujtoja mandej jetën tonë dhe nënën time. Të dyja ishin një. Nuk mund t’i ndaja. As t’i mendoja njërën pa tjetrën.

Po kur nëna ndalej dhe më vështronte mua, më dukej sikur po më fliste gjithnjë, sikur më thoshte diçka, sikur e kërkonte nga unë mu atë që mandej e qetësonte nënën time sa e gjente, sikur në shikimin që ma hedhte gjente mandej qetësinë e vet dhe prehej e kënaqur.

Shikimi i nënës sime më fliste gjithnjë. Po unë edhe atëherë, mbas atij shikimi që më fliste, nisja dhe e kujtoja nënën time, edhe babain dhe ia shihja asaj gëzimin në sy, i shihja edhe vëllain, edhe motrën, edhe gëzimet e nënës… Edhe harenë e nënës sime… Po mandej hetoja se një rrebesh lëshohej mbi ne dhe na dërmonte. E shihja prapë nënën time edhe babain edhe vëllain, edhe motrën, edhe gjyshen djalin, gruan…

Unë e vëreja pamjen e saj tash dhe e kujtoja atë dikur, edhe ajo kohëve të fundit, më shqetësonte aq shumë, më sillte përnjëherë në mendje kujtime që më vinin aq të rënda dhe më dërmonin.  Jetën e mendoja prapë dhe ato më lidheshin: jeta jonë dhe nëna ime…

E mbaja mend nënën time në ato çaste të ndryshme gëzimi, edhe pse aq të pakta më dukej tash se kanë qenë, e tash më duket se edhe ato e mundojnë nënën time. Kjo më shkaktonte tash pikëllim edhe mua më lente të zhgënjyer e të humbur sa më tepër që po e kujtoja.

*Fragment i shkëputur nga romani “Rruga e shtëpisë sime” i autorit Nazmi Rrahmani

Nazmi Rrahmani lindi në Ballovc të Podujevës. U shkollua në Podujevë dhe në Prishtinë. Studimet për Gjuhë dhe Letërsi Shqipe i kreu në Prishtinë. Pas studimeve punoi si gazetar në Radio-Prishtina e më pas te gazeta “Rilindja”, për të vazhduar në redaksinë “Jeta e Re” dhe më pas në redaksinë e botimeve “Rilindja”. Aktualisht jeton në Prishtinë.

Ka botuar romanet: Malësorja, 1965, Pas vdekjes (Kthimi i njeriut të vdekur), 1975, Tymi i votrës së fikur, 1969, Toka e përgjakur, I,I1,1973, Rruga e shtëpisë sime, 1978.

Nazmi Rrahmani në romanet e tij i ndërlidh, i përplotëson historitë dhe bëmat, fatet e personazheve të shumtë përmes sajimeve krijuese imagjinative. Ngjarjet e rrëfyera nga njerëzit dhe për njerëzit e kësaj hapësire kosovare shtrihen brenda harkut kohor që kap gati gjysmën e parë të shekullit njëzet dhe janë pasqyrë dhe dokument i fshatit të atëhershëm, e pjesërisht dhe të atij të sotëm.

Për pozicionimin e shkrimtarit ndaj realitetit, për vizionin e tij jetësor dhe filozofik, vlen të sjellim një mendim nga studimi monografik i Sabri Hamitit: “… realiteti është edhe jashtë nesh edhe në ne. Ai ekziston në vetëdijen e njeriut të vetëm në formën e njëmendësisë, në formën sa njeriu mund ta njohë”.

Në veprën letrare, në roman, kjo shkallë e përngjasimit me realitetin, nuk mbetet në nivelin e njohjes, por merr një trajtë më individuale, subjektive dhe manifestohet si qëndrim i individit. Duke u menduar t’i shmanget këtij subjektivizmi, Nazmi Rrahmani i ndërthur ndodhitë dhe idetë qenësore në vepër rreth një boshti themelor, personazhit, të cilin e vendos në një mjedis të caktuar jetësor. Plkërisht nga ky kontekst tërësor i realitetit, autori nxjerr personazhe që përputhen plotësisht me perspektivën e zërit autorial të tekstit.

E përgatiti: A.S. – ObserverKult

———————

Lexo edhe:

FRAGMENT NGA “MALËSORJA” E NAZMI RRAHMANIT