Cikël poetik nga Albana Shala: Pasojat e dashurisë

Ju ftojmë të lexoni një cikël të zgjedhur poezish nga Albana Shala.

Përtej

Përtej gjakut që pulson në tëmtha,
buzëve ku përplaset dëshira,
gjuhës mol ku lidhen fjalët – varka,
masës gri të unit gungë,
frymës lumë të bardhë,
përtej fushave të pamata,
gumëzhitjes së qyteteve,
oqeanit që na ndan,
kërkoj,
dua,
krijoj,
diçka tonën,
në kohë dhe në hapësirë,
rrjedhëse,
mbushëse,
të rëndë e njëkohësisht të papeshë,

një yll neutronesh, populluar veç me zogj drite, me sqep tachyon.
Atje, në një tjetër shekull, epokë, galaktikë,
ekziston një njësi a qënie e pakufizuar e parë, e ndjerë, e ruajtur
vetëm nga të dashuruarit e Udhës së Qumështit.

Shaman

Do të dal symbyllur,
siç del viçi nga mëma që s’bën zë.

Do të më tërheqësh si uji breshkën,
me flatra do të më bësh një fole,
në fund të detit atje.

Pa dyer e dritare,
me një çati
yjesh

bien.

Një puthje kozmike, 2020*

Një natë dhjetori dy planetë u puthën,
me laps do ta shënosh ngjarjen në kalendar,
ashtu siç e shënoi edhe Galileo.

Dhe do të përpiqesh të kuptosh se si këta dy gjigantë u tërhoqën nga njëri tjetri.
Ndoshta puthjen do ta përshkruash si të qëllimtë dhe me përmasa kozmike.

Duke shmangur krahasimet, këtë rendezvous do ta cilësosh si një kapriçio të një ylli të stërmadh e të frustruar, që ende vërtitet si i çmendur për t’i rënë në sy gjigantit me unaza të hijshme, të akullta.

A duhet ta prisnim me padurim këtë bashkëlidhje?
Çfarë ndodhi me gjashtëdhjetë e shtatë hënat?
A nuk u penguan nga baticat dhe zbaticat?
Ishte apo s’ishte krizë identiteti e gazozit Jupiter?
A do ta durojë ndarjen zemra e Saturnit, ‘Sjellësit të Pleqërisë’?

Ti mendon për të gjitha këto,
me të njëjtën kureshtje si edhe për takimin e këtij çifti në rrugë.
Tërhiqen, epen, shkaktojnë dallgë. Përpara u hapen horizonte kozmike,
premtimet mbeten të brishta,
ka shume erë dhe pritshmëri.

Në kujtim të Wislawa Szymborskës

  • Një natë në vitin 1610, Galileo Galilei duke parë me teleskop qiellin zbuloi katër hënat e Jupi-terit – Io, Europa, Ganymede dhe Callisto. Në të njëjtin vit, Galileo zbuloi edhe një rreth të çuditshëm rreth Saturnit. Vëzhgimet e mëvonshme provuan ekzistencën e unazave të këtij të fundit. Këto zbulime ndryshuan rrënjësisht idetë për përmasat e sistemit tonë diellor.
    Trembëdhjetë vjet më vonë, në vitin 1623, dy planetet gjigante, Jupiteri dhe Saturni, udhëtuan së bashku në rrotullimin rreth diellit. Jupiteri e arriti dhe e kaloi Saturnin, në një ngjarje as-tronomike të njohur si “Bashkëlidhja e Madhe”.

Vegla të dashurisë

Jemi mësuar me fjalë që na mbajnë në të tashmen, këtu, tani,
me imazhet tona në pellgje të ngrohta vështrimi,
të zgjatur, të shkrirë nëpër linja shpëtimi – oksigjen për zhytësa,
që frymë mjaftueshëm të marrim në lartësi
dhe në thellësi.

Diçka humbet, me hir diçka shtohet,
disa zona mjegullohen, disa të tjera shuajnë skajet në oqean,
ndonjëherë një puthje para gjumit i ngjan një të verdhe veze të thyer në mëngjes,
dhe vera shijon si qumësht,
dëshirat mbarsen me thirrje balenash, dhe zëri, ah zëri,
troket e futet gjithkund, valët nget që të arrijë në breg, gishtërinjtë zgjatur në përqafim
se ne jemi vegla të dashurisë,
të mbështjella me elektricitet.

Mes meje dhe burrave

Ka lodra fëmijësh,
mobilje të pluhurosura,
prindër kryeneçë,
aparate që gumëzhijnë,
takëme të topitura,
qoshe të akullta tavolinash,
filxhanë kafeje të palarë,
udhëtime ekzotike,
shporta frutash të harruara,
gra të tjera,
të durueshme
të mirëkuptueshme.

Nuk ka nëndetëse,
as granata që të pëlcasin në dorë,
as llogore të përgjakshme,
as kalorës të uritur,
as ëndrra bojëdala të vajzave të fshatit,
as kadetë që bien si lule në fushën e betejës,
as zarfe të pahapura,
premtimesh të pambajtura.

Nuk ka mungesë uji dhe zjarri,
humbjet maten në humbje shkëlqimi dhe intensiteti,
nëse disa pjesë trupi dorëzohen
ca metale dhe ca substanca plastike
na hyjnë në punë.

Dhe veten pyes nëse do të mundesh të më gjesh mes gjithë këtij mishmashi,
nëse do të më ngresh si shqiponjë në lartësi,
nga ku shtegtari të gjithën e rrok,
do të jem pre apo shoqëruese në fluturim?

Kënaqësi – dhimbje

Nëpër shtigjet e rrahura prej miliona vjetësh,
në thellësi të qënies së pagjumë
nga dhimbja e vjetër,
ndoshta atëherë kur nuk pritej,
në drejtim të kundërt,
rendën ca kuaj të hazdisur.

Pluhuri që u ngrit nga trokthi i tyre,
ravizoi në ajër një re dëshire që
shtegun e rrahur braktisi dhe larg iku.

Ofshamës së dhimbjes iu bashkua
hingëllima e këndjes
qënia zgjati buzët e puthi vetveten.
Si syprinë liqeni në kon të vullkanit të fjetur –
një bark perëndeshe.

Në breg një shall i bardhë hedhur mbi një ferrë orkideje,
trupa të zbukuruar me gjethe si vezë pashke,
flokë të ngatërruar me fije bari
në kurriz të dorës time një mollëkuqe.

________________

Albana Shala lindi në Shkodër në vitin 1968. Në vitin 1990 përfundoi studimet për Gjuhë dhe Letërsi Angleze në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, Universiteti i Tiranës. Më 1995 studioi për të Drejtën Ndërkombëtare në Institutin e Studimeve Shoqërore (ISS) në agë,
Holandë, dhe më pas, më 1997, po në këtë institut mori master në Politikat e Zhvillimit.
Në fillim të viteve 90 ka punuar si redaktore në Shtëpinë Botuese “8 Nëntori” dhe asistente programi në zyren e Kombeve të Bashkuara (PNUD) në Tiranë. Në Holandë ka punuar si koordinatore programi me Press Now dhe Free Press Unlimited, organizata që mbështesin mediat e pavarura në zona konflikti dhe në vendet në zhvillim. Prej vitit 2014, për dy mandate radhazi, u zgjodh në krye të bordit të IPDC (Programit ndërkombëtar të Zhvillimit të Komunikacionit) të UNESCO-s dhe mbetet anëtare e këtij bordi.
Albana Shala është një nga themelueset e Fondacionit Shqiptar Holandez të Miqësisë dhe anëtare bordi e Fondacionit ‘In den Vreemde’ i cili mbështet artistët në rrezik.
Tregimet e poezitë e saj filluan të botohen në shtypin shqiptar në vitet 90, përkthimet nga gjuha holandeze nga viti 2016. Nga krijimtaria veçojmë:

Në shqip:
• 2008 – Papa dixhital, poezi (Dituria) – i vlerësuar me çmimin Migjeni nga Ministria e Kulturës e Shqipërisë në 2009
• 2010 – Parajsa është e portokalltë, poezie (Dituria)
• 2013 – Ngarkesa e fëmijës, tregime (Dituria)
• 2017 – Bisedë me dhjetë miq (Carabela Books

Në holandisht:
• 2009 -De digitale Paus, poezi (Uitgeverij P.)

Në anglisht:
• 2017 – Ten conversations with Albanians (Carabela Books)

Përkthime:
• 2016 – Romani “Darka” Herman Koch (Albas)
• 2017 – Romani “Virgjëresha holandeze” Marente de Moor (Dituria)
• 2020 – Romani “Uria” Jamal Ouariachi (Dituria)
• 2022 – Poezi “Vajza e së hënës” (Carabela Books)

ObserverKult