Fatos Arapi: Ditë tiranase

fatos arapi
Fatos Arapi (Zvërnec, 19 korrik 1930 - Tiranë, 11 tetor 2018)

Ti mbyll derën pas e nisesh
Në mesin e rrugës takon ditën
Që të pyet e hutuar: – Nga të shkoj?
Shpresën e ushqejnë me shpresë,
Pastaj shpresës i vrasin shpresën.
Vetëm pasqyrat ndryshojnë,
Teknologjia përsosëse e tyre,
Fytyrat janë po ato.
Jo, ti, – hija jote shkrin në gotën me ujë
Diellin dhe kokrrën e aspirinës,
Ke dhimbje të forta koke.
E di: zembereku i zemrës sime
Eshtë pluhurosur , – kur do të vijë Ajo,
Me frymën e saj t’i fryjë,
Të ndjej ecjen tingëlluese të kohës.
Në qiellin e Tiranës, një unazë e zjarrtë
Fluturon nga syri në sy
Kërkon gishtin e nuses.
Kërciti gonxhe e zambakut tek çelej,
Dhe marsi eci para meje.
Të paktën, o zot, akoma jemi njerëz
Respektojmë dallëndyshet dhe vdekjen.