(Shënime për romanin “Mosdija”, Milan Kundera)
Jemi të gjithë nga pak Odise dhe kemi nevojë për një “Itakë dashurie”. Milan Kundera ka mundur të ndërtojë një përmendore përmes fjalësh, ku dallohet qartësisht Odiseu që kërkon të mbërrijë në Itakë ku beson se e pret Penelopa dhe gjithçka që ai ka dashur. Por rruga drejt asaj që mendojmë, se është jona, se na takon, nuk kalon përmes limaneve të qeta, por shpesh përmes dallgësh dhe ka gjithnjë çmimin e vet.
Ky autor i rrokullimave të vogla që sjellin gjëma të mëdha, ka mundur të përcjellë pikëpyetjet e ndjesive për të gjithë ata që në kthimin diku, nuk janë gati të përballen me harresën, me dhimbjen që vjen nga ndryshimi, nga ajo që nuk përputhet me atë që kanë mbajtur në mendje.
Ndodh pothuajse ashtu, teksa flasim në përditshmëritë tona, me njerëz që kanë kohë që kanë emigruar apo edhe migruar, e flasin për vendet e fëmijërisë apo rinisë së tyre me një gjuhë që jo vetëm që nuk i përket, por as që nuk do të mund ta kuptojnë as vetë kur do t’u duhet të shkojnë.E vetmja që mundet t’i shpëtojë dhimbjes së harresës mbetet dashuria – e vetmja ndjesi që krijon kohën e vet. Irena dhe Jozefi, dy personazhet kryesorë të Milan Kunderës në librin “Mosdija”, janë dy çekë të larguar nga Çekia në kohën kur ende ishin komunistët në pushtet, dhe kthehen në atdhe pasi kishin ndërtuar jetët e tyre për 20 vjet në Francë e Danimarkë.
Takohen rastësisht në aeroport në Paris gjatë kthimit në Pragë, duke ndezuar motorrin e së shkuarës, pa ditur se ajo që mbetej “si dikur” ishte vetëm dashuria. Madje, pa e ditur kurrë se ajo qëndron aty, e fshehur brenda nesh, gjithnjë gati të marrë shtat, nëse do t’i hedhim “sytë” drejt saj.
“Në të njëzet vjetët që Odiseu mungonte, itakasit mbanin mend shumë gjëra të tij, por nuk kishte nostalgji për të. Ndërsa Odiseu vuante nga nostalgjia por nuk kujtonte asgjë. Këtë kontradiktë të çuditshme do ta kuptojmë po të mendojmë se kujtesa, që të mund të veprojë, ka nevojë për ushtrim të vazhdueshëm: kujtimet humbasin po të mos i thërrasim përsëri e përsëri nëpër bisedat me miqtë. Ikanakët që formojnë koloni bashkëatdhetarësh, përsërisin midis tyre deri në neveri të njëjtat histori, dhe kështu ato nuk harrohen kurrë. Të gjithë të tjerët që nuk bëjnë shoqëri me bashkëkombas, sikundër Irena ose Odiseu, preken pashmangshmërisht nga amnesia.
Sa më e madhe është nostalgjia e tyre, kaq më shumë zbrazet nga kujtimet. Sa më shumë alarmohej Odiseu, aq më shumë harronte. Sepse nostalgjia nuk e forcon veprimtarinë e kujtesës, nuk zgjon kujtime, por mjaftohet tek vetja, tek mallëngjimi, ashtu siç është tërësisht e thithur nga dhimbja e saj”. (“Mosdija”, roman nga Milan Kundera, në shqip nga Mirela Kumbaro) Një roman që ngre një pyetje të rëndësishme përpara gjithkujt që ka lëvizur nga vendlindja, që ka shtegtuar dhe ka ndërtuar një jetë tjetër dikur larg oazit ku ka hedhur hapin e parë, kur gërmëzoi fjalën e parë, kur njohu miqtë e parë dhe ku rroku ndjesitë për botën dhe dashurinë: mund të jetojmë me kujtime apo duhet të përpiqemi të bëjmë jetën sipas asaj që na ka ndodhur në jetë?Jozefi kupton se Itaka e tij është vetëm në mendjen e tij dhe se ai mund të kuptonte vetveten duke besuar atë që i kish ndodhur 20 vjet larg vendlindjes.
E kupton këtë kur gjendet përballë ditarit të tij, kur e hap dhe shkruan një fjali. Dhe në një çast thtotë me vete: “Çudi, është i njëjti shkrim, por nuk jam i njëjti njeri”! Sepse ne jemi të njëjtët, por nëse kemi kuptuar se e shkuara dhe e tashmja kanë të njëjtën rëndësi për ne. Përndryshe, nëse të shkuarën e ngarkojmë gabimisht mbi të tashmen, apo edhe e kundërta, thjesht do të thotë që ëndërrojmë mbi shtratin e gënjeshtrës.Paralelizimi me udhëtimin e Odiseut drejt Itakës së tij nuk është një rikthim tek një vend, por një thirrje për të udhëtuar drejt asaj që duam, asaj që na bën të jemi dikush përpara vetes sonë. Ne të gjithë e kemi një Itakë për të kërkuar. Thjesht duhet ta dimë se cila është. Mund të jetë aty, brenda mureve tona, me miqtë, me atë që dëshirojmë të arrijmë. Eshtë një dashuri e përhershme.
Duhet ta shohim brenda nesh, e jo duke besuar se është atje ku ne nuk ishim, ku nuk mundëm të shkonim, kur na larguan. Eshtë ajo që duam. Ne vetëm duhet të dimë ta duam Itakën tonë pa u frikësuar nga asnjë “shtrëngatë” në udhëtimin drejt saj, jo duke u mbështetur në nostalgji, por në dashuri.
“Kur të rritet, në këto ngjashmëri do të gjejë njëtrajtshmërinë vajtuese të njerëzve (që për ta puthur ndalojnë në të njëjtën pikë, kanë po ato shije në veshje, i bëjnë një gruaje komplimenta me të njëjtën shprehje metaforike) dhe monotoninë lodhëse të ngjarjeve (që janë thjesht një përsëritje e pambarimtë e së njëjtës ndodhi); por në adoloshencën e saj, rastësitë i merr si çudi, krejt e padurueshme për të deshifruar kuptimin e tyre. Fakti se i dashuri i sotëm i ngjan çuditërisht të dashurit të dikurshëm, e bën të dashurin e parë akoma më të veçantë, akoma më tip, dhe ajo beson se, në një mënyrë të pakuptueshme, ai është paracaktuar për të”. (“Mosdija”, Milan Kundera)
ObserverKult
Lexo edhe: