Në KULT Gallery në Gostivar u hap ekspozita personale e artistit Burim Myftiu me titull “Remembrance” ku përveç fotografive pati edhe skulptura, videoart dhe instalacione.
Fjalën e hapjes e bëri Vlora Demiri, historiane arti theksoi se përmes kësaj ekspozite Burim Myftiut, shpalos tragjedinë e popullit të Kosovës në gjithë përmasat e saj.
Ju ftojmë ta lexoni të plotë kritikën e Vlora Demirit për këtë ekspozitë:
Kjo eskpozitë po hapet me një datë të veçantë, me 11 Mars, si përkujtim i fillimit të demostratave të Marsit të vitin 1981 në Kosovë.
Kujtesa e Burim Myftiut, na shpalos tragjedinë e popullit të Kosovës, më saktësisht ai vjen me dëmin shpirtëror që ajo ka hapur te secili që e ka përjetuar, plagët dhe boshllëkun e brendshëm që ta jep lufta si një ndër format më të egra vetshakërruese të njerëzimit.
Duke e njohur personalisht autorin dhe duke u nisur nga ndjenja që unë përjetova kur u përballa me manikinët e tij, dua që ta shohim dhe me një këndvështrim tjetër. Dua që të ndalemi në univerzalen e gjithë kësaj.
Kam përshtypjen që manikinët e Burimit nuk flasin vetëm për përjetimet e populli të Kosovës, por gjendjen dhe mënyrën e të menduarit të njerëzimit në përgjithësi. Dinamika e jetës dhe kahja e përgjithshme e njerëzimit, ka marrë një formë të trishtueshme. Ne më shumë pak flasim, as shikimet dhe emocionet nuk na flasin si dikur, por e vetmja gjë që flet është materialja dhe këtu qëndron pikthyerja dhe shkëputja në mes nesh.
Në përballjen e parë me manikinët syri të kap dëmtimet dhe çarjet në fytyrat e tyre dhe duke e ditur që fytyra është pasqyra e shpirit, na jep ndjesinë të kuptojmë që këto çarrje janë reflektimi i brendshëm i secilit prej nesh. Çdo përjetim, sidomos ato me impakt negativ që fatkeqsisht dominojnë në ditët e sotme, lënë shenjë tek ne dhe kam ndjesinë që s’ka rëndësi se në çfarë kohe kemi jetuar dhe jetojmë, në brendësinë tonë kemi trashëguar dhe janë akumuluar një sërë ngjarjesh, ndodhish dhe përjetimesh që kanë krijuar plasaritje në vlerat dhe cilësitë tona humane.
Jam e bindur se koncepti i autorit qëndron më shumë këtu se sa vetëm në kujtesën historike të asaj se c’i ka ndodhur popullit tone dhe se në këto figura shihet dëmi që ne ia bëjmë njëri tjetrit, në cfarë do lloji qoftë ai.
Burim Myftiu me artin e tij na kthen në një periudhë që ndoshta na duket e largët në kohë, por shumë e afërt emocionalisht. Sidomos tani që po ndodhemi në një lundër pasigurie nga të gjitha anët, që na e vërteton se përderisa njerëzimi është gjallë dhe pavarësisht superarritjeve njerëzore lufta për ta dëmtuar njëri tjetrin nuk mbaron, por transformohet në mënyra dhe forma të ndryshme.
Por, pavarësisht gjithë kësaj, kjo nuk duhet të jetë arsyetim që ne të heqim dorë nga vlerat tona njerëzore, nuk duhet të jetë arsyetim që në këtë fushë pamore me gjemba ne të ndalojmë së kërkuari të bukurën dhe të vërtetën tonë, por përkundrazi nga e gjithë kjo t’i kthehemi njëri tjetrit, të shohim në sy njëri- tjetrin dhe të nxjerrim mësim nga e gjithë ajo që ka ndodhur dhe po ndodh. Vetëm ashtu do të dalim fitimtar nga kjo jetë.
ObserverKult