Një prej personaliteteve emblematike shqiptare, Fan Noli, la gjurmë të pashlyeshme kudo. Nga kultura në shtetformim, nga letërsia në historinë, në gjuhën dhe kishën e vendit të tij, qoftë edhe nga larg. Jeta dhe vepra e Fan Nolit përfaqësojnë më së miri, dritën e besimit e të vërtetës në rrugën e vështirë të çlirimit, të përparimit të kombit të tij.
Eqrem Çabeji, në revistën “Nëntori”, nr.4, viti 1965, do të shkruante për Fan Nolin, kur ai sapo kishte vdekur në Amerikë, ndoshta, esenë më gjithpërfshirëse.
Nga: Eqrem Çabej
“Në këto çaste, në mes të kaq shkrimtarëve, një njeri që s’është shkrimtar e ka vështirë të thotë një fjalë të vetën për një personalitet shkrimtari me një format të tillë siç është Fan Noli.
Në qoftë se fjala që vepra e një shkrimtari është pasqyra më e vërteta e forma mentis dhe e shpirtit, ësht’ e drejtë, atëherë vjershat që shkroi ky poet dhe veprat e shqipëruara ,që na ka lënë përfaqësojnë në kuptimin e tyre simbolik që në krye e gjer në fund një konfesion të vetëm, credon e një njeriu e të një jete.
Në këtë kuptim nuk është gjë e rastit që Fan Noli mori e përktheu një varg tragjedish nga të Shekspirit, në të cilat përpjekjet për liri sociale dhe konfliktet e brendshme shpirtërore janë ndërthurur në një mënyrë si moskund në literaturën botërore; ai që shqipëroi disa drama të Ibsenit, Don Kishotin e Cervantesit, Rubajatet e Omar Khajamit, disa vjersha të Edgar Poes, Baudelarei-rit e të tjera; dhe që në kohën e qëndrimit të tij si emigrant politik në Mauern afër Vjenës pas fjalëve të mikut të tij Norbert Joklit u muar për një kohë të gjatë me planin e përkthimit të Faustit e Goethes, duke studiuar dhe disa nga komentarët e kësaj vepre.
Nuk është gjithashtu një gjë e rastit që ai shkroi Historinë e Skënderbeut dhe ato vjersha që shkroi. Kudo në këto vepra – në krijimet e veta e në përkthime është përdorur fryma komplekse e shkrimtarit.
Ai i ka jetuar ato, ka jetuar ai vetë nëpër to, në figurat heronjve.
Kudo në këto na shfaqet, ku më çelët, ku më mbyllur, shpirti i autorit të tyre.
Ai na del pa dashur si te Bruti, ashtu dhe te Hamleti, te Don Kishoti ashtu si te Omar Khajami, te profeti Moisi ashtu si te Galileasi (Krishti), te Prometeu i mbërthyer e te Armiku i popullit, që në të vërtetë është miku i vërtetë i tij.
Revolucionarë e profetë, portë e dashamirë aktivë të njerëzimit janë po aq mishërime të unë-s së tij, nëpër ta shprehet ai vetë.
Në këtë vështrim dhe shqipërimet në një kuptim më të thellë janë krijime të tij.
Fan Noli si për formimin e tij poetik si për shprehjen gjuhësore qëndron më vete në literaturën shqiptare. Ai nuk është poeti i lartësive eterike, po është shkrimtar i plisit të dheut.
Është një Ante i literaturës sonë, që i merr fuqitë prej mëmës tokë. Ai ka të vetën diçka demonike, e cila mbase është vetia e parë e njeriut krijues, cilësia e mirëfilltë e furor poeticus, e marrëzisë së poetit të vërtetë.
Në fushën e kësaj literature ai nuk është një fill bar, që sot bleron e nesër thahet; nuk është as lule, që sot shkëlqen e nesër vyshket.
Ai na paraqitet si një lis i moçëm e plot gdhenj: lis i vetmuar, po me rrënjë ngulur mirë në të thellat e dheut. E këtillë mbetet edhe gjuha e tij.
Ne këtë nuk ndihet ëmbëlsia e flladit të verës sesa furia e murrërit të dimrit. Ajo nuk ka aromën e luleve, po ka erën e shëndoshë të dheut. Ka dhe diçka prej pikash të rënda e të idhëta, në të shprehet ana e rëndë e jetës shqiptare.
Në këtë poezi shihet sa mund të jetë gjuha shqipe e ashpër e vrazhdë, dhe e fortë në ashpërsinë e saj.
Me zhdukjen e këtij njeriu të rrallë një valë pikëllimi përshkoi anembanë botën shqiptare, kudo ku i thonë bukës bukë e ujit ujë. Po kjo nuk është një valë dëshpërimi.
Noli nuk është një madhësi efemere
Fjala e tij nuk është nga ato që i merr era.
Në këtë botë shqiptare të cilën ai e deshi me të gjitha fijet e zemrës, ai mbetet i gjallë ndër ne, si sot në ditët që do të vijnë.”
ObserverKult
—————————-
Lexo edhe: