“Kalush Orchestra” – pjesë e luftës në Ukrainë, por do të marrë pjesë edhe në Eurosong

Për çdo këngëtar, pjesëmarrja dhe përfaqësimi i vendit të tij në festivalin e këngës në Eurovizion është realizimi i një ëndrre, sidomos për të rinjtë që duan të njihen në arenën ndërkombëtare.

Por, kjo gjë nuk ndodh këtë vit me “Kalush Orchestra” të Ukrainës, që gëzimin e performancës së ideuar prej muajsh në skenën e Eurosong, e ndjejnë të largët. 

Lideri i grupit “Kalush Orchestra”, këngëtari Oleh Psiuk, operon sot në perëndim të Ukrainës. Bashkë me një grup vullnetarësh, ai ndihmon në sigurimin e ilaçeve, si dhe me largimin e njerëzve nga zonat e luftës. Një anëtar tjetër i bandës muzikore, shërben në njësitë e mbrojtjes së territorit, pra në ushtri. 

Prej së hënës së 14 marsit, grupi i tyre është përzgjedhur si një nga favoritët për të fituar konkursin e këngës në Eurovizion, por Oleh e ka të vështirë ta festojë këtë moment: “E kam të vështirë të gëzoj, pasi jam i shqetësuar për të dashurit e mi. Lufta më ndau nga e dashura. Ajo është sot 300 km larg meje. Nuk e takoj dot sepse ka shumë rrezik. Ajo është strehuar në një bunker, teksa unë qëndroj këtu, me sirenat e luftës të ndezura vazhdimisht”.

Por, ai thotë se e dashura e tij po ndihmon në përgatitjen e bombave molotov. 

Grupi muzikor vazhdon provat për Eurovizion ndarazi, por planifikojnë të ribashkohen në Lviv për provat gjenerale, përpara se të marrin pjesë në festivalin e këngës më 14 maj, në Torino të Italisë, me këngën “Stefania”, që tashmë është shndërruar në një himn për ukrainasit gjatë luftës. 

“Përpos rrethanave, ne do të marrim pjesë në Eurovizion, do të përpiqemi për Ukrainën, edhe pse me gjendjen e luftës do të jetë shumë e vështirë”, theksoi Oleh.

Finalja e Eurovizionit do të mbahet më 14 maj. Nëse “Kalush Orchestra” do të fitojë, Ukraina do të mund të organizojë konkursin në 2023, edhe pse kjo ditë duket shumë e largët…/a2news.com


Lexo edhe:

VRITEN NË UKRAINË GAZETARJA DHE NJË KAMERAMAN TË FOX NEWS

ObserverKult