Agim Baçi: Leximi i gabuar i Pinokut

Agim Baçi:
Agim Baçi


…Pinoku, personazhi i shkrimtarit dhe filozofit italian Karlo Kolodi, vjen si një dëshirë e thellë e Xhepetos, ashtu siç vijnë përgjithësisht fëmijët në këtë botë, si një dëshirë dhe ëndërr e prindërve.

Xhepetos i mjafton druri i gdhendur gjithë dashuri, ashtu siç në fakt duhet të gdhenden gjithë dashuritë. Ai është i mahnitur teksa sheh Pinokun të flasë. Ai e ndjek kudo, jep gjithçka për të dhe e fal, siç bëjnë apo duhet të bëjnë në të vërtetë prindërit.

Por shumë nga ata që vijojnë t’ua lexojnë fëmijëve, vijojnë të vënë theksin te hunda e rritur e Pinokut pas gënjeshtrave, duke harruar se ç’duhet t’u thonë fëmijëve për kurthet e pafundme që u dalin përpara lidhur me marrëdhëniet me të tjerët, me lojën e përhershme të jetës dhe me dëshirën për t’u bërë i pasur apo i famshëm me çdo kusht.


Dhe shumica e prindërve habiten se si fëmija i tyre nuk arriti t’i përballonte këto kurthe joshjeje, që sot çdo fëmije i vijnë çdo ditë përpara syve në formë spektakli, fame apo dëshire për t’u bërë i pasur, në një kohë sa më të shpejtë.


Madje, edhe më keq janë ato raste kur mjaft prindër shihen duke i mbështetur në këtë dëshirë spektaklesh dhe fame fëmijët e tyre, pa u kujdesur aspak se në këtë udhëtim është e rëndësishme të kalosh mes disa vlerave njerëzore.

…historia e mrekullueshme e Kolodit duhet lexuar si një himn për artin e madh të dashurisë që shfaq Xhepeto për të birin, për të guxuar të udhëtojë deri në barkun e balenës për ta shpëtuar e jo si lexim për të gjetur momentet e rritjes së hundës së fëmijës, të cilën patjetër ja vlen ta kemi parasysh, por jo si qëllim kryesor në komunikimin tonë.

ObserverKult

Lexo edhe:

WALT DISNEY, NJERIU QË NA BËRI TË FLUTUROJMË NË BOTËN E FANTAZISË